Kryeministri Berisha: Do të financojmë çdo projekt të bashkisë së Mamurrasit për të rritur në nivele më të larta jetesën e qytetarëve të tij
Kryeministri Berisha u takua sot paradite me qytetarë të Mamurrasit. Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
“Qytetarë të Mamurrasit,
Vëllezër dhe motra,
Përshëndetje vëllazërore, pa ju nuk ka fushatë, me ju ka vetëm fitore, ndaj erdha këtu tu përshëndes vëllazërisht dhe tu shpreh mirënjohjen për të gjithë mbështetjen e madhe që na keni dhënë. Dua të shpreh kënaqësinë e madhe që takohemi sot këtu qytetarë të një vendi anëtar të NATOS. Takohemi sot në këtë shesh si qytetarë të një vendi që brenda viti të parë të mandatit tonë të dytë do të lëvizë i lirë në mbarë Evropën, pa viza. Takohemi si qytetarë që kemi aplikuar për vend anëtar në BE. Takohemi sot pasi në 4 vite ia dolëm të dyfishojmë pensionet e Mamurrasit dhe të mbarë Shqipërisë. Ia dolëm në 4 vite të ndërtojmë në Shqipëri mbi 5900 km rrugë, ndër të cilat rrugën e të gjitha rrugëve, korridorin kombit.
Qytetarë të Mamurrasit,
Sot vij tek ju për të kërkuar besimin tuaj, votën tuaj. 4 vitet që vijnë do të ndërtojmë së bashku Mamurrasin evropian, Shqipërinë evropiane, kërkoj votën tuaj, për të dhënë pamjen tërësore evropiane vendit. Jam këtu për tu zotuar se do të financojmë çdo projekt të kësaj bashkie për të ndryshuar për mirë jetën tuaj. Brenda pak kohësh fillon rindërtimi i rrugës Fushë-Krujë-Mamurras- Milot. Projekti i saj përfundoi. Në buxhetin e shtetit janë vendosur 2 miliard lekë për rindërtimin e plotë të saj, sikundër do të asfaltojmë rrugët e të gjitha fshatrave të kësaj bashkie, do i lidhim ato me qendrat e komunës.
Qytetarë të Mamurrasit,
Erdha këtu për tu zotuar para jush, se në Mamurrasin evropian, në Shqipërinë evropiane, çdo qytetar do të ketë ujë të pijshëm 24 orë. Projekti ynë synon dhe garanton që 4 vitet e ardhshme, ju të keni rroga dhe pensione më të mëdha se qytetarët e 6 vendeve anëtare të BE-së. Fermerëve të Mamurrasit ju premtoj se qeveria ime do të financojë çdo projekt të tyre nëpër rritjen e prodhimit në frutikulturë, në bimë arash, etj do të subvencionojmë të gjitha imputet dhe akcizën e naftës për çdo sipërfaqe të mbjellë. Do të krijojmë hapësira të mëdha për tregun, do të nxisim agrobiznesin. Rritja e madhe e prodhimit bujqësor është një nga qëllimet tona më madhore të projektit tonë. Punësimi është kryefjala e programit tonë të ardhshëm. Në 4 vjet ne do të garantojmë punësimin e 160 mijë qytetarëve shqiptarë. Ne kemi të gatshme për investime mbi 6 miliard euro, në 104 HEC, në 4 parqe energjetike, në 6 parqe industriale, në mijëra e mijëra kilometra rrugë, në porte, aeroporte, shkolla, kanalizime që do të ndërtohen në 4 vitet që vijnë.
Qytetarë të Mamurrasit !
28 qershori po afron, thirrja ime vëllazërore për ju është që të gjitha ata që nuk kanë marrë letërnjoftimet dhe nuk kanë pasaporta , sot dhe nesër, të marrin letërnjoftimet dhe pasaportat. Thirrja ime për ju është që në 28 qershor të dalim të gjithë në votime,të votojmë në mënyrën më të qytetëruar. Në 28 qershor do të jenë 500 vëzhgues nga mbarë bota. Ju bëj thirrje të votojmë me maturi të plotë, ju bëj thirrje ju demokratëve të Mamurrasit por edhe të mbarë Shqipërisë të mos lejoni asnjë votim familjar sepse kjo dëmton votimet, të votojmë si qytetarë evropianë , Evropa duhet të bindet se ne votojmë të lirë, votojmë sipas rregullave , votojmë sipas standardeve. Në qendrat e votimit ju të shkoni si familje , por secili të votojë veçmas, në mënyrë që të realizojmë zgjedhjet më të bukura në historinë e këtij vendi. Se fundi socialisteve të Mamurrasit ju bëj thirrje të bashkoheni me ne, me ne ju bashkon ëndrra juaj evropiane, me ne ju bashkon ëndrra atlanciste që shndërruam në realitet, me ne ju bashkon dyfishimi i rrogave dhe pensioneve,me ne ju bashkon Shqipëria me infrastrukturë moderne ndaj dhe ju ftoj që të votojmë të gjithë së bashku. E vërteta me Edi Ramën është se ai nuk pranon të vendoset në krye të listës, ai nuk ka asgjë të përbashkët me ju, ai ju ka zëvendësuar ju me 99-shat e tij , ju ka zëvendësuar me ata, me të cilët ndal lejet e ndërtimit.
Më 28 qershor të gjithë votoni 10-tën, 10-ta jeni ju, se në fakt ju nuk mund të jeni kurrë më pak se 10-ta 10- ta është Mamurrasi evropian, 10-ta është Shqipëria evropiane, 10-ta është Paulina Hoti, 10-ta është Paria Demokratike.
Rroftë Mamurrasi, rroftë Shqipëria!”
17/06/2009