Konferencë e përbashkët për shtyp e kryeministrit Sali Berisha dhe kryeministrit të Kosovës, z. AgimÇeku
Sot pasdite, kryeministri Sali Berisha mirëpriti kryeministrin e Kosovës, z.AgimÇeku. Pas takimit, dy kryeministrat dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, gjatë së cilës bënë këto deklarata:
Kryeministri Berisha:
"Sapo zhvillova një takim shumë të rëndësishëm me kryeministrin e Kosovës z.AgimÇeku. Shfrytëzova rastin për të shprehur mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare për qeverinë e Kosovës, presidentin, parlamentin, si dhe projektin Ahtisaari lidhur me zgjidhjen e statusit të saj final.
E sigurova zotinÇeku se Shqipëria bën dhe do të bëjë të gjitha përpjekjet që paketa Ahtisaari të shndërrohet sa më shpejtë në realitet për Kosovën.
Qeveria shqiptare vlerëson se pavarësia është kusht vendimtar për paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe rajon.
Ne i ndjekim me angazhim të plotë të gjitha zhvillimet dhe konstatojmë se, gjatë dy-tre muajve të fundit, ideja e Serbisë së madhe përpiqet të pengojë zbatimin e projektit Ahtisari. Në këtë kontekst, shprehim mirënjohjen e thellë ndaj qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të Grupit të Kontaktit, të cilat mbështesin paketën Ahtisari.
Unë do t'i bëja thirrje dhe një herë qeverisë ruse që të rishqyrtojë politikën e saj në Ballkan, sepse historia e shekullit që shkoi ka provuar se politika e bazuar mbi hegjemonizmin serb i ka sjellë Ballkanit dramat më të mëdha në tërë historinë e tij. Kjo politikë nuk ka asnjë shans dhe asnjë të ardhme, për të krijuar paqe dhe stabilitet.
Paqja dhe stabiliteti në Ballkan nuk duhet të mbështeten në hegjemoninë e njërit komb, por në bashkëpunimin dhe përpjekjet e të gjithë vendeve të këtij gadishulli për integrimin dhe të ardhme në Bashkimin Europian. Unë mbetem i bindur se Këshilli i Sigurimit nuk do ta vonojë rezolutën dhe se Bashkimi Europian do të marrë së shpejti rolin që përcakton paketa Ahtisaari në Kosovë, në mënyrë që statusi të jetë një proçes i pandalshëm dhe të finalizohet në përputhje me projektin e qytetarëve të Kosovës. Kjo zgjedhje është e bazuar tek e drejta e tyre për vetëvendosje, pra për pavarësi.
Unë e nisa me këtë çështje, sepse kjo është një çështje themelore jo vetëm për Kosovën, por është një çështje themelore për të gjithë Ballkanin, natyrisht edhe për Shqipërinë. Por me kryeministrinÇeku diskutuam gjerësisht intensifikimin e bashkëpunimit të gjithanshëm me qëllim që të krijojmë një model të shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Ky model do t'u ofrohet edhe fqinjëve të tjerë në emër të një të ardhme të përbashkët në BE dhe NATO.
Gjithashtu diskutuam për projektet ekonomike, lidhjet infrastrukturore, projektin e autostradës Durrës-Prishtinë, si dhe për projekte të tjera energjitike. Unë shpreha dëshirën që qeveria shqiptare të jetë aksionere në termocentralet e mëdha me linite që do të ndërtohen në Kosovë dhe që do t'a shndërrojnë atë në nyje kryesore të prodhimit të energjisë në Ballkan.
Janë dhe shumë projekte të tjera, në të cilat duhet të bashkëpunojnë dy vendet tona, si dhe me Malin e Zi, Maqedoninë dhe me të gjithë ata që janë të interesuar për një bashkëpunim rajonal.
Pata kënaqësinë të njihem me progresin ekonomik që ka bërë Kosova gjatë vitit që shkoi, sukseset e mëdha që ajo ka arritur në konsolidimin e standarteve. Të gjitha këto janë garanci për një jetë të lirë për qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga përkatësia etnike.
Dua të shpreh dhe një herë kënaqësinë që kryeministriÇeku ndodhet sot në Tiranë dhe e siguroj për mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare ndaj të gjitha përpjekjeve të qeverisë së Kosovës për pavarësi."
Kryeministri AgimÇeku:
Shpreh kënaqësinë që ndodhem sot në Tiranë dhe mbi të gjitha që takova mikun tim të dashur, kryeministrin Berisha.
Kryeministri Berisha përmblodhi të gjitha temat për të cilat ne diskutuam gjatë këtij takimi, një takim ky shumë i frytshëm. Unë i përcolla kryeministrit përgatitjet dhe arritjet tona për procesin e statusit.
Ne jemi sot këtu me ftesë të kryeministrit për të marrë pjesë në punimet e Forumit Cras Montanës. Kosova është sot një vend i rëndësishëm, ku zyrtarë dhe autoritete nga e gjithë bota, veçanërisht nga rajoni, bëjnë përpjekje dhe gjejnë mënyra se si të intensifikojnë dhe të rrisin nivelin e bashkëpunimit ekonomik, social, politik, të sigurisë, në fushën e arsimit dhe atë kulturor. Ne po gjejmë rrugë dhe mënyra se si të bashkohen vendet dhe popujt, si dhe të përshpejtohet procesi i integrimit me Bashkimin Europian.
Egziston një vullnet i mirë i të gjitha vendeve në rajon për një integrim të shpejtë dhe për një bashkëpunim të ndërsjelltë. Por ekziston edhe një pengesë serioze, që është statusi i papërfunduar i Kosovës. Pavarësia e Kosovës është jo vetëm në dobi të qyetarëve të Kosovës, por dhe në dobi e interes të të gjitha vendeve të rajonit. Me pavarësinë e Kosovës përmbyllet kapitulli i shpërbërë i ish Jugosllavisë dhe mbyllet çështja e vetme e hapur në Europë. Me pavarësinë e Kosovës përfundojnë të gjitha pengesat për një bashkëpunim dhe integrim të të gjitha vendeve edhe si partner, por edhe si miq, në përpjekjen e përbashkët drejt integrimit europian. Marrëdhëniet mes vendeve tona janë në një shkallë model.
Ne kemi ndërtuar të gjithë infrastrukturën që e bën të lirë lëvizjen e kapitalit, të qytetarëve si dhe të mallrave.
Marrëdhëniet mes dy vendeve tona, më shumë se miqësore, janë vëllazërore dhe ky është një model për vendet e tjera.
Ne jemi në pritje të një ratifikimi të shpejtë të rezolutës në Këshillin e Sigurimit, tek e cila mbështetet paketa Ahtisaari.
Kjo rezolutë do t'i hapë rrugë pavarësisë, si zgjidhja e vetme dhe më e mirë jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin.
Ndonëse Shqipëria ballafaqohet dhe ka problemet e veta, çështjen e Kosovës e ka trajtuar si objektivin më madhor kombëtar. Frytet e këtij kontributi dhe të kësaj përpjekjeje të përbashkët do t'i gëzojmë shumë shpejt".
Pyetje: Nëse Rusia vendos veton në Këshillin e Sigurimit, a është gati Shqipëria të bëje një njohje të një anshme të pavarësisë së Kosovës ?
Kryeministri Berisha: Pavarësisht nga hezitimet e diplomacisë ruse, personalisht dëshiroj të mos besoj se në Këshillin e Sigurimit do të votohet në emër të Serbisë së madhe, sepse kjo do të ishte një veto jashtëzakonisht e dëmshme për rajonin. Shoh me shumë keqardhje se sërish fantazma e saj shëtit nëpër Ballkan dhe fatkeqësisht shkon edhe gjer më tutje. Por një gjë është mëse e sigurt se Serbia e madhe nuk ka të ardhme dhe se Kosova do të jetë e pavarur në përputhje me vullnetin e qytetarëve te saj. Ky ka qenë përcaktimi, dëshira dhe projekti i qytetarëve të Kosovës. Shqipëria e mbështet plotësisht këtë projekt.
Shqipëria nuk ka dhe nuk mund të ketë opsion tjetër përveç pavarësisë së Kosovës. Duhet të jemi realist se njohja e pavarësisë së Kosovës kërkon njohjen e saj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe unë kam besim të madh se qeveria amerikane dhe presidenti Bush, të cilët e kanë mbështetur fuqimisht paketën Ahtisaari, do të bëjnë të gjitha përpjekjet që Kosova të zërë vendin e vet midis vendeve të lira e të pavarura të Evropës dhe të botës.
Kosova ka qeverinë dhe institucionet e saj dhe unë i konsideroj pozitive zhvillimet atje. Sikundër me keqardhje shoh se ka një përpjekje të fantazmës së Serbisë së madhe.Çdo kundërvënie e paketës "Ahtisaari", direkt apo indirekt është mbështetje për një projekt që i kushtoi Ballkanit luftëra, eksterminime, racizëm, ksenofobi dhe urrejtje, prej të cilave Ballkani duhet te ndahet sa më shpejt.
Pyetje: ZotiÇeku, cili do të jetë reagimi i Kosovës në rast të vetos së Rusisë?
KryeministriÇeku: Në Kosove nuk spekulojmë me idenë nëse Rusia përdor veton. Ne vazhdojmë të besojmë se Këshilli i Sigurimit do ta miratojë shumë shpejt rezolutën e re për Kosovën pa ose me abstenimin e Rusisë. Ne e mbështesim këtë besim në rolin që Rusia ka luajtur deri më tash gjatë këtij procesi. Rusia është anëtare e Grupit të Kontaktit që drejton procesin. Grupi i Kontaktit ka përcaktuar parimet dhe dinamikën e këtij procesi. Edhe pse Rusia ka pasur një qëndrim të ndryshëm nga anëtarët e tjerë të Grupit, në fund të gjitha vendimet e Grupi të Kontaktit janë marrë me konsensus d.m.th edhe me pëlqimin e Rusisë. Gjatë gjithë procesit Rusia ka pasur disa kërkesa konkrete. Kërkesës së saj për shtyrjen e propozimit të Ahtisaarit pas zgjedhjeve në Serbi Grupi i Kontaktit iu përgjigj pozitivisht. Kërkesës që Rusia të kishte një rol në bisedime, pas prezantimit të parë të draftit të palëve negociatore, Grupi i Kontaktit iu përgjigj pozitivisht. Gjithashtu duke dashur të dëshmojë që Kosova nuk është gati për pavarësi, ajo kërkoi që Këshilli i Sigurimit të shkojë në Kosovë të bindet për situatën reale atje. Edhe kësaj kërkese i është përgjigjur pozitivisht. Tashmë, që procesi është përmbyllur, janë shterur të gjitha mundësitë për të ndryshuar paketën e Ahtisaarit apo për të vazhduar negociatat. Gjithashtu është krijuar uniteti i nevojshëm i bashkësisë ndërkombëtare në mbështetje të këtij propozimi. Është radha që edhe Rusia ti përgjigjet pozitivisht kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare. Unë besoj në këtë, sepse nuk di çfarë mund të përfitojë Rusia nga përdorimi i vetos, ndoshta vetëm një letër përshëndetëse nga udhëheqësit e Beogradit, por di çfarë mund të humbë nga bashkësia ndërkombëtare nëse e bllokon procesin dhe projektin që ka mbështetjen e saj dhe që sjell vetëm stabilitet, siguri, paqe pajtim dhe besim mes popujve në rajon. Bllokimi sjell destabilitet dhe mban konflikte të ngrira, çka nuk është në interes të Rusisë, as të Serbisë dhe të askujt. Duke marrë parasysh këto, ne vazhdojmë të besojnë se në fund edhe Rusia do të jetë pjesë e zgjidhjes dhe jo e problemit.
Pyetje: Ne media është folur për paramilitarë serbë që po përgatiten në kufirin me Kosovën për një ndërhyrje të mundshme në Kosovë, nëse OKB-ja miraton planin Ahtisari, ai i trembeni një destabilizimi të Kosovës?
KryeministriÇeku: Ne nuk jemi vetëm në këtë proces. Ky nuk është proçes që i takon vetëm Kosovës. Pavarësinë e Kosovës e duan të gjthë shqiptarët, ky është objektivi më madhor kombëtar. Por, pavarësinë e Kosovës e duan edhe shumë miq, aleatët e partnerët tanë të cilët kanë investuar dhe mendojnë të investojnë tashmë edhe në njerëz, kapital moral dhe politik të tyre.
Për këtë arsye ata dëshirojnë që kjo çështje të mbyllet me sukses. Një jo ndaj paketës Ahtisari, është një jo si për Kosovën ashtu dhe për faktorin ndërkombëtar.
Çfarëdo vendimi që do të marrrin nëse ndodh një situatë e tillë, do ta marrin bashkarisht dhe do të jemi shumë të kujdesshëm që ta ruajmë partneritetin e krijuar në luftë, pas lufte si dhe gjatë këtij proçesi.
Natyrisht ne i shqyrtojmë të gjitha opsionet dhe sskenarët e mundshëm, duke filluar nga ata më të rrezikshmit. Ne kemi institucione serioze, kemi NATO-n, policinë dhe institucione të tjera të sigurisë që monitorojmë çdo kërcënim që mund ti bëhet Kosovës. Paraqitja e disa grupeve që kërkojnë të hyjnë në Kosovë është një veprim ilegal, një veprim kriminal dhe i jashtëligjshëm. Është çështje e Serbisë të merret me këto grupe dhe nëse ata nuk merren atëherë do të merren forcat e sigurisë së NATO-s në Kosovë.
Pyetje: ZotiÇeku, ju cituat që Bashkësia Ndërkombëtare i ka pranuar Rusisë për çështjen e Kosovës, por besoj se së fundmi, këto dy ditë, jeni njohur edhe me propozimin e diplomatëvë rusë për nje rezolutë paralele në Këshillin e Sigurimit që kërkon sërish negociata për Kosovën. Madje kërkohet të lihet rezoluta 12 44 e Keshillit te Sigurimit për Kosovën dhe jo pavarësi të mbikëqyrur nga BE. Mos ndoshta jeni më shumë optimistë për tërheqjen e Rusisë nga ky vendim?
KryeministriÇeku: Ajo çka është pozitive është se e vetmja çështje me të cilën merret Këshilli i Sigurimit, përfshirë edhe Rusinë, është miratimi i rezolutës apo harmonizimi i tekstit të rezolutës. Pritet të qarkullojnë disa drafte të rezolutës që vende të ndryshme anëtare të Këshillit të Sigurimit të kenë vërejtjet e tyre dhe në fund të fitohet konsensusi rreth këtij dokumenti. Ne jemi njoftuar me disa qëndrime të palës ruse dhe propozimet e tyre për të vazhduar rezolutën 12 44 janë absolutisht të papranueshme.
Realiteti në Kosovë e ka tejkaluat rezolutën 1244, ndërkohë që asaj i ka kaluar edhe afati dhe vazhdimi i rezolutës 1244 është absolutisht e paarësyeshëm, i paqëndrueshëm dhe i papranueshëm. Me përfundimin e rezolutës 12 44 përfundoj çfarëdolloj lidhje ndërmjet Kosovës dhe Beogradit, përfundon mandati i UNMIK-ut dhe fillon një kapitull i ri për Kosovën. Kështu që jemi gjithnjë optimistë dhe është një optimizëm i bazuar.