Fjala e kryeministri Berisha në Universitetin e New York-ut në Tiranë
“Së pari dëshiroj tu përshëndes ju, për punën që keni bërë, për emrin e mirë që ju keni krijuar, si dhe traditën tejet të çmuar që ju po konsolidoni. Dua tu garantoj se qeveria sheh në universitetet private një nga faktorët më të rëndësishëm dhe risitë më të mëdha të reformimit dhe të zhvillimit të sistemi arsimor në Shqipëri. Universiteti juaj është universiteti i parë privat i themeluar në Shqipëri. Sot janë një seri universitetesh të tjera. Të gjithë këta universitete, për shkak të funksionimit të cilësive të parametrave që kanë arritur, ia dolën të kalojnë me sukses të plotë testin e liberalizmit të universiteteve publike në Shqipëri dhe jo vetëm që nuk pati një rënie, por janë në rritje kërkesat për universitet private. Ne konsiderojmë zhvillimin e tyre të një rëndësie të jashtëzakonshme për vendin.
Unë dua tu them se në asgjë nuk mund të investohet më me perspektivë në të ardhmen, se sa në fushën e arsimit, dhe në përpjekjen tonë ne kemi përparësuar shume. Dua tu informoj sot, se buxheti real i vitit 2008 për arsimin është dy herë më i madh se ç’ishte në vitin 2005, por ky është vetëm një aspekt. Shumë prej jush që studioni ekonomi e kuptoni se sa e vështirë është për një qeveri që në dy, tre vjet të dyfishojë buxhetin, por kjo nuk garanton cilësi, sepse cilësia ka një seri kushtesh të tjera , të cilat ne synojmë ti arrijmë, por asgjë nuk ndikon më pozitivisht sesa prania e universiteteve private në rritjen e cilësisë së arsimit të lartë në tërësi.
Ju më falënderuat për mbështetjen, por ky është në fakt një detyrimi ynë i madh dhe unë duhet tu falënderoj ju. Vizitova këtu një universitet modern me një biblioteke të mrekullueshme, me një “database” shumë të pasur. Sot këtu, dhe në universitete të tjera ka pedagogë të rinj , gjë e cila ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Në këto universitete më shumë se në të gjitha të tjerat, ka kolektiva djemsh dhe vajzash që kanë studiuar në perëndim dhe që vijnë ketu per te dhene mësim. Shpresoj që nga hapi i parë që ne bëmë me fondin e ekselencës të përfitojnë dhe pedagogët e këtij universiteti dhe asistentët e tij, si dhe pedagogët e universiteteve të tjera private, në mënyrë që ata të titullohen dhe gradohen në universitetet më të mira të perëndimit dhe do të adaptojnë të njëjtin standard, njëlloj si për administratën publike apo universitet publike. Kontrata duhet të jetë pesëvjeçare dhe ky është vetëm hapi i parë, por ne do të shqyrtojmë një seri masash të tjera për të mbështetur këtë sektor në arsim shëndetësi dhe në fusha të tjera.
Është e vërtetë që në themel të kësaj veprimtarie është biznesi. Është e vërtete që çdo biznes ka dy anë. Ka anën e dobisë shoqërore dhe anën e dobisë së pronarëve dhe të menaxherëve, por asnjë biznes nuk ka dobinë shoqërore me te madhe sa shkollat, spitalet, etj. Ndaj dhe detyrimet e shtetit janë të atilla që të studiojë të gjitha mundësitë për të inkurajuar , për të nxitur, për të stimuluar zhvillimin e këtij sektori. Ju në fjalën tuaj se qeveria është shprehur për reitingun. Por jo vetëm për universitetet private, por për shtetëroret dhe publiket në radhë të parë. Sot janë degë të tëra në universitetet publike të cilat kanë nevojë për reformë të thellë, të cilat janë larg standardeve, te vendosura në disa nga universitete private të vendit dhe që janë standarde të domosdoshme për ruajtjen e cilësi së mësimdhënies.
Kam zgjedhur këtë universitet për të vizituar edhe për një arsye tjetër. Për tu shprehur ju nderimin tim, vlerësimin tim, por edhe për të nderuar themeluesin e këtij universiteti, mikun tim Gramoz Pashko. Po ju tregoj nje histori. Kur e pyeten një herë Ajnshtajnin se ku i shënonte mendimet e mëdha, Ajnshtajni iu përgjigj ”Nuk kam nevojë ti shënoj askund se ato i kam aq të rralla sa nuk i harroj kurrë.” U ndala në këtë çështje për të thënë dy gjëra. Gramoz Pashko ka lënë një trashëgimi shumë të madhe. Njeriu mendoj unë , gjykohet nga ato që ka zbuluar, gjykohet nga vendimet që ka marrë. Vendimet janë ato që përcaktojnë. Gramoz Pashko ishte një intelektual i madh i këtij kombi. Ishte një nga intelektualët më të shquar të tij. Në një moment të caktuar kritik për vendin Gramoz Pashko mori një vendim, më të rëndësishmin e jetës së tij, për të themeluar bashkë me miqtë e tij , opozitën e parë shqiptare, dhe këtë askush më shumë se ai nuk e faktoi se nuk e beri për asnjë lloj ambicie personale, por sepse ishte i bindur se të vërtetat ekonomike, të vërtetat akademike ishin të vërteta të mëdha, por në hierarkinë e vlerave, në këtë rast në hierarkinë e të vërtetave, disa të vërteta të tjera ishin më eprore, ishin më të rëndësishme. Dhe këto të vërteta ishin liritë dhe të drejtat e njeriut , pa të cilat nuk ka dinjitet njerëzor. Ky ka qenë motivi themelor që në dhjetorin e viti 90 shty profesor Pashkon të largohet nga katedra dhe se bashku me studentët dhe miqtë e tij të themeloi forcën e parë politike opozitare në Shqipëri.
Por ju keni një fat të madh që nuk keni memorien që kemi ne të asaj periudhe. Do të ndalem një aspekt të dytë të Profesor Pashkos. Pasi e themeluam partinë e parë opozitare shtrohej pyetja se do të bëhej më pas. Mund tu them ju me vërtetësi se ky ishte në atë periudhë i vetmi që kishte konceptet baze të tregut. Ju tani ju duket shumë e çuditshme, por hiperkolektivizmi total kishte shuar plotësisht konceptet e tregut në mendjet e njerëzve, por jo tek Gramoz Pashko. Për çdo rast që unë pyesja bashkëpunëtorët e mi për probleme ekonomike , pasi ne duhet tu jepnin përgjigje qytetarëve, ndonëse jepnin mësim në universitet, ndonëse jepnin mësim në fakultetin ekonomik, ata më përgjigjeshin do të pyesim Gramozin. Në këtë mënyrë ai u bë nje promotor, një arkitekt i reformave kryesore të vendit, në nnjë vend ku hiperkolektivizmi , ishte i barabartë me Korenë e Veriut. Pra ai dha një kontribut të madh në themelimin e ekonomisë së tregut në Shqipëri, pa të cilën demokraci nuk ka dhe nuk mund të ketë.
Gramoz Pashko kishte një pasion të madh për studentet. Edhe në selinë e partisë ai nuk ishte kurrë pa tre apo kaur studentë përreth , të cilët ai do ti ngarkonte me detyra. Do tu besonte dhe kjo ka qenë një nga tiparet më të mira të tij. Në mënyrë të përsëritur komunikoja me të dhe e pyesja për reformat , se cili ishte mendimi i tij dhe si e gjykonte ai dhe se a duhej të behej më tepër. Realisht Gramozi ishte shumë mbështetës. Besoj se me reformat ekonomike që ka ndërmarrë qeveria në fushën e tregut kemi ecur me ato parime të cilat Gramoz Pashko i kishte parësore dhe të rëndësishme.
Qeveria mban një politikë të hapur ndaj tregut, respekton tregun. Nuk asnjë dokument që fakton se qeveria ndërhyn. Qeveria qe une drejtoj është teresisht e zotuar që të vendosë standardet më liberale, ekonomike, e bindur se kjo është rruga më e sigurtë për të kapur kohën e humbur. Më datën 1 janar hyn në fuqi taksa e sheshtë 10 %. Ky sistem fiskal përbën një lloj eksperimenti , por kam besimin më të madh se do të jetë një eksperiment i suksesshëm sepse mes individit menaxher dhe shtetit menaxher, individi është shumë herë për epror ndaj shtetit, sepse tregu në vetvete ka si gjenerator iniciativën e lirë dhe kjo iniciativë është e individit dhe është detyra e shtetit ta respektojë atë.
Duke e mbyllur këtë ekspoze të shkurtër le tu uroj gëzuar festat dhe të shpreh bindjen se universitet juaj do të vazhdojë të kryesojë në cilësi , në arsimin e lartë shqiptar , duke frymëzuar të gjitha universitet e tjera të ndjekin këtë rrugë, sikundër ju garantoj se qeveria do të bëj përpjekje të mëdha për të investuar gjithnjë e më shumë në arsimin e lartë në Shqipëri.”