E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Në mandatin e dytë do të investojmë 10 herë më shumë për Kolonjën, në rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla

Kryeministri Berisha u takua sot me qytetarë të Kolonjës. Në përshëndetjen e tij, kryeministri u shpreh:

"Qytetarë dhe qytetare të Kolonjës!

Së pari, shpreh përshëndetjet më vëllazërore nga Tirana dhe mbarë Shqipëria, shpreh kënaqësinë që takohem me ju sot si qytetarët të një vendi anëtar të NATO-s, aleancës më të fuqishme që kohërat kanë njohur. Takohemi sot në këtë shesh pasi me mundin, djersën, përkushtimin tonë ia keni dalë të lartësojmë emrin e Shqipërisë, ta nxjerrim atë , në krye të rritjes ekonomike ne Evropë, ia kemi dalë në 4 vite te dyfishojmë pensionet, për të gjithë fermerët e Kolonjës dhe te mbare Shqipërisë, të rrisim pensionet në qytet 50 deri në 70 % , ia kemi dalë të dyfishojmë pagat  e mësuesve të fëmijëve  tanë, infermierëve , mjekëve , por mbi te gjitha ia kemi dale te investojmë anekënd vendit, të ndërtojmë në Kolonje dhe në mbarë Shqipërinë 5900 km rrugë, të ndërtojmë dhe rindërtojmë 1012 shkolla, të ndërtojmë dhe rindërtojmë mbi 720 ujësjellës, ia kemi dalë të faktojmë shqiptarëve aty ku jetojmë se qëllimi ynë është Shqipëria evropiane, Kolonja evropiane. Këto 4 vite në rrethin tuaj janë investuar 3,1 miliard leke, ndërkohë që në tete vite,socialistët investuan 820 milion lekë, pra kemi investuar  rreth 4 herë më shumë.

Unë jam sot këtu për tu zotuar para jush, se 4 vitet që vijnë do të investojmë 10 herë më shumë në rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkollat tuaja. Sapo ka përfunduar projekti për rindërtimin e  rrugës Kolonjë –Leskovik, ju garantoj se tërë rruga do të rindërtohet. Së shpejti, do të fillojnë punimet për unazën e qytetit tuaj. Të gjitha komunat e Kolonjës kudo që ndodhen, do të lidhen me qytetin me rrugë të asfaltuara. Të gjitha fshatrat e këtij rrethi do të lidhen me qendrën e komunës me rrugë të asfaltuara. Të gjitha shtëpitë e këtij rrethi dhe të mbarë Shqipërisë, do tu garantohet uji 24 orë, gjatë mandatit të ardhshëm.

Qytetarë të Kolonjës,

Mandatin tonë të dytë ne duam të përgatisim Shqipërinë dhe Kolonjën për anëtarësim të plotë në BE. Projekti ynë është ambicioz , por është real. Ne që bëmë realitet ëndrrën atlantiste të shqiptareve, ne do të bëjmë realitet ëndrrën evropiane të shqiptarëve. Ne që dyfishuam pagat e ulëta dhe pensionet, garantojmë se në 4 vitet që vijnë, ato do të rriten deri sa ne të parakalojmë rrogat dhe pensionet e 6 vendeve anëtare të BE.

Qytetarë dhe qytetare të Kolonjës,

Partia Demokratike në këto 4 vite ka subvencionuar fermerët e këtij rrethi 16 herë më shumë se sa Partia Socialiste. Ju garantoj  se  këto subvencione do të shumëfishohen dhe se ne do të subvencionojmë imputet që ju përdorni për prodhimin bujqësor, si dhe akcizën e naftës për sipërfaqen e mbjellë. Do të financojmë çdo projekt tuajin për rritjen e prodhimit, përpunimin dhe tregtimin e tij.

Dua tu bëj një thirrje vëllazërore socialistëve të Kolonjës dhe qytetarëve të këtij rrethi, bashkohuni me ne, në këtë projekt të madh, sepse ky është një projekt i përbashkët, se ëndrra evropiane është ëndrra me e bukur e çdo shqiptari, sepse çdo shqiptar e do integrimin në Evropë.

Ne ju respektojmë ju, dhe duam që bashkërisht të ndajmë këtë projekt të madh ,më të mirin  për ju dhe fëmijët tuaj. Ju bëj thirrje gjithashtu të bashkohemi edhe për faktin se kryetari juaj nuk ju do dhe nuk respekton juve. Në historinë e pluralizmit evropian dhe botëror nuk ka ndodhur kurrë që  një kryetar partie tu thotë mbështetësve të tij  shkoni përpara ju, se pas vij unë. Nderi dhe detyra e kërkon të dalë vetë në ballë, të ndajë fatin me ta. Ndaj dhe ne ju duam ju, le të bashkohemi në këtë ëndërr së bashku. Vota juaj për Partinë Demokratike është votë për projektin evropian, është votë për pagat është votë për pensionet tuaja, është votë për shkollat e fëmijëve tuaj, është votë për kolonjën evropian, për Shqipërinë evropiane. Votoni 10-tën. Më 28 qershor, votoni 10-tën, sepse 10-ta jeni ju, janë fëmijët tuaj, është familja juaj e mrekullueshme, 10 është Kolonja, është Partia demokratike, është Shqipëria blu, është Evropa blu."


19/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›