E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Në 4 vitet që vijnë zona e Leskovikut do të ketë një nga infrastrukturat rrugore më të mira në Shqipëri dhe rajon

Pas takimit me banorë të Kolonjës, Kryeministri Berisha vijoi takimet në Leskovik, ku fillimisht inauguroi rrugën  Leskovik-Tre urat, investim me vlerë 800 milion lekë.

Në fjalën e tij, kryeministri u shpreh:

“Së pari ju përshëndes vëllazërisht, përulem me mirënjohje te madhe para mbështetjes suaj. Ju garantoj se do të bëj çdo përpjekje për të ndërtuar së bashku me ju Leskovikun evropian, Shqipërinë evropiane.

Jemi mbledhur dhe herë të tjera në këtë shesh, por kësaj rradhe jemi ndryshe jemi qytetarë  të një vendi anëtar të NATO-s, jemi qytetarë të një vendi që ka aplikuar  për të qenë anëtar  i Bashkimit Evropian , jemi qytetarë  të  një vendi që brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë do të lë vizim të lirë në mbarë Evropën. Leskoviku është vërtet një nga qendrat më të largëta nga kryeqyteti , por është një qender me potenciale të mëdha zhvillimore. Sapo inauguruam fillimin e punimeve të rrugës së Tre urave. Në këto 4 vite ne kemi investuar në Leskovik 749 milion lekë, kundrejt 240 milion lekëve të investuara në tetë vite te qeverisjes socialiste. Unë jam sot këtu për tu zotuar se këto investime në 4 vite që vijnë do të jenë së paku 10 here më te mëdha. Së pari, në infrastrukturën rrugore, kam ardhur sot tu garantoj se aksi rrugor, Kolonjë-Leskovik do të rindërtohet i tëri, me parametra evropiane, se aksi rrugor Leskovik- Përmet, do të rindërtohet i pari, në parametra evropianë. Sapo inauguruam këtu rrugën e Leskovik- Tre urat, të standardeve më të mira evropiane me vlere 800 milion lekë.

Në 4 vitet që vijnë, ju do të keni një nga infrastrukturat rrugore më të mira në Shqipëri dhe në rajon. Së dyti, zotimi ynë para fermerëve të Leskovikut në respekt të traditës së tyre të shkëlqyer është të subvencionojmë çdo rrënjë vreshti apo hardhie që ju do të mbillni, në traditën tuaj më të madhe, të verërave më të mirat, në Shqipëri dhe në Ballkan. Për ju nuk ka kuota, nuk ka kufizim, mbillni sa të doni, ne do tu subvencionojmë.

Së treti, do të financojmë përpunimin e rrushit, ndaj ju bëni projekte qoftë për fabrika vere, apo destinacione të tjera, qeveria do tu financojë ju, në mënyrë që prodhimet tuaja të njihen kudo, si prodhime të shkëlqyera që janë. Leskoviku ka ujë 24 orë, të gjithë fshatrat e  Leskovikut do të kenë ujë 24 orë. Ju jeni vetë dëshmitarë, që ne i rritëm pensionet e fermerëve, i dyfishuam ato, tani kemi 2 objektiva për këtë qëllim, barazimin  e tyre me pensionet e qytetit, dhe rritjen e tyre në nivele më të larta se pensionet e fermerëve të 6 vendeve anëtare të BE-së. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Leskovikut, që të bashkohen me ne, në projektin e Leskovikut evropian,të Shqipërisë evropiane. Ju bëj thirrje miqësore të gjithë socialistëve të Leskovikut, bashkohuni me ne në këtë projekt, që ka të bëjë me pensionet tuaja, me pagat tuaja, me shkollimin fëmijëve tuaj, është një projekt që ka të bëjë me dinjitetit tuaj, me dinjitetin e Leskovikut dhe të gjithë Shqipërisë, është një projekt që duam ta ndajmë me të gjithë qytetarët e Leskovikut, me  çdo shqiptar. Me projektet e mëdha, njerëzit e mençur vetëm bashkohen. Ndaj, ju ftoj të gjithëve, që në datën 28 qershor të shkojmë në votime. Le të votojmë duke kënduar, të votojmë me qytetarinë më të madhe, le të trokasim ne, me votën e lirë, me letërnjoftimet e reja, në dyert e Evropës, si një komb i përgatitur për Shqipërinë evropiane,  për Leskovikun evropian.

Edhe njëherë përshëndetje te përzemërta. 28 qershori  është festë e mbarë shqiptarëve, është 22 marsi i ri, i ëndrrës sonë evropiane, është  fitorja e çdo shqiptari, është fitorja e Leskovikut, është  fitorja e mbarë Shqipërisë. Evropa blu pret me padurim Leskovikun blu, Shqipërinë blu, më 28 qershor.

Votoni 10-tën, 10-ta jeni ju, 10 janë fëmijët tuaj, 10 meriton Leskoviku, 10 meriton Shqipëria, 10 pret Evropa nga ne.”


19/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›