E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron rrugën e fshatit Kamenicë, në Korçë

-          Në katër vitet që vijnë qeveria do të pesëfishojë grantin për fermerët dhe është e gatshme, me praktika jokorruptive, që ta rrisë atë edhe më tej. Por për këtë duhet të ulemi bashkërisht dhe të mos pranojmë asnjë skemë e cila nuk i sjell paratë tek toka juaj, tek ferma juaj.

Kryeministri Berisha inauguroi rrugën e fshatit Kamenicë, të komunës Mollaj të rrethit të Korçës. Në komunën Mollaj, në qeverisjen socialiste janë investuar 450 mijë lekë, ndërsa në 4 vitet e fundit janë investuar 134 milionë lekë, ose 300 herë më shumë. Janë ndërtuar dhe janë në proces ndërtimi 10 km rrugë në këtë komunë, kundrejt zero km rrugë në 8 vite të qeverisjes socialiste.  

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari, dua të falënderoj me shumë mirënjohje në emrin tuaj, por edhe në emër të qeverisë, kryetarin e  komunës suaj, për punën e bukur që ka bërë me këtë rrugë, e cila i jep dinjitet fshatit të Kamenicës, por edhe Korçës.

Unë dua të shpreh kënaqësinë se në premtimin tonë për të asfaltuar të gjitha rrugët e Korçës, komuna juaj është ndër të parat që lidh çdo fshat me rrugë të asfaltuara.

Kontrata e re e qeverisë sime të ardhshme me banorët e komunës suaj dhe të  mbarë Shqipërisë, parashikon ujë të pijshëm në çdo familje, rrugë të asfaltuara për çdo prag dere, shërbime njësoj si në qytet. Unë ju jap fjalën se nuk ka asgjë që të më ndalojë pa bërë që fshatrat e Shqipërisë të jenë njëlloj si lagjet e qyteteve.  Vetëm atëherë shpirti im dhe i juaji do të ndihen të qetë, sepse kemi bërë një vend të zhvilluar, vetëm atëherë, ju me djersën dhe punën tuaj, do të ndiheni shumë herë më të vlerësuar.

Por unë ju jap fjalën se në katër vitet që vijnë ne do të financojmë çdo projekt të fermerëve të Mollajt dhe fermerëve shqiptarë, për nxitjen e prodhimeve tuaja. Në katër  vitet që vijnë, qeveria ime, me kontratën e re me ju, do të t’i rrisë pensionet tuaj në nivelin e pensioneve të qytetit, në katër vitet që vijnë qeveria ime do të bëjë që të gjitha importet, nafta, plehrat, të marrin rimbursimin me skemën anti korrupsion. Pra dua t’ju bëj të ditur se qeveria do të pesëfishojë grantin për ju dhe është e gatshme, me praktika jokorruptive, që ta rrisë atë edhe më tej. Por për këtë duhet të ulemi bashkërisht dhe të mos pranojmë asnjë skemë e cila nuk i sjell paratë tek toka juaj, tek ferma juaj. Ministria e Financave dhe Ministria e Bujqësisë po punojnë për këtë gjë.

Ne kemi investuar në fshatin shqiptar 1.6 miliardë dollar. Unë ju garantoj se në katër vitet që vijnë, do të investojmë edhe 3 herë më shumë me projektet tona. Ne nuk kërkojmë nga askush të na japë votën për këto që kemi bërë,. Por kërkoj nga gjithsecili që u beson këtyre ndryshimeve, të na japë votën  për ato që do të bëjmë. Ne vijmë tek ju, ne shkojmë kudo si burrat dhe gratë e fjalës së mbajtur. Unë ju them se nuk ka pasur asgjë më të vështirë të deklaroje se do të asfaltoje 4 mijë km rrugë dhe ta mbyllësh mandatin me 6 mijë km rrugë të asfaltuara. Nuk ka pasur më të vështirë se sa të deklaroje se do të dyfishoje rrogat e 44 mijë arsimtarëve, 14 mijë infermierëve dhe 6 mijë mjekëve dhe sot kjo gjë është një realitet. Pra ne i kemi mbajtur premtimet tona dhe shndërruam në realitet çdo premtim të dhënë. Ne ia arritëm kësaj, sepse ne frymëzohemi nga ju. Ju jeni njerëz punëtor, ju punoni. Edhe ne punojmë shumë dhe përpiqemi që ato para që krijojmë t’i përdorim mirë dhe të mos i shpërdorojmë. Dhe rezultatet janë të dukshme dhe të prekshme.

Katër vitet që vijnë, janë vite të pa para ndonjëherë për këtë vend. Para katër vitesh, para nesh qëndronin muret e tmerrshme të korrupsionit, të krimit e bandave, ndërsa sot para nesh është NATO-ja, ku ne jemi vend anëtar, para nesh është Bashkimi Europian  ku ne kemi aplikuar si vend anëtar. Sot  për Shqipërinë flet mirë e gjithë bota, Shqipëria e dyta në botë për klimën e biznesit, Shqipëria më e mira në Ballkan për luftën kundër korrupsionit, Shqipëria në 10-shen më të mirë të botës për luftën kundër korrupsionit, Shqipëria lë pas 27 vende për nivelin e jetesës, Shqipëria e 27-a në botë për mjedisin.

Pra, sot kemi arritur standarde me të cilat krenohemi, sot ne kemi lënë pas 2 vende të BE-së në paga e pensione, të cilat vetëm pak vite më parë kanë qenë dhjetëra vite para nesh, për sa i përket zhvillimit. Por ne do të lëmë pas 6 vende të tjera gjatë 4 viteve që vijnë, me punën, mundin dhe djersën tonë. 

Ndaj ju bëj thirrje ta shndërrojmë këtë fushatë në festën e madhe të Europës, në festën e Mollasit europian, Korçës europiane, le të kthejmë ne lavdinë marsit të vitit ’92, sinergjinë e fuqishme e të pashtershme të integrimit të vendit në Europë dhe zhvillimit të tij.


29/05/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›