E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Nuk do të lemë vend turistik pa e bërë të vizitueshëm dhe të arritshëm për shqiptarët dhe vizitorët e huaj

 - Po ndërtojmë të gjitha rrugët që zbresin drejt detit, nga Bërdica deri në Ksamil, por ne do t’i ndërtojmë edhe të gjitha rrugët që shkojnë drejt maleve, nga Gjirokastra deri në Vermosh

 Në mbyllje të vizitës së tij në Malësinë e Madhe, Kryeministri Berisha mori pjesë në përurimin e rrugës Dedaj – Bogë, me gjatësi 12 km dhe me investim të buxhetit të shtetit, me vlerë 120 milionë lekë. 

Më pas, Kryeministri zhvilloi një takim me banorë të zonës. Duke vlerësuar bukuritë e mëdha natyrore të Bogës, Kryeministri tha se kjo rrugë i jep mundësi asaj që të njihet nga të gjithë dhe të zhvillohet më shpejt.

Kryeministri siguroi se qeveria nuk do të lerë asnjë vend të bukur turistik pa e bërë të vizitueshëm, të arritshëm për të gjithë shqiptarët dhe për të gjithë vizitorët e huaj. “Qeveria i kushton një rëndësi të jashtëzakonshme infrastrukturës turistike. Vërtetë ne po ndërtojmë të gjitha rrugët që zbresin drejt detit, nga Bërdica deri në Ksamil, por ne do t’i ndërtojmë edhe të gjitha rrugët që shkojnë drejt maleve, nga Gjirokastra deri në Vermosh”, u shpreh Kryeministri.  

Më pas, Kryeministri bëri një përmbledhje të investimeve serioze që po realizohen dhe do të realizohen, në vijim, në akse të rëndësishme rrugore të vendit. Po punohet me shpejtësi për projektin e rrugës që do të lidhë Bogën me Thethin. Gjithashtu, nis së shpejti ndërtimi i aksit kombëtar Vermosh - Koplik- Shkodër, një rrugë kjo shumë e rëndësishme që lidh Vermoshin me Konispolin. Janë në tenderim apo në ndërtim e sipër një seri rrugësh të tjera, si rruga për në Malin e Çajupit, po ndërtohet rruga drejt Voskopojës, Dardhës, në Korçë, po ndërtohet rruga drejt Liqenit të Prespës, do ndërtohet një aks kombëtar që përshkron Mokrën mes për mes, po punohet për rrugën që do të lidhë Gjinarin me Elbasanin, Librazhdin, Treblevën, Orenin, me Peshkopinë, me Kalanë e Dodës dhe Korabin, do të lidhet Lura me akset kombëtare, Kuksi me Shishtavecin, etj.

Gjithashtu, Kryeministri siguroi se qeveria do të mbështesë plotësisht dhe do të financojë çdo projekt të komunës së Bogës që përmirëson jetën e banorëve atje, në rrugë që lidhin fshatra të tjera, shkolla, qendra shëndetësore, ujësjellës, kanalizime dhe çdo gjë tjetër për një infrastrukturë të zhvilluar.

Në fjalën e tij gjatë takimit me banorë të Bogës, Kryeministri, ndër të tjera, u shpreh:

“Kam ardhur me kënaqësi të madhe tek ju, për të inauguruar rrugën e re që ju lidh me Koplikun, Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë. Boga është e njohur për bukuritë e saj të mëdha natyrore, për klimën e saj të mrekullueshme, për njerëzit e mrekullueshëm. Rruga që inauguruam do ta bëjë Bogën shumë herë më të njohur, jo vetëm për Shkodrën, por për mbarë Shqipërinë.

Ne sot inauguruam rrugën nga Dedaj në Bogë dhe do të punojmë me shpejtësi për projektin e rrugës që do të lidhë Bogën me Thethin. Gjithashtu, do të nisim së shpejti ndërtimin e aksit kombëtar Vermosh - Koplik- Shkodër, një rrugë kjo shumë e rëndësishme. Me këtë rrugë ne lidhim Vermoshin me Konispolin dhe bëjmë të mundur që, nga pika më jugore e vendit, deri në pikën më veriore, qytetarët të udhëtojnë në rrugë të mira dhe të asfaltuara, njësoj si qytetarët e tjerë europian.

Unë ju garantoj se, gjatë vitit që vjen, rruga e Thethit do të shndërrohet në realitet. Kështu, bashkë me rrugën tjetër që përfundon drejt Valbonës dhe  projekti që do të bëjmë për të lidhur Valbonën me Thethin, me rrugën e Vermoshit, me Bjeshkët, me Alpet, ne do t’i bëjmë legjendat e bukurisë mahnitëse natyrore të këtyre zonave. të prekshme, të vizitueshme, të shijueshme për këdo. Do të bëjmë që krenaria që keni për to, të bëhet krenari e të gjithë shqiptarëve dhe ato të vizitohen nga turistë nga mbarë Europa dhe bota.

Qeveria i kushton një rëndësi të jashtëzakonshme infrastrukturës turistike. Vërtetë ne po ndërtojmë të gjitha rrugët që zbresin drejt detit, nga Bërdica deri në Ksamil, por ne do t’i ndërtojmë edhe të gjitha rrugët që shkojnë drejt maleve, nga Gjirokastra deri në Vermosh.

Janë në tenderim apo në ndërtim e sipër një seri rrugësh të tjera. Mali i Çajupit është një nga majat më mahnitëse të vendit, por të paktë janë ata që janë ngjitur në majën e tij. Brenda një kohe të shkurtër, ne nisim ndërtimin e kësaj rruge, në mënyrë që gjirokastritët dhe gjithë shqiptarët të ngjiten në majën e këtij mali. Ne po ndërtojmë rrugën drejt Voskopojës, Dardhës, në Korçë, po ndërtojmë rrugë të përmasave ndërkombëtare drejt Liqenit të Prespës, do ndërtojmë një aks kombëtar që i bie Mokrës mes për mes, në mënyrë që shqiptarët të njohin edhe e bukuritë e kësaj krahine. Do të lidhim Gjinarin me Elbasanin, një nga zonat më të bukura, do të lidhim Librazhdit, Treblevën, Orenin, me Peshkopinë, me Kalanë e Dodës dhe Korabin, do të lidhim Lurën me akset kombëtare, do të lidhim Kuksin me Shishtavecin.

Pra, nuk do të lemë vend të bukur turistik pa e bërë të vizitueshëm, të arritshëm për të gjithë shqiptarët, për të gjithë vizitorët e huaj. Të gjithë ata që vizitojnë Shqipërinë, veçanërisht në kohë të kthjellët, shohin një bukuri mahnitëse, një “Zvicër” me det. E vërteta është se Zvicra është shumë herë më e zhvilluar se ne. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet për t’i dhënë fytyrën europiane Bogës, Thethit, Valbonës, Vermoshit, Çajupit, Tomorit, pra të gjitha zonave turistike të këtij vendi.

Në 3 vjet, ne kemi investuar në këto zona 1.2 miliardë dollarë. Unë jam i vetëdijshëm se për të ndërtuar një infrastrukturë moderne në këto zona, duhen edhe shumë miliarda të tjera. Por, ju jap fjalën, ju dhe gjithë  shqiptarëve në këto zona se, shumë miliarda të tjerë do të investohen, në mënyrë që, ashtu siç ju jeni  krenarë me Bogën, Thethin, Valbonën, Zagorinë, Voskopojën, Dardhën, Prespën, Treblevën, Korabin, të bëhen krenarë të gjithë shqiptarët, të vijnë t’i vizitojnë këto vende, të kalojnë pushimet, të shijojnë këto bukuri mahnitëse, do të bëjmë që ato t’i njohë e gjithë Europa.

Ndaj, ju uroj gëzuar rrugën që inauguruam dhe ju premtoj se sapo të përfundojmë projektin, me shpejtësi do të punojmë për ndërtimin e rrugës së Thethit.

Gjithashtu, i jap fjalën kryetarit të komunës suaj se çdo projekt që ai do të hartojë për të përmirësuar jetën tuaj, për rrugë që lidhin fshatra të tjera, shkolla, qendra shëndetësore, ujësjellës, kanalizime dhe çdo gjë tjetër për infrastrukturën tuaj, do të ketë mbështetjen e plotë dhe financimin e qeverisë. Në këtë mënyrë, ne e bëjmë Bogën dhe Shqipërinë shumë herë më të mirë dhe matemi gjithnjë e më shumë me vendet e tjera, si në infrastrukturë dhe në zhvillim”.   


19/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›