E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti i vitit 2009 do t’i garantojë Shqipërisë stabilitetin makroekonomik dhe rritjen ekonomike më të madhe në rajon

-Kryeministri Berisha u shpreh se buxheti i vitit 2009 është buxheti më i madh i historisë së vendit dhe kap shifrën 5 miliard dollarë

Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme mori në shqyrtim projekt - buxhetin për vitin 2009. Kryeministri Berisha duke prezantuar projekt buxhetin u ndal në drejtimet kryesore të tij si shëndetësia, arsimi, rritja e pagave dhe pensioneve, mbështetjen e fermerëve shqiptarë, mbrojtja dhe zhvillimi i pasurive të mëdha kulturore të vendit, zgjerimi i veprimtarisë diplomatike dhe përfaqësimit diplomatik, mbështetja e investimeve për nismën “Shqipëria në moshën dixhitale”, etj..

Kryeministri Berisha u shpreh ky është buxheti më i madh në historinë e vendit dhe do t’i garantojë Shqipërisë stabilitetin makroekonomik dhe rritjen ekonomike më të madhe në rajon. “Ky është buxheti më i madh në historinë e vendit. Në qoftë se buxheti i vitit të tretë të qeverisjes arriti në 4 miliardë dollarë, ky buxhet është rreth 5 miliardë dollarë dhe i jep vendit mundësi të madhe për ndërtim dhe ndryshim”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Duke u ndalur në investimet në infrastrukturë, Kryeministri u shpreh se “ky buxhet do t’i garantojë Shqipërisë investime të mëdha publike si: -përfundimin e rrugës Morinë-Durrës, veprën e shekullit për Shqipërinë; -përfundimin e rrugës së Bregut; -përparimin në ndërtimin e autostradës Levan-Vlorë; -avancimin e punimeve në rrugën Levan-Tepelenë; -avancimin e madh të punimeve në rrugën Konispol –Sarandë; - fillimin e punimeve të autostradës Qafë Plloçë- Qukës; -përfundimin e punimeve të autostradës Milot – Fushë Krujë, më katër korsi, si pjesë e aksit Durrës-Morinë; -fillimin e punimeve dhe avancimin e tyre në aksin Shkodër- Hani i Hotit; -fillimin e punimeve për rrugën Bogë-Theth; -vazhdimin e punimeve në rrugën e Arbrit  në segmentin Bulqizë- Klos, por me përfundimin e projektit do të nisë dhe segmenti Tiranë- Shkallë e Tujanit- Klos; -vazhdimin e punimeve Stërblevë- Peshkopi, Peshkopi - Kala e Dodës, Kukës –Kala e Dodës, Kanë- Krumë, Krumë –Kukës; -përfundimin e punimeve Korçë- Prespë; Elbasan-Gjinar; -fillimin dhe vazhdimin e punimeve të njëmbëdhjetë rrugëve në njëmbëdhjetë qarqet e vendit”.

Kryeministri Berisha theksoi se viti i katërt i mandatit qeverisës do ta gjejë rrjetin rrugor të vendit tërësisht të ndërtuar, si dhe në ndërtim e sipër. “Është e mundur plotësisht që pas përfundimit të projektit dhe studimit të fizibilitetit të nisin dhe segmentet rrugorë në boshtin e jugut, segmenti Kuçovë-Cërrik, bypass-i i Durrësit dhe Shkëmbi i Kavajës-Rrogozhinë. Ky buxhet i jep përgjigjen më të shkëlqyer ndërtimit të infrastrukturës rrugore të vendit”, u shpreh Kryeministri.

Më tej, Kryeministri nënvizoi se buxheti i vitit 2009 do të përqendrohet dhe në investime të tjera të mëdha si ndërtimi i ujësjellësve, kanalizimeve, shkollave, përfundimin e spitaleve që janë në ndërtim, etj..


31/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›