Vendim i miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË PËR ZHVILLIM BUJQËSOR DHE RURAL (AZHBR), SI AGJENCIA E PAGESAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 21, të ligjit nr.9817, datë 22.10.2007, “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, dhe të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), si agjencia e pagesave, në kuptim të nenit 21, të ligjit nr.9817, datë 22.10.2007, “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”.
2. AZHBR-ja ka strukturë qendrore dhe struktura vendore, në shkallë qarku.
3. Drejtori i AZHBR-së emërohet, lirohet ose shkarkohet nga Kryeministri, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Drejtuesit dhe punonjësit e tjerë të kësaj agjencie, përfshirë edhe ata të strukturave vendore, pranohen sipas procedurave të përcaktuara në legjislacionin për shërbimin civil. Numri i punonjësve të agjencisë është 86 veta.
4. AZHBR-ja është përgjegjëse për administrimin e fondeve të programit për bujqësinë dhe për zhvillimin rural, si më poshtë vijon:
a) Fondet e buxhetit të shtetit, për mbështetje të drejtpërdrejtë të prodhimit bujqësor;
b) Fondet e buxhetit të shtetit, për zhvillimin e infrastrukturës së tregjeve bujqësore;
c) Fondet kundërparti, të projektit 2KR.
Kriteret e përgjithshme të përdorimit të fondeve kundërparti, të projektit 2 KR, përcaktohen me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave.
5. AZHBR-ja harton planin e veprimit për përafrimin e strukturës organizative dhe të kapaciteteve, menaxhuese dhe teknike, të saj me standardet e akreditimit të BE-së.
6. AZHBR-ja harton dhe propozon projekte, si dhe merr masa për krijimin e administrimin e databazave dhe të logjistikës IT, të nevojshme për funksionimin e saj, sipas standardeve të BE-së.
7. AZHBR-ja do të fillojë të funksionojë më 1 janar 2009.
8. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, do të përballohen nga buxheti i shtetit, miratuar për Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
9. Rregullat dhe procedurat e funksionimit të brendshëm të AZHBR-së, si dhe ndarja e detyrave, përgjegjësive e kompetencave, ndërmjet saj dhe drejtorive rajonale të bujqësisë, ushqimit dhe mbrojtjes së konsumatorit (DRBUMK) e aktorëve të tjerë, të sistemit të bujqësisë dhe ushqimit, përcaktohen me udhëzim të veçantë të ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
10.Ngarkohet Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
31/10/2008