Kryeministri Berisha: Rrethi i Matit me perspektivë premtuese në axhendën energjetike të vendit

Kryeministri Berisha u takua sot me banorë të rrethit të Matit. Ne fjalen e tij, kryeministri tha:
"Të dashur qytetarë dhe qytetare të Matit,
Përshëndetjet më vëllazërore, shpreh mirënjohjen më të thelle ndaj jush, për mbështetjen e madhe, kënaqësinë që takohemi si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, si qytetarë të një vendi që pret i sigurtë liberalizmin e plotë të vizave, në vitin e parë, të mandatit tonë të dytë. Takohemi sot, në këtë shesh pasi me mundin, djersën e përkushtimin tonë, ia kemi dalë të ndryshojmë Shqipërinë, ia kemi dalë ta bëjmë atë vend aplikant për anëtare në BE.
Qytetarë të Matit!
Në 4 vite, ne së bashku shndërruan në realitet premtime të mëdha dhe historike, anëtarësuam Shqipërinë në NATO, e nxorëm atë, në krye te rritjes ekonomike ne Evropë, e nxorëm atë, të dytën në botë për klimën e biznesit. Në 4 vite ia dolëm të krijojmë mjedisin më të favorshëm për biznesin, numri i bizneseve nga 40 mijë që ishte, u rrit në 102 mijë. Në 4 vite, ne së bashku dyfishuam rroga e pensione, nxorëm mbi 400 mijë shqiptarë nga varfëria, por në 4 vite ne kemi hedhur bazat e ndryshimeve 4 herë më të mëdha për vitet që vijnë. Në rrethin tuaj, në bashki, në komuna, në fshatra, qeveria që ju votëbesuat ka investuar 18, 3 miliard leke, ka investuar 30 herë më shumë se qeveria socialiste. Në këtë rreth janë ndërtuar rreth 20 rrugë, në bashkinë Klos , në Ulëz, në Komsi,në Bazë, në Derijan,në Macukull, etj, janë ndërtuar 12 ujësjellës dhe kanalizime, janë ndërtuar apo rindërtuar 21 shkolla, nga të cilat gjimnazi “Pjetër Budi” i Burrelit, shkolla 9 vjeçare në Klos, në Lis, në Macukull, Guri i bardhë, etj, janë investuar dhjetëra herë më shumë në ambulanca e qendra shëndetësore, dhjetëra e dhjetëra herë më shumë, në projektet e fermerëve të Matit, por unë jam sot këtu tu bëj thirrje të vazhdojmë ndryshimin për Matin evropian, për Shqipërinë evropiane, premtimet e mija për ju janë fillimi brenda këtyre dy javëve i rrugës së Urakës, Qafë Buallit,në të gjithë gjatësinë. Rrugën do ta ndërtojmë me shpejtësinë më të madhe , ju do të keni një nga rrugët më të bukura, më të mira në Shqipëri. Së dyti, unë ju premtoj se të gjitha fshatrat e Matit do të lidhen me rrugë të asfaltuara, me qendrat e komunave, dhe të gjitha komunat do të lidhen me rrugë të asfaltuara me rrugën kombëtare. Unë ju premtoj pensionistëve të Matit se në 4 vitet e ardhshme pensionet e tyre do të jenë më të larta se në 6 vendet anëtare të BE-së. Rrogat do të jenë më të larta, se të 6 vendeve anëtare të BE-së. Ju premtoj fermerëve të Matit se toka e tyre do të vendoset e tëra nën ujë. Ne do të investojmë për përpunimin e perimeve, për agrobiznesin, do të subvencionojmë për imputet dhe naftën për sipërfaqet e mbjella. Në këtë rreth janë kontraktuar 4 Hec, por disa të tjera janë në punim e sipër. Rrethi juaj ka një perspektivë në agjendën energjetike, ndërkohë korridori Rrëshen –Klos është një tjetër vepër madhore. Në 4 vitet që vijnë Mati i urbanizuar, Mati evropian, matjanët me furnizim 24 orë ujë të pijshëm kudo që ata janë. Këto janë premtimet tona.
Qytetarë të Matit!
Kam një thirrje vëllazërore për ju, këto dy ditë pyesni çdo mik, çdo shok, çdo familjarë, çdo të afërm, nëse e ka marrë apo jo letërnjoftimin e ri. Në se jo le të shkojë ta marrë. Letërnjoftimi është dëshmia më moderne e identitetit tonë të plotë. Ju bëj thirrje që të gjithë matjanëve që në 26 qershor në orën 19.00 të jenë në sheshin “Skënderbe”, në sheshin e fitores, për matin evropian, për Shqipërinë evropiane.
Ju bëj thirrje ju socialistëve të Matit, të gjithë matjanëve të bashkohen me ne, në ëndrrën tonë më të bukur, në projektin tonë evropian. Ne që bëmë realitet ëndrrën atlanciste të shqiptarëve, ne do të bëjmë realitet ëndrrën evropiane të shqiptarëve. Të gjithë matjanët, pavarësisht bindjeve politike, demokratë, socialistë, apo të bindjeve të tjera, kanë një projekt dhe ky është projekti evropian. Socialistë të Matit, ju bëj thirrje që të mos jepni asnjë votë për Edi Ramën, sepse Edi Rama, ky burracak nuk ia mbajti të dalë në shesh, nuk ia mbajti të dalë në krye të listës tuaj dhe u fut nën tavolinën e Kryetarit të Bashkisë. Ai e bëri këtë sepse nuk ka pikën e respektit për ju, e bëri këtë sepse ai nuk ka ka interes tjetër, përveç lejeve të ndërtimit, ai e bëri këtë se ju ka zëvendësuar ju me 99-shat e tij, të cilët i ka sekserë të lejeve të ndërtimit, ndaj bashkohuni me ne në projektin evropian. Vota juaj për Sali Berishën, vota juaj për ndryshimin e Shqipërisë, është votë për pensionet tuaja, për rrogat tuaja, për bizneset tuaja, për shkollat e fëmijëve tuaja, është votë për Matin evropian, është votë për Shqipërinë evropiane, është votë për ju, për fëmijët tuaj, për familjen tuaj, për të ardhmen.
Në 28 qershor të gjithë votoni 10-tën, 10 është vetja juaj, 10 është më e mira, 10 është familja juaj, 10- është mati , 10-ta është Partia Demokratike , 10 është Evropa blu, 10-ta është fitorja."
17/06/2009