E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri takon grupin e ekspertëve ndërkombëtarë, të përzgjedhur për të përgatitur ndarjen dhe privatizimin e shpërndarjes së KESH-it

Kryeministri priti sot në mbrëmje grupin e ekspertëve të përzgjedhur nga Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), i cili do të studiojë dhe përfundojë ndarjen e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) dhe përgatitjen e privatizimit të divizionit të shpërndarjes së KESH-it.
Ky proces do të bëjë të mundur që nga tenderimi të përzgjidhet një partner i rëndësishëm strategjik.
Përzgjedhja e grupit të ekspertëve u bë nga IFC-ja në mënyrë transparente konform të gjitha procedurave ndërkombëtare të tenderimit, në konsulencë të vazhdueshme me ligjin dhe qeverinë shqiptare.

Grupi i ekspertëve përfaqëson kompanitë më të njohura ndërkombëtare të konsulencës: Ernst & Young, një nga 5 kompanitë më të mëdha në botë në fushën financiare dhe të privatizimit; kompaninë SNC Lavalin; kompaninë LDK dhe kompaninë Gide Loyrette Novel. Në përbërje të këtij grupi janë edhe ekspertë të Bankës Botërore dhe IFC-së.

Kryeministri falenderoi IFC-në për përzgjedhjen e eksperteve që do të përgatisin ndarjen dhe privatizimin e Divizionit të Shperndarjes së KESH-it. Kryeministri theksoi se ky proces, që do të përfundojë në disa muaj, do të mundësojë rritjen e kapaciteteve të Korporatës Elektroenergjitike, për të përballuar ritmet e shpejta të zhvillimit ekonomik dhe të investimeve vendase dhe të huaja në të gjitha fushat. Ky është një moment i rëndësishëm për zhvillimet cilësore dhe të shpejta të biznesit vendas e të huaj, tha Kryeministri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›