Kryeministri Berisha pret një mision të Bankës Botërore nga Departamenti i Naftës, Gazit dhe Mineraleve
Kryeministri Berisha priti sot një mision të Bankës Botërore nga Departamenti i Naftës, Gazit dhe Mineraleve, i cili prezantoi studimin paraprak të eksperteve të saj, lidhur më strategjine e zhvillimit të sektorit mineral. Versioni final i këtij raporti do të dorëzohet në muajin qershor.
Ky mision po asiston qeverinë shqiptare me kërkesën e saj për përmirësimin e strategjisë dhe politikave të sektorit mineral si dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe të shpejtë të tij.
Misioni i Bankës Botërore theksoi se Shqipëria ka si avantazh konkurues rezervat e konsiderueshme të mineraleve strategjike si; krom, nikel, baker, si dhe një pozitë gjeografike për tregjet e Evropës.
Ekspertët e Bankës Botërore vlerësuan se reformat e ndërmarra në sektorin e mineraleve si dhe legjislacioni përkatës janë bashkohore. Ata thanë se duhet të insistohet më shumë në zbatimin e legjislacionit dhe rregullave si dhe në parimin e përdorimit efektiv dhe në kohë të liçensave.
Kryeministri Berisha falenderoi ekspertet e Bankës Botërore për studimin e bërë dhe rekomandimet e dhëna në sektorin e mineraleve. Kryeministri theksoi se promovimi i këtij sektori, reformimi i sistemit të liçensimit, aplikimi i standarteve ndërkombëtare për rritjen e transparencës, mirëmenaxhimit, efektivitetit dhe mbrojtjes ambjentale janë parimet kryesore për zhvillimin e këtij sektori.
Kryeministri vlerësoi forcimin e bashkëpunimit të qeverisë me subjektet private dhe komunitetin për të garantuar qëndrueshmërinë e zhvillimit të këtij sektori. Kryeministri deklaroi se qeveria ka në dorë projektin për përfshirjen e liçensimit të sektorit të minierave në shërbimin ONE STOP SHOP, sikundër edhe sektorin e energjitikës.
Zoti Berisha falenderoi Misionin e Bankës Botërore për kontributin e dhënë përmes konsulencës dhe premtoi që do të koordinojë këtë asistencë me programin e qeverisë amerikane “Millenium Challenge Threshold” për shërbimin ONE STOP SHOP.