Mbledhje e Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 16 shkurt 2009, shqyrtoi projektligjin Për miratimin e kontratës së koncensionit, të formës BOT (ndërtim, operim dhe transferim), për kultivimin e ullirit, në një sipërfaqe deri 1000 ha, në komunat Synej, Luz i Vogël, Kryevidh dhe Gosë, Kavajë, ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, si autoritet kontraktues, dhe AGROTAL - 1, sha, Tiranë.
Ishin të pranishëm në mbledhje: Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana dhe specialistë të kësaj Ministrie.
Në fillim e mori fjalën Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana, i cili bëri një ekspoze të punës së bërë për arritjen e kësaj kontrate. Ai tha se kjo kontratë koncesioni vjen në vijim të punës për plotësimin e një ndër objektivave strategjikë të ministrisë për zhvillimin sasior dhe cilësor të ullinjve në vend.
Më tej, u vijua me pyetjet e deputetëve për përfaqësuesit e ministrisë. Pas dëgjimit të përgjigjeve të pyetjeve, u kalua në diskutime. U vunë re dy qendrime. Opozita u shpreh kundër në parim për miratimin e kësaj kontrate koncesioni, ndërsa deputetët e pozitës u shprehën pro miratimit të saj.
Në përfundim Komisioni me shumicë votash u shpreh dakord për kalimin për miratim të projektligjit në fjalë për miratim në seancë plenare.
(Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e komisionit në numrin: + 355 4 22 78 293).