Kryeministri Berisha: Në themel të suksesit të reformave dhe arritjeve qëndron vendosmëria e plotë për të luftuar korrupsionin
Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e shkollës 9 vjeçare dhe kopshtit të komunës Drenovë. Në këtë komunë, janë investuar në 4 vitet e fundit 197.8 milionë lekë, kundrejt 18.7 milionë lekë të investuara në qeverisjen socialiste. Pra në 4 vjet janë investuar 11 herë më shumë. Në këtë komunë janë shtruar dhe janë në proces 10 kilometra rrugë, kundrejt asnjë kilometri rrugë në 8 vite të qeverisjes socialiste.
Në fjalën e tij në këtë përurim, Kryeministri u shpreh:
“Ju përshëndes vëllazërisht dhe ju uroj për shkollën e rindërtuar. Jam sot këtu për të firmosur me ju kontratën e re të 4 viteve që vijnë, kontratë në të cilën ne do ta bëjmë Drenovën, Korçën dhe mbarë Shqipërinë që të ketë standardet europiane, standardet aq të shumëpritura, standarde jetike dhe që ne i meritojmë plotësisht.
Unë vij këtu pas një vizite në Belortajë. Por, kudo që kam shkuar katër vite më parë, ajo që më trishton është se ndonëse ju keni derdhur lumenj djerse dhe jeni absolutisht nga fermerët më të mirë të Europës, në çdo fshat, në çdo komunë, nuk gjeja asnjë kilometër rrugë të shtruar, ujësjellës shumë të paktë dhe një infrastrukturë jetësore të papranueshme.
Ndërsa në katër vitet që shkuan, ne diku kemi investuar 10 herë më shumë, diku tjetër 7 herë më shumë, por ka edhe vende të tjera ku kemi investuar 15 herë më shumë. Dua t’ju them se unë kisha premtuar në 4 vjet ndërtimin e 4 mijë km rrugë, por sot vij këtu me krenari të madhe sepse kemi asfaltuar 6 mijë kilometra rrugë. Tani e tutje nuk do t’ju premtoj se do të asfaltoj këtë apo atë rrugë, por do të asfaltoj çdo rrugë tuajën. Qëllimin ynë është që ju, kudo që jeni, duhet të ndiheni si qytetarë të një lagjeje qyteti, kudo që jeni ju duhet të keni ujë të pijshëm 24 orë, rrugë të asfaltuara, shkolla moderne dhe me internet, duhet të keni kopshte të bukura, duhet të keni shërbimet më të mira.
Por sërish këto juve nuk ju mjaftojnë, ndaj ju garantoj se ne do të mbështesim fuqishëm prodhimet tuaja dhe se do të dyfishojmë grantin për projektet tuaja. Ju bëni projektet, ne sigurojmë financimin. Sikundër, ju garantoj se pensionet tuaja, të cilat ne i dyfishuam dhe për këtë dua t’ju them se nuk ekziston asnjë vend tjetër në Europë apo botë që në katër vite të dyfishojë pensionet, do t’i barazojmë ato me pensionet e qytetit. Kjo është kontrata jonë me ju, kjo kontratë parashikon edhe subvencionin e importeve. Dua të kërkoj mirëkuptimin tuaj; ju duhet të ngriheni të parët kundër çdo praktike korruptive, sepse shtëpia nuk bëhet e pasur kur ke para, por bëhet e pasur nga mënyra se si i përdor paratë që ke. Kjo vlen edhe për shtetin. Për këtë ju garantoj. Prandaj le të ulemi bashkërisht, të përcaktojmë mënyrën se si t’ju ndihmojmë për naftën, duke mos humbur asnjë qindarkë. Në themel të të gjitha këtyre arritjeve qëndron përpjekja jonë e vendosur për të luftuar korrupsionin. Në qoftë se të se ne nuk do të bënim këtë, nuk do të kishim mundur të asfaltonim jo 6 mijë, por as 600 km rrugë. Nëse nuk do të mund të shembnim murin e korrupsionit, nuk do të mund t’i dyfishonim pagat, të dyfishonim pensionet. Unë zotohem këtu se sërish do të ngushtojmë hapësirat për abuzime, sepse në rast se nuk ia “shtrëngon rripin” të parës qeverisë, nuk ka menaxhim në vend. Por për këtë, do të më ndihmoni edhe ju, në mënyrë që ne të kemi të gjitha paratë që na duhen për të sjellë ujin në çdo familje, për të asfaltuar çdo pëllëmbë rrugë, për të rindërtuar çdo shkollë të vendit, për të krijuar shërbimet më të mira, për të ndërtuar kopshtet më të mira dhe për të vendosur ato standarde që na mungojnë dhe që janë standarde europiane, me të cilat sot jemi më afër se kurrë.
Edhe njëherë ju uroj fitore. 28 qershori është dita e lavdisë sonë elektorale të 22 marsit të vitit ’92.
Rroftë fitorja!”
29/05/2009