Kryeministri prezanton Shqipërinë si tregu më tërheqës për investime të huaja në takimin me biznesmenë austriakë
Kryeministri Berisha ftoi sot, gjatë një takimi me përfaqësues të Dhomës Ekonomike të Austrisë, sipërmarrësit austriakë të investojnë në Shqipëri.
Shqipëria, u shpreh Kryeministri, ofron potenciale të jashtëzakonshme në të gjitha fushat dhe tregun më të ri dhe dinamik të punës në Evropë.
Duke falënderuar Kryeministrin për mikpritjen, sipërmarrësit austriakë theksuan se fushat e bashkëpunimit mes dy vendeve janë të shumta.
Kryeministri bëri një paraqitje të disave prej reformat të ndërmarra nga qeveria me qëllim shndërrimin e Shqipërisë në vendin më tërheqës për investimet e huaja. Kryeministri tha se qeveria është e angazhuar në reduktimin e barrierave tatimore dhe burokratike për biznesin.
Duke përshëndetur sipërmarrësit austriakë, Kryeministri u shpreh: "Dua t'ju falënderoj të gjithë ju për këtë vizitë të madhe dhe t'ju siguroj se prezenca juaj këtu është vërtet një shpresë dhe nxitje për vendin tim. Unë besoj se vizita juaj do t'ju lejojë juve të keni një vizion të ri për këtë vend dhe për potencialet e jashtëzakonshme të këtij vendi të vogël. Nëse flasim për potencialet energjetike, Shqipëria ka një potencial prej 15 miliard kilovat orë për t'u shfrytëzuar, nëse flasim për potencialet turistike, Shqipëria ka bregun më të gjatë dhe të pashfrytëzuar në rajon, me site historike dhe arkeologjike të shumta. Rezervat tona minerare janë gjithashtu të shumta. Shqipëria është një nga vendet më të pasura të botës me krom, është e pasur me mineralin e nikelit dhe bakrit, sikundër edhe me minerale të tjera.
Dy vjet më parë, qeveria shpalli si qëllimin e saj kryesor që ta shndërronte Shqipërinë në vendin më tërheqës për investimet e huaja, synim i parë nga të të gjithë me skepticizëm. Por faktet e dy viteve të fundit tregojnë që ky është synim më se i realizueshëm."
Kryeministri dha disa fakte mbi ecurinë e investimeve në këto dy vitet e fundit: në vitin 2006 investimet e huaja direkte në Shqipëri u rritën nga 26 në130 dollarë për frymë, eksportet në vitin 2006 u rritën me 20 për qind, indeksi i shitjeve ishte rreth 15 për qind, kreditimi për sektorin privat si ritëm rritje është më i larti në botë dhe është rritur 16 për qind, eksportet në këtë katër mujor janë dyfishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjithashtu Kryeministri Berisha vuri në dukje se po shkohet drejt një revolucionin fiskal. Nga janari i vitit 2008, Shqipëria do të jetë vendi me nivelin më të ulët të barrës fiskale. Vitin e kaluar, sipas KPMG një kompani financiare që vëzhgon ecurinë e sistemeve fiskale në botë, Shqipëria ishte vendi i parë në botë për uljen e taksave si përqindje. Dhe këtë vit do të jemi sërish të parët. Do vendosim taksën e sheshtë 10 për qind, vitin e kaluar ulëm kontributet e sigurimeve shoqërore 30 për qind dhe do të shkojmë më tej, ulëm çmimin e energjisë për biznesin 33-45 për qind. Ne jemi të angazhuar të reduktojmë barrierat burokratike për biznesin, do të adaptojmë standardet më liberale për biznesin në të gjithë fushat.
Kryeministri vijoi duke thënë se investimet austriake në Shqipëri kanë qenë të suksesshme, duke përmendur Rogner, Austrian airline, Unika, Reiffeisen Bank, më e madhja në rajon. Gjithashtu Kryeministri bëri të ditur se disa kompani austriake kanë bërë studimet dhe së shpejti do të fillojnë implementimin e projekteve të tyre si ENV, e cila ka bërë një studim për kaskadën e lumit të Vjosës për ndërtimin e disa hidrocentraleve; Vatech ka treguar interes për kaskadat e disa lumenjve të tjerë; Alpine po punon mbi disa projekte në infrastrukturë; Strabag pret me padurim të fillojë së shpejti; Grupi Rogner po punon në një nga vendet më të bukura të mesdheut, në Porto Palermo.
Duke theksuar se Shqipëria ofron tregun më të mirë, të ri dhe dinamik të punës në Evropë, Kryeministri solli për këtë shembullin e kompanisë më të mëdha italiane Cotonella, e cila la Kinën dhe erdhi në Shqipëri, për shkak të këtij tregu të shkëlqyer të punës. Gjithashtu, u shpreh Kryeministri, Shqipëria është e vendosur në portën e Evropës me Ballkanin dhe Ballkanit me Evropën, është në cepin më perëndimor i Ballkanit.