E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikun Abdullah Bin Zayed Al Nahyan

Kryeministri Berisha priti në një takim Ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikun Abdullah Bin Zayed Al Nahyan.

Pasi i uroi mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i shprehu Sheikut Abdullah Bin Zayed Al Nahyan mirënjohjen për miqësinë midis dy shteteve, si dhe për njohjen  e Kosovës.

Kryeministri Berisha u shpreh se kjo vizitë ishte shumë e rëndësishme për marrëdhëniet bilaterale. Kryeministri e njohu Ministrin e Jashtëm  të Emirateve të Bashkuara Arabe me reformat  e suksesshme dhe zhvillimet  në Shqipëri,  si ndërtimi i portit më të madh në Mesdhe, zhvillimi i infrastrukturës,lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, etj. Kryeministri Berisha ftoi investitorët arabë të investojnë në Shqipëri, duke siguruar se qeveria e tij do të bëjë të gjitha përpjekjet  për të lehtësuar këto investime. Kryeministri theksoi se Shqipëria është një vend i vogël i cili ka potenciale të mëdha për investime në industrinë minerare, energjinë hidrike, turizëm, agro biznes, etj.

Në këtë kuadër, të dy personalitetet ranë dakord të intensifikojnë takimet, si dhe për krijimin e një komisioni të përbashkët për arritjen e një marrëveshjeje mbi taksimin e dyfishtë, nisjen e marrëveshjeve ekonomike dhe tregtare, etj.

Sheiku Abdullah Bin Zayed Al Nahyan shprehu kënaqësinë për vizitën e tij në Shqipëri, duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve. Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe shprehu gjithashtu gatishmërinë e vendit të tij për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Sheiku Abdullah Bin Zayed Al Nahyan vlerësoi se Shqipëria përbën një mundësi ideale investimi për investitorët e Emirateve të Bashkuara Arabe, për vet pozicionin e saj të favorshëm gjeografik, si dhe për klimën e mirë të biznesit që kanë krijuar reformat e qeverisë së kryesuar nga Kryeministri Berisha.


19/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›