Kryeministri Berisha diskuton me Telekomitalia ndërtimin e partneritetit strategjik në fushën e telekomunikacioneve
Kryeministri Berisha diskutoi sot, gjatë një takimi me Drejtorin Ekzekutiv të Telekomitalia, z. Stefano Mazzitelli ndërtimin e partneritetit strategjik ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Telekomitalia në fushën e telekomunikacioneve.
Takimi u përqendrua në mënyrë të veçantë në zgjerimin e bashkëpunimit në funksion të realizimit të nismës që ka ndërmarrë qeveria shqiptare për ta sjellë Shqipërinë në moshën e internetit. Në këtë drejtim, Albtelekomi dhe Telekomitalia po studiojnë detajet teknike të bashkëpunimit. Kryeministri theksoi se realizimi i kësaj nisme mbetet një qëllim madhor i qeverisë.
Një tjetër çështje e diskutuar në takim ishte modernizimi i kabllit që lidh Shqipërinë me Italinë me qëllim rritjen e shërbimeve të internetit dhe shkëmbimit të të dhënave. Në takim zuri vend edhe bashkëpunimi mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për lidhjen e të gjitha qendrave universitare të vendit në një rrjet të përbashkët elektronik.
Zoti Mazzitelli u shpreh i impresionuar nga zhvillimi i ekonomisë shqiptare. Ai theksoi se progresi që ka bërë ekonomia shqiptare reflektohet edhe në dinamikën pozitive të tregut të telekomunikacioneve. Zoti Mazzitelli shprehu interesin për zgjerimin e bashkëpunimit me projekte konkrete në të ardhmen.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha premtoi mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare për të ndihmuar në konkretizimin e projekteve të Telekomitalia në Shqipëri.