E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Në mandatin e ardhshëm do të bëjmë që fermerët e Cërravës, Korçës dhe mbarë Shqipërisë të ndihen fermerë evropianë

Kryeministri Berisha vizitoi sot disa komuna të rrethit të Korçës, ku fillimisht u ndal në Cërravë për të inauguruar  rrugën e fshatit Bllacë me gjatësi  3,5 kilometra dhe vlerë 26 milion lekë. Kjo rrugë është një premtim i mbajtur i qeverisë për komunitetin e kësaj zone.

Në komunën Cërravë gjatë katër viteve janë investuar 260 milion lekë, kundrejt 49 milion lekëve të investuara gjatë viteve të qeverisjes socialiste ose rreth 5.3 herë më shumë.

Duke përshëndetur banorët, kryeministri u shpreh se ndodhej pranë tyre për tu zotuar se në mandatin e ardhshëm  do të bëheshin realitet të gjitha premtimet  për ujë të pijshëm në çdo familje shqiptare, për barazimin e pensioneve të fshatit me ato të qytetit, për pesëfishimin e grantit për prodhimet e fermerëve, si dhe për asfaltimin e çdo pëllëmbe rrugë në të gjithë Shqipërinë.  Kryeministri  siguroi se ndonëse nuk janë premtime të thjeshta dhe të lehta, ato janë  plotësisht të realizueshme.

Në fjalën e tij kryeministri u shpreh: “Së pari dëshiroj tu përshëndes vëllazërisht. Sot jam këtu tek ju, për të çelur fushatën elektorale dhe për të paraqitur para jush, kandidatin për deputet, zotin Edmond  Spaho.  Nuk jam këtu, për tu zotuar se do të asfaltoj këtë rrugë apo atë rruge, do të ndërtoj apo  investoj këtë shkollë, apo atë shkollë, por do të asfaltoj çdo rrugë të këtij fshati, të kësaj komune. Vij  këtu për tu zotuar para jush se do të ndërtojmë dhe rindërtojmë  çdo shkollë këtij fshati të kësaj komune, të këtij qarku. Jam këtu për tu zotuar se do të vendosim nën ujë çdo tokë të këtij fshati, të këtij qarku dhe mbarë Shqipërisë. Nuk jam këtu, për tu zotuar se do të ndërtoj këtë apo atë ujësjellës, por se do të dërgojmë ujë të pijshëm në çdo familje të këtij fshati, të këtij qarku dhe të mbarë Shqipërisë. Jam këtu  tek ju, për tu premtuar juve, jo dyfishimin e pensioneve , por barazimin e tyre me pensionet ne qytet. Jam këtu për tu premtuar juve jo dyfishimin e grantit të prodhimeve tuaja, por së paku pesëfishimin  tij,  në katër vitet  që vijnë. Premtimet tona nuk janë premtime të lehta dhe të thjeshta , por me fjalën e nderit janë njëqind  për qind  të realizueshme. 

Ne që asfaltuam në katër vite rreth 6000 km rrugë,  në rast se kanë mbetur,  në 4 vite do të asfaltojmë dhe 12 mijë të tjera po të kishte. Ne ndërtuam  në katër vite 1012 shkolla dhe do të ndërtojme dhe rindërtojmë çdo shkollë, në çdo cep të këtij vendi. Ne që dyfishuam pensionet tuaja do ti barazojmë ato me pensionet e  qytetit.  Në 4 vite ne u anëtarësuam në NATO. Këto katër vite ne do të bëjmë që ju fermerët e Cërravës, Korçës dhe mbarë Shqipërisë të ndiheni fermerë evropianë,që ju të shumëfishoni produktet tuaja, ti shisni ato, të jetoni më mirë në familjet tuaja, ndaj dhe ju ftoj që të gjithë të merrni pjesë në votime. Ju ftoj të tërhiqni me shpejtësi letërnjoftimet e reja. Ju ftoj që më 28 qershor të rikthejmë në vatrat tona lavdinë elektorale të 22 marsit të vitit 1992. Ajo lavdi, ajo fitore ishte për Cërravën, Korçën dhe Shqipërinë në Evropë. Kurrë më afër nuk kemi qenë me Evropën. Shqipëria evropiane është projekti ynë.”


29/05/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›