E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Në katër vitet që vijnë ne do të punësojmë mbi 160 mijë qytetarë

Kryeministri Berisha zhvilloi pasditen e sotme një takim me qytetarë të Korçës. Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:   

“Zonja dhe zotërinj,

Jam sot këtu për të çelur fushatën elektorale, fushatën e kontratës sonë të re me secilin korçar dhe me secili shqiptar, kontratën për Korçën evropiane dhe për Shqipërinë evropiane. Katër vite më parë jemi mbledhur ne këto sheshe. Katër vjet më parë para nesh ngriheshin muret e tmerrshme të krimit dhe të korrupsionit. Katër vjet më parë ne ishim vendi më i stërkequr, ne ishim vendi që s’ia thoshte kush një fjalë të mirë. Katër vjet më parë ne kishim vetëm moralin tonë dhe vullnetin e hekurt për të ndryshuar Korçën dhe Shqipërinë.  Kur firmosëm kontratën në vitin 2005, ne ishim aq larg ëndrrave tona dhe ato na dukeshin thjesht një vegim. Por, sot ne jemi në NATO. Sot kemi aplikuar për në Bashkimin Evropian. Sot jemi në prag të lëvizjes së lirë në mbarë Evropën. Sot Korça dhe Shqipëria kanë një infrastrukturë të re. Sot qytetarët e Korçës, pensionistët e Korçës, punonjësit e saj dhe të mbarë Shqipërisë paguhen 30 për qind më shumë se sa dy vende anëtare të Bashkimit Evropian. Por, sot unë dua të jem i hapur me ju se edhe kontrata e re është një kontratë e vështirë, edhe kjo kërkon mund dhe djersë. Për çfarë është kjo kontratë? Kjo kontratë është që ne të gëzojmë ato standarde, ato praktika, ato favore që kanë edhe qytetarët evropianë. 

Këtë stad të ri ne nuk e nisim në vitin 2005, por nisim pasi kemi bërë emër në mbarë botën. Kemi dalë në vendin e dytë në botë për klimën e biznesit, kemi në dalë në krye të rritjes ekonomike në Evropë për vitin 2008-2009. Këtë stad ne e nisim jashtë çdo parashikimi; pasi u anëtarësuam në NATO-s, pasi aplikuam me konsensus të plotë për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, pasi kemi dyfishuar numrin e studentëve dhe pasi kemi shtrirë internetin në çdo shkollë. Pra, sot kemi një Shqipëri tjetër.

Vëllezër dhe motra,

Në vitin 2002 isha në Parlamentin Evropian dhe një deputet, absolutisht mik i Shqipërisë, u ngrit dhe tha – “ç’na duhen ne këta? Këta nuk kanë as drita dhe as ujë. Ç’punë kanë këta me ne?”.

Vëllezër dhe motra,

Të jesh qytetar evropian, të kesh Korçën evropiane dhe Shqipërinë evropiane, para së gjithash, do të thotë të vësh të parin qytetarin me problematiken dhe me standardet e jetës së tij. Për një Korçë evropiane dhe për Shqipëri evropiane do të thotë që ju të udhëtoni në rrugët më të mira. Sot, në Belortajë, në Cërave, në Kamenicë dhe kudo i kam garantuar fermerët e Korçës se nuk do të vij më tek ju për të premtuar asfaltimin e kësaj apo asaj rruge, por për t’u zotuar që do të asfaltoj rrugë të Korçës dhe të mbarë Shqipërisë. Nuk ka Shqipëri evropiane pa rrugë tërësisht të asfaltuara.

Unë jam sot këtu për t’ju dhënë fjalën juve se brenda muajit qershor fillojnë punimet për ndërtimin e rrugës Qafë Plloçë - Qukës, por i kam porositur inxhinierët dhe po studiohet që krahas kësaj rrugë, në rast se do të gjejnë aksin më të shkurtër për në Tiranë, ne absolutisht që do ta ndërtojmë. Koha juaj, koha e gjithë secilit prej nesh është floriri më i çmuar i Shqipërisë, i yni dhe i gjithë familjeve tina. Nuk mund të bëhet fjalë për qytetarë evropianë në rast se qytetarët shqiptarë nuk kanë ujë në çdo shtëpi. Në katër vitet që vijnë do të ketë ujë brenda në shtëpinë e çdo familjeje shqiptare. Ky është zotimi ynë. Ne do t’i kapim standardet evropiane. Nuk bëhet fjalë për qytetarë evropianë ne rast se rrogat nuk i afrohen atyre të Bashkimit Evropianë. Ne kemi parakaluar dy vende, por ne në vitet që vijën ne do të parakalojmë edhe katër vende të tjera.

Vëllezër dhe motra,

Korça evropiane, Shqipëria evropiane është para së gjithash jetesa evropiane. Ndaj dhe unë ju garantoj juve se rritja e mirëqenies tuaj dhe punësimi juaj, është qëllimi i të gjitha qëllimeve të programeve tona. Në katër vite ne punësuam 80 mijë qytetarë, por në katër vitet që vijnë ne do të punësojmë mbi 160 mijë qytetarë. Por ku do t’i punësojmë ne këta? Vetëm në hidrocentrale, gjatë tre muajve,ne kemi përfunduar kontratat për 104 prej tyre, ndër të cilët edhe gjigandi i Evropës, kaskada e Devollit me 68 kilometra tunel.

Vëllezër dhe motra,

Punësimi është qëllimi ynë më madhor për të luftuar varfërinë, por ndërkohë me rritjen e pagave, pensioneve, me dyfishimin e ndihmës ekonomike ne ia kemi dalë të nxjerrim nga varfëria 400 mijë shqiptarë. Para jush zotohem se në mandatin tonë të dytë nuk do të ketë shqiptarë që të marrë nën 2 dollarë në ditë, kudo që ai ndodhet në Shqipëri.

Qytetare dhe qytetarë të Korçës,

Reformat tona janë bërë të njohura në mbarë botën. Shqipëria në vitin 2008 kryesoi rritjen ekonomike në Evropë dhe sërish Shqipëria e kryeson rritjen ekonomike. Kjo është shndërruar në levën e Arkimedit për një zhvillim të shpejtë të vendit, zhvillim të cilin ne nuk e imagjinojmë dot. Vetëm gjashtë muajt e fundit ne kemi firmosur kontratat prej 5 miliardë euro. Unë ju garantoj se në katër vitet që vijnë këto kontrata do të bëhen 15 miliardë euro.

Qytetare dhe qytetarë të Korçës,

Ne po shkojmë drejt zgjedhjeve dhe realizimet tona janë të mëdha dhe të prekshme. Katër vite më parë ato kanë qenë vetëm shpresë, ndërsa sot janë realitet. Sërish ne nuk e kërkojmë votën tuaj për ato që kemi bërë, por secilit prej jush i kërkojmë votën për ato që do të bëjmë për Korçën evropiane dhe për Shqipërinë evropiane. Para se ta mbyll, do t’i bëjë një apel Edvin Ramës: Zoti Edvin, ti po tregon se je një shpirtzi i pashembullt në historinë e këtij vendi. Je një shpirtzi që nuk ke shok askund. Ti nuk kandidove, sepse do t’ia prishësh shqiptarëve dasmën e demokracisë, por unë të jap fjalën ty se do të përfundosh në arkivat e turpit të historisë dhe ne do ta ndërtojmë Korçën evropiane dhe Shqipërinë evropiane.

Zoti Edvin, në rast se të ka mbetur dhe qoftë edhe një miligram i përgjegjësisë qytetarë, ndaj të gjithë qytetarëve, ndaj shqiptarëve, shko dhe regjistro veten ne krye të listës. Shko regjistrohu dhe unë jam gati që nesër që të mbledh Parlamentin dhe të ndryshoj ligjin, por mos mendo se do t’ua kthesh fëmijë dhe qytetarëve të Korçës të shkuarën si të ardhme. Asgjë se ndal shikimin e tyre drejt së ardhmes. Ne do t’i japim vendin zgjedhjet më të bukura dhe më dinjitoze në historinë e tij.

Së fundi kam nder të veçantë të paraqes këtu kandidatët për deputetët e qarkut të Korçës; z.Ridvan Bode, z.Gjergji Papa, znj.Ledina Aliolli, z.Edmond Spaho, z.Fatbardh Kadilli, z.Ismail Hoxha, znj.Elfrida Zefi, z.Jonela Spaho, z.Eduart Ypi, z.Alfred Gega, z.Nikolla Dudo dhe Zinet Shaholli.

Qytetare dhe qytetarë të Korçës,

Katër vite më parë, në të gjitha takimet me ju jam angazhuar se do të luftoj me efikasitet korrupsionin, në një kohë kur ai ishte shndërruar në një nga sistemet më të rrezikshme në Evropë dhe në botë.  Por, frymëzimi ishte morali juaj. Unë kisha besim në moralin tuaj dhe në pastërtinë tuaj morale. Në katër vite, pavarësisht se sërish ekziston, ne kemi arritur që Shqipëria nga 24 vendet më të korruptuara të lër mbrapa 98 vende. Në katër vite ne ia dolëm të nxjerrim nga kthetrat e korrupsionit në dogana, taksa dhe tatime, në shpenzimet e zyrtarëve dhe në prokurime 4.2 miliardë dollarë. Në katër vite, Transparency International shpalli qeverinë tonë kampione për luftën kundër korrupsionit.

Por, unë prapë frymëzohem nga morali juaj. Unë jam këtu për t’ju dhënë juve fjalën e nderit se lufta ndaj me zero tolerancë ndaj korrupsionit do të mbetet objektivi i parë ndaj qeverisë time. Sërish këtë betejë do ta nisim nga zyrat e pushtetarëve. Rripi i qeverisë dhe administratës do të shtrëngohet edhe katër shkallë të tjera. Unë do t’ju jap këtë mandat atë administrate që meritoni. Shoferët dhe veturat nuk do të rëndojnë më në supet tuaja. Duhet të dini se ato vërtetë mund të jenë shpenzime 40-50 milionë euro,por ju garantoj se nga aty fillon beteja dhe se nga aty ne arrijmë në miliarda euro për rroga, për rrugë, për shkolla, për kanalizime, ujësjellës, për Korçën evropiane dhe Shqipërinë evropiane.

Rrofshi ju, Korça, rroftë Shqipëria!”


29/05/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›