E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Objektivi i radhës: Shqipëria, qendër e inovacionit në Ballkan, në fushën e IT

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në ceremoninë për 5 vjetorin e krijimit të Shoqatës Shqiptare të Teknologjisë së Informacionit (AITA-Albanian Information Technology Association), në hotel Sheraton.

Duke përshëndetur anëtarët e AITA-s për rezultatet e arritura në këto 5 vite, Kryeministri Berisha e vlerësoi të një rëndësie thelbësore për zhvillimin e teknologjisë së informacionit në Shqipëri, iniciativën e drejtuesve të disa prej kompanive të rëndësishme shqiptare në fushat hardware, software, integrim sistemesh, të cilët 5 vjet më parë themeluan Shoqatës Shqiptare të Teknologjisë së Informacionit.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri e vuri theksin në arritjet dhe ambiciet e qeverisë shqiptare për realizimin e objektivit madhor “Shqipëria dixhitale”, si “leva e Arkimedit” për një transparencë të thellë të qeverisjes para qytetarëve. “Shqipëria, - tha Kryeministri - ka sot, dhjetëra shërbime tërësisht dixhitale dhe ecën me shpejtësi drejt sportelit të vetëm për të gjitha shërbimet.”

Duke theksuar se në këtë sektor Shqipëria ka bërë një “quantum leap” dhe se potencialet janë edhe më të mëdha, Kryeministri ftoi anëtarët e AITA-s t’i bashkohen projektit të kryetarit të bashkisë së Tiranës, për ngritjen e parkut të parë të Hi-Tech dhe kërkimit industrial në Shqipëri, duke i garantuar për mbështetjen e plotë të qeverisë në realizimin e këtij objektivi që, siç theksoi Kryeministri, e shndërron Shqipërinë  në një qendër të prodhimit të software-ve në rajon. “Infrastruktura dixhitale është e mbetet një nga drejtimet më jetike të zhvillimit të vendit,” u shpreh Kryeministri. 

Fjala e Kryeministrit në ceremoninë me rastin e 5 vjetorit të themelimit të AITA-s:

“Është kënaqësi e veçantë t’ju përshëndes ju, anëtarëve të kësaj shoqate në 5 vjetorin e themelimit të saj, të shpreh kënaqësinë time se në 5 vjet asnjëherë në këtë vend një minorancë siç ishit ju 5 vjet më parë, nuk ka arritur të bëjë ato që keni bërë ju në këto vite, nuk ka arritur të transformojë në mënyrën më thelbësore këtë vend e ta shndërrojë nga një vend ndër më të prapambeturit në planet në fushën e Hi-Tech dhe penetrimit të internetit, në një vend që këtë vit do të festojë 100 vjetorin e pavarësisë së tij si “Shqipëria dixhitale”.

Në shumë sektorë, Shqipëria ka bërë një quantum leap, por në këtë sektor ky quatum leap ka qenë më i madh se në çdo sektor tjetër. Ne e nisëm këtë rrugë, në fillim të vitit 2006, me një penetrim të internetit ndër më të papranueshmit, 4.8 përqind, sikur nuk jetonim në Europë, por në një planet tjetër. Sot, të gjitha të dhënat janë se jemi në mesataren e Bashkimit Europian dhe kjo është meritë e madhe e juaja. Kjo është rezultat i një pune të shkëlqyer, guximi e përkushtimi të madh që sektori juaj ka dëshmuar gjatë këtyre viteve, duke projektuar e zbatuar dhjetëra e qindra projekte që i kanë shndërruar sot shqiptarët ndër qytetarët më pasionantë pas internetit, në Europë, në qytetarë që kanë shënuar rritjen e dytë më të shpejtë në botë në këtë fushë, në vitet 2006-2010, sipas botimit të Forumit Ekonomik Botëror.

Për qeverinë shqiptare “Shqipëria dixhitale” është realizimi i një prej ëndrrave më të bukura të njeriut. Kjo është leva e Arkimedit për një transparencë të thellë e totale të qeverisjes para qytetarëve dhe nuk është e rastit se, në sajë të një vullneti të hekurt për të arritur këto objektiva, por edhe aftësive e kompetencave të kompanive tuaja, Shqipëria bëhet vendi i parë në botë me prokurime elektronike 100 përqind. Shqipëria ka sot, dhjetëra shërbime tërësisht dixhitale dhe ecën me shpejtësi drejt sportelit të vetëm për të gjitha shërbimet. Qeveria do të bëjë çdo gjë që shqiptarët pa përjashtim, si ata që kanë dhe ata që nuk kanë, të kenë akses në internet, në mënyrë që të lundrojnë në universin e tij, të mund të konkretizojnë e zhvillojnë  imagjinatën e tyre në atë univers njëlloj si imagjinata është virtuale.

Zoti President [Presidenti i AITA-s], ju shtruat këtu një çështje themelore, për të cilën duhet të përqendrohemi bashkërisht, me të gjitha potencialet: Shndërrimi i Shqipërisë në një superfuqi të vogël rajonale të software. Ju njoftoj se qeveria ka këtu një nga projektet më të rëndësishme të saj dhe është e gatshme dhe e vendosur që sëbashku me ju të përcaktojë kuadrin ligjor më të përshtatshëm, masat lehtësuese më të fuqishme, në mënyrë që ne të bëhemi një nga krijuesit e prodhuesit e rëndësishëm të soft-it, të bëhemi promotorë të rëndësishëm të inovacionit. Asgjë nuk ka më të rëndësishme në një zhvillim sesa qëndrueshmëria e tij. Në këtë kontekst, asgjë nuk do të ndihmojë më shumë konsolidimin dhe avancimin e këtyre arritjeve, sesa mbështetja e inovacionit, mbështetja tek i prodhimi soft-eve.

Kryetari i bashkisë së Tiranës ka marrë përsipër të krijojë Tirana Hi-Tech Park. Të mos humbim, ta bëjmë kryeqytetin sa më shpejt me një park të tillë. Le të jetë ky parku i parë i Hi-Tech, parku i parë industrial kërkimor që ngrihet në Shqipëri. Ju duhet të guxoni, se ju keni dëshmuar guxim dhe ju garantoj se qeveria do t’ju mbështesë fuqimisht, pasi për ne, infrastruktura dixhitale është e mbetet një nga drejtimet më jetike të zhvillimit të vendit.

Edhe një herë uroj shoqatën tuaj, të gjithë inxhinierët, informaticienët, teknicienët, pedagogët, punonjësit për arritjet e shkëlqyera që keni realizuar në 5 vjet dhe shpreh bindjen se me vullnet të hekurt, në 5 vitet e ardhshme ju do të jeni një shoqatë lider në Ballkan e më gjerë.”


29/03/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›