E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Në katër vitet që vinë, kjo qeveri do të investojë dy herë më shumë për arsimin

-Kryeministri u shreh se “për tre vjet ne rritëm  me 75 përqind pagat e mësuesve dhe do t’i dyfishojmë ato këtë vit që vjen”.

Kryeministri Berisha, në vijim të turit “Shqipëria po ndryshon”, u ndal sot në një takim me banorët Bradasheshit, në Elbasan. Fillimisht Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të rikonstruksionit të plotë të shkollës 9-vjeçare “Evropa” në Bradashesh, investim me vlerë 50 milionë lekë.

Gjatë përshëndetjes së tij, Kryeministri Berisha u shpreh se “kjo qeveri në katër vitet që vinë do të investojë për arsimin edhe dy herë më shumë sesa ka investuar gjatë këtyre katër viteve. Qeveria do të bëjë që arsimi shqiptarë të lartësohet gjithnjë më shumë dhe të kapë me shpejtësi standardet e vendeve të zhvilluara”.

Në këtë tur, Kryeministri shoqërohej nga ministri i Arsimit z. Fatos Beja, ministri i Jashtëm z. Lulzim Basha, deputeti i zonës z.Aurel Bylykbashi, përfaqësues të pushtetit vendor, etj.

Kryeministri Berisha, duke u drejtuar banorëve të Bradasheshit, u shpreh;

“Inagurimi i një shkolle të re përbën një ngjarje shumë të rëndësishme për këta fëmijë dhe për çdo familje të Bradasheshit dhe Elbasanit. Shkolla që ne inaugurojmë është shndërruar në ekranin më të bukur të shqiptarëve që është  Evropa. Kjo shkollë mban emrin ‘Evropa’. Përpjekja ime më e madhe është për të lënë pas një trashëgimi tmerrësisht të vështirë dhe për t’u vendosur në kombet e zhvilluara, për të marrë vendin që na takon në familjen e kombeve evropiane. Kjo rrugë ka si kusht vendimtar arsimimin. Ne duhet të bëjmë bashkëkohor arsimimin e fëmijëve tanë. Ne jemi përqendruar me të gjithë potencialet tona në një reformë rrënjësore me qëllim që fëmijët të shkollohen në shkolla moderne, njësoj si bashkëmoshatarët e tyre në vendet e zhvilluara.

Ne vendosëm të shtrijmë shërbimin e internetit në çdo shkollë në mënyrë që çdo fëmijë shqiptar të lundrojë në internet si çdo bashkëmoshatar i tij në Evropë. Ne, për të ndryshuar arsimin vendosëm së pari t’i ndryshojmë mësuesit jetën dhe kushtet e tij. Për tre vjet ne rritëm  me 75 përqind pagat e mësuesve dhe do t’i dyfishojmë ato në vitin që vjen. Ne, në rrugën për të shtuar dijen hapem dyert e universiteteve tona dhe nga 52 mijë studentë që pranoheshin në vitin 2004-2005, në vitin 2008 u pranuan rreth 120 mijë studentë. Nga 14 studentë për një mijë banorë, sot ka 30 studentë për një mijë banorë, por unë ju jap fjalën se Shqipëria do të ketë 40-50 studentë për një mijë banorë. 

Ne jemi të vendosur të investojmë për dijet e shqiptarëve me shumë se në çdo fushë tjetër. Kjo politikë, e cila konsiston në një model të zhvillimit të shpejtë të arsimit, në një ndryshim të shpejtë të jetës së arsimtarëve, në një ndryshim të shpejtë të kushteve në shkollat e vendit dhe në hapjen e dyerve të universiteteve për fëmijët tanë, i kundërvihet politikave të mashtrimit.
Kryetari i Partisë Socialiste, i pyetur për arsimin, deklaroi se nuk do të njohë diplomat dhe se hapja e dyerve të universiteteve qenka një hap për shndërrimin e tyre në rezervat të të papunëve. Le ti themi këtij Zotërie se midis Kristoforidhit dhe Haxhi Qamilit, ti po zgjedh Haxhi Qamilin ndërsa ne po zgjedhim Kristoforidhin. Le të pyesë ai 65 mijë studentë nëse është më mirë të ndjekin universitetin apo universiteti të mbetet një mollë e ndaluar për ta. Zoti Kryetar me korrespodencë i Bashkisë së Tiranës, pyeti edhe familjet e tyre për këtë. 
Ne kemi akorduar 2.2 miliardë lekë për 12 shkolla të reja në Tiranë dhe janë ndërtuar vetëm dy shkolla në periferi të saj, në një territor që nuk i përket Bashkisë së Tiranës. Kjo ndodh sepse ai mblidhte 15 përqindëshin për lejet e ndërtimit, por për shkollat nuk ka 15 përqindësh dhe prandaj ai nuk mund ti ndërtojë. Qeveria nuk mund të paguajë gjë, ndaj Zotëria i lë nga 40 nxënës në një klasë dhe jep troje për ata që paguajnë 15 përqindëshin. Pra, ekzistojnë dy praktika.

Askush sot në Evrope nuk investon për arsimimin e fëmijëve më shumë sesa shqiptarët. Askush nuk përpiqet dhe nuk dëshiron të shkollojë fëmijët më shumë sesa familjet shqiptare.

Fakti që ai kërcënon me mosnjohjen e diplomave vjen se mezi ka marrë një diplomë dhe atë me zhgarravina e ka marrë.

Ju uroj gëzuar këtë shkollë dhe ju jap fjalën ju, banorëve të Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë, mësuesve dhe mësueseve, se kjo qeveri në katër vitet që vinë do të investojë për arsimin edhe dy herë më shumë sesa ka investuar gjatë këtyre katër viteve. Qeveria do të bëjë që arsimi shqiptarë të lartësohet gjithnjë më shumë dhe të kapë me shpejtësi standardet e vendeve të zhvilluara”.


01/11/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›