Kryeministri Berisha: Të vazhdojmë me vendosmëri të madhe luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore sepse kemi rezultate konkrete të sigurta
Kryeministri Berisha mori pjesë sot paradite në takimin e Komitetit Shtetëror të Luftës kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, ku u prezantua Plani i ri i Veprimit 2011-2012 në këtë luftë. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, zëvendësministra të linjës, Ambasadorë të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, drejtues dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile dhe të Shoqatave që trajtojnë problemet e trafikimit dhe strehëzave publike për njerëzit e trafikuar, etj.
Kryeministri theksoi se trafiku i qenieve njerëzore është forma më e turpshme, më kriminale e skllavërisë, është forma më abuzive, më e rëndë e shkeljes së të gjitha të drejtave, e shndërrimit të njeriut në skllav të një sistemi global trafiku. Në këtë kontekst, Kryeministri tha se do të mund ta luftojmë trafikun vetëm pasi të ndërgjegjësojmë çdo shqiptar, çdo qytetar të këtij vendi, se sa i shëmtuar, sa çnjerëzor është ky krim.
Agjencitë shtetërore, agjencitë e zbatimit të ligjit, institucionet që merren me problemet e trafikut të fëmijëve dhe të grave, sigurisht që kanë si detyrë kryesore zbatimin e ligjit, por po kaq e rëndësishme është që ata të bëjnë çdo gjë që këtë çështje ta shndërrojnë në çështje të çdo komuniteti, të çdo zone dhe të çdo familjeje, nënvizoi Kryeministri.
Kryeministri kërkoi nga të gjitha strukturat përkatëse që të qëndrojnë fuqishëm pas çdo rasti të dyshuar. Komitetet vendore të koordinimit duhet të intensifikojnë veprimtarinë e tyre në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo bllok, të punojnë me grupet me rrezik të lartë, tha ai.
Kryeministri vlerësoi punën e shkëlqyer të Shoqërisë Civile, si në sensibilizimin, ashtu edhe në trajtimin e subjekteve të trafikuar. Në këtë kontekst, ai shprehu nevojën e pranimit të një transparence absolute të veprimtarisë së strehëzave publike dhe të shoqërisë civile. Gjithashtu, Kryeministri u bëri thirrje dhe mediave që të jenë gjithnjë e më vokale ndaj secilit rast, ndaj shfaqjeve minimale të tolerancës së këtij fenomeni.
Më tej, Kryeministri garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka që plani i veprimit 2011-2012 në këtë fushë të jetësohet, në mënyrë që në zbatim të tij, vendi të ketë arritur objektivat plotësisht në dy vitet që vijnë. Për këtë ai kërkoi një bashkëpunim të gjerë të të gjithë faktorëve, si dhe unifikim të praktikave me vende të ndryshme. “Duhet ta vazhdojmë me vendosmëri të madhe këtë luftë, sepse ne kemi rezultate konkrete të sigurta. Organet tona policore dhe të tjera, duhet të vendosin bashkëpunimin më të ngushtë me partnerët tanë kudo që janë, për t’i dhënë përgjigjen më të merituar ligjore këtij fenomeni”, nënvizoi Kryeministri.
Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh:
Së pari, dua të përshëndes dhe të falënderoj me mirënjohje sponsorizuesit dhe organizatorët e kësaj konference, për një çështje, do të thosha, ndër më të ndjeshmet për individin dhe shoqërinë, për formën e re të skllavërisë.
E vërteta është se trafiku i qenieve njerëzore është forma më e turpshme, më kriminale e skllavërisë. Në thelb, në doktrinë, përbën një krim të shëmtuar kundër njerëzimit, që fatkeqësisht nuk është shpallur ende i tillë. Por trafiku i fëmijëve në listën e krimeve kundër njerëzimit nuk mund të mos renditet ndër më të shëmtuarit. Kjo është forma më abuzive, më e rëndë e shkeljes së të gjitha të drejtave, e shndërrimit të njeriut në skllav të një sistemi global trafiku. Sepse duhet ta themi, sistemi I trafikut të qenieve njerëzore është një sistem global, pantotenik . Duke thënë këtë, nuk mund të luftohet kurrë në qoftë se ti nuk lufton në shtëpinë tënde, në kopshtin tënd, në vendin tënd. Në këtë kontekst, trafiku i qenieve njerëzore në Shqipëri ka qenë një problem madhor, shumë shqetësues, problem që vazhdon të ekzistojë, ndonëse në përmasa shumë më të reduktuara. Lufta kundër tij është shumë komplekse. Do të mund ta luftojmë trafikun vetëm pasi të ndërgjegjësojmë çdo shqiptar, çdo qytetar të këtij vendi, se sa i shëmtuar, sa çnjerëzor është ky krim.
20 vjet më parë shqiptarë u derdhën në dete e në vende të tjera, si shkak i një varfërie ekstreme. Shqipëria sot, në statistikat zyrtare kombëtare e ndërkombëtare, ka një varfëri rreth 12 për qind dhe këtë e ka në ulje. Shqipëria ka një varfëri ekstreme 4 herë më të ulët në vitin 2008, krahasuar me 2005-ën. Shqipëria ka të gjitha kushtet, mundësitë, që disa nga faktorët bazë të këtij fenomeni shumë të rëndë të shoqërisë, t’i bëjë inekzistentë. Por, Agjencitë shtetërore, agjencitë e zbatimit të ligjit, institucionet që merren me problemet e trafikut të fëmijëve dhe të grave, sigurisht që kanë si detyrë kryesore zbatimin e ligjit. Por po kaq e rëndësishme është që ata të bëjnë çdo gjë që këtë çështje ta shndërrojnë në çështje të çdo komuniteti, të çdo zone dhe të çdo familjeje.
Në rast se ne kthehemi në standardet morale të këtij kombi, i fundit i të gjitha fundeve është kjo gjë, është jashtë çdo lloj konceptimi që prindi të shesë vajzën e vet. Ne duhet të qëndrojmë fuqishëm pas çdo rasti të dyshuar. Komitetet vendore të koordinimit duhet të intensifikojnë veprimtarinë e tyre në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo bllok, të punojnë me grupet me rrezik të lartë. Është absolutisht përgjegjësi direkt, kur një nënë i shkruan Prefektit se “kam 3 vajza dhe jam kryefamiljare”, pra, problemi i saj duhet të jetë përparësi e të gjitha përparësive edhe për ministrin, edhe për shoqërinë, edhe për të këdo.
Unë dua të falënderoj përzemërsisht Shoqërinë Civile për punën e shkëlqyer që bën, si në sensibilizimin, ashtu edhe në trajtimin e subjekteve të trafikuar. Ajo çka kam theksuar dhe theksoj është se duhet të pranojmë një transparencë absolute të veprimtarisë së strehëzave publike dhe të shoqërisë civile. Duhet ta dini mirë që besimi dhe vlerësimi i qeverisë tek ju është shumë i madh. Por qeveria dhe ju jeni të interesuar për një transparencë të plotë publike të veprimtarisë në këtë fushë delikate, për shkak të vulnerabilitetit të lartë që paraqesin këta persona.
Unë ju bëj thirrje të ngrini gjithnjë e më fuqishëm zërin tuaj, veçanërisht në sensibilizimin e shoqërisë. Pasi ne aty e kemi potencialin më të madh.
Ju bëj thirrje mediave të jenë gjithnjë e më vokale ndaj secilit rast, ndaj shfaqjeve minimale të tolerancës së këtij fenomeni. Është rritur numri i penaliteteve, por edhe pse ligjet i kemi të mira, të ashpra, ato nuk zbatohen në të gjithë dimensionin e tyre.
Qeveria do të bëjë gjithçka që ky plan të jetësohet, në mënyrë që në zbatim të tij, vendi të ketë arritur objektivat plotësisht në dy vitet që vijnë. Por kjo kërkon një bashkëpunim të gjerë të të gjithë faktorëve. Në mënyrë të veçantë, autoritetet vendore dhe shoqëria civile, në sensibilizimin e shoqërisë shqiptare ndaj këtij fenomeni, mund të japin një kontribut madhor. Theksoj dhe njëherë se problemi është global. Nuk po arrihet të ketë një përballje globale ndaj këtij fenomeni për fat të keq, nuk po arrihet të unifikohen praktikat me vende të ndryshme dhe kjo pengon luftën serioze kundër këtij fenomeni. Por kjo nuk duhet të na dekurajojë aspak. Duhet ta vazhdojmë me vendosmëri të madhe këtë luftë, sepse ne kemi rezultate konkrete të sigurta. Organet tona policore dhe të tjera, duhet të vendosin bashkëpunimin më të ngushtë me partnerët tanë kudo që janë, për t’i dhënë përgjigjen më të merituar ligjore kësaj forme, që është më primitivja, më e hershmja e skllavërisë së njeriut.
Faleminderit”.
01/07/2011