V E N D I M PËR HAPJEN E FILIALIT TË UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI”, KORÇË, NË QYTETIN E POGRADECIT
V E N D I M
PËR
HAPJEN E FILIALIT TË UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI”, KORÇË, NË QYTETIN E POGRADECIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, 11, 25, 26 e 41, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Hapjen, në qytetin e Pogradecit, të filialit të Fakultetit të Ekonomisë, në programin e studimit të ciklit të parë, për “Turizëm”.
2. Ky program studimi realizohet me 180 kredite, ECTS, dhe kohëzgjatja normale e tij është tri vite akademike.
3. Në përfundim të programit të studimit të ciklit të parë, “Turizëm”, përftohet “Diplomë e nivelit të parë”, DNP, në “Turizëm”.
4. Ky filial do të fillojë veprimtarinë në vitin akademik 2009-2010.
5. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i universitetin “Fan S. Noli”, Korçë.
6. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe universiteti “Fan S. Noli”, Korçë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
18/06/2009