E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori amerikan: Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-ve më të mira se kurrë

Kryeministri Berisha mirëpriti sot, në zyrën e tij, Ambasadorin e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të SHBA-ve në Tiranë, Dr. Xhon L. Uithers II, me rastin e marrjes së detyrës së tij.

Duke i uruar mirëserdhjen, Kryeministri Berisha u shpreh se ardhja e ambasadorit Uithers në vendin tonë bëhet në një kohë, kur vizita e presidentit Bush në Shqipëri lartësoi me shumë se kurrë marrëdhëniet midis dy vendeve.

Kryeministri Berisha i shprehu zotit Uithers mirënjohjen e qeverisë shqiptare për ndihmën dhe mbështetjen e fuqishme që SHBA-të i japin Shqipërisë në përpjekjet e saj për integrimin në NATO dhe BE, për konsolidimin e shtetit ligjor dhe standarteve të demokracisë.

Kryeministri Berisha vlerësoi gjithashtu ndihmën e vazhdueshme që qeveria dhe institucionet amerikane japin në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, forcimit të shtetit ligjor, etj.

Kryeministri Berisha dhe ambasadori Uithers diskutuan lidhur me çështjen e Kosovës, për të cilën Kryeministri Berisha siguroi se Shqipëria do të bashkëpunojë ngushtë me SHBA-të për zgjidhjen sa më shpejt të jetë e mundur dhe në mënyrë paqësore të këtij problemi.

Nga ana e tij, ambasadori amerikan Uithers theksoi faktin se marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë janë më të mira se kurrë.

Zoti Uithers u shpreh se megjithese koha po kalon dhe mbetet pune për të bërë, konfirmoj se SHBA-të mbështesin fuqishëm aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në NATO dhe se do të bëjnë çështë e mundur që Shqipëria të përmbushë standartet bazë për anëtarësim.

Lidhur me çështjen e Kosovës, zoti Uithers u shpreh se pavarësia e Kosovës është e paevitueshme dhe se zgjidhja e këtij problemi të madh është në interesin jetik të rajonit.

Të dy bashkëbiseduesit ranë dakort për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen për të çuar më tej marrëdhenit e shkëlqyera midis dy vendeve.

 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›