Ministri gjerman i Mbrojtjes Jung: Gjermania përcjell pozitivisht synimin e Shqipërisë për anëtarësim në NATO e BE

Të dy personalitetet e vlerësuan këtë vizitë jashtëzakonisht të rëndësishme, edhe në kuadrin e 20 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, marrëdhënie këto shumë të mira që janë përmirësuar ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit.
Kryeministri Berisha e falënderoi Ministrin e Mbrojtjes së Gjermanisë për ndihmën tepër të çmuar që qeveria gjermane i ka dhënë Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve gjatë këtyre 20 viteve, në fushën ekonomike, financiare, ushtarake, në infrastrukturë, etj. Shqipëria zë vendin e parë për frymë për ndihmat që ka akorduar qeveria gjermane për vendet e tjera, me një total prej 700 milionë eurosh, tha Kryeministri, duke nënvizuar se kjo ndihmë ka qenë veçanërisht e çmuar për reformën e Forcave të Armatosura. Kryeministri theksoi se Bundesver-i (Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë) ka dhënë një kontribut të madh për arsimin dhe edukimin e ushtarakëve, forcimin e sistemeve të logjistikës dhe modernizimin e shërbimit mjekësor të ushtrisë. Ai theksoi se të parët paqeruajtës shqiptar u dërguan në Bosnje nën komandën gjermane.
Duke u ndalur në procesin e integrimit të vendit, Kryeministri vuri në dukje se Shqipëria ka dy projekte madhore; anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe në NATO. Për këtë, qeveria është e angazhuar të bëjë çdo përpjekje për të arritur standardet e kërkuara. Kryeministri bëri të ditur se Shqipëria firmosi vitin e kaluar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe po zbaton me seriozitet marrëveshjen e ndërmjetme “Ad interim”, si dhe po përpiqet të zbatojë me përpikmëri të gjitha kërkesat e Planit ndërkombëtar të integrimit. Gjithashtu, ushtria ka realizuar një reformë cilësore, duke u shndërruar, nga një ushtri me koncepte të vjetëruara, në një ushtri moderne, që vepron sot përkrah forcave ndërkombëtare në Bosnje, Afganistan, etj. Shqipëria synon që të ketë një ushtri të vogël, profesionale dhe efikase. Në funksion të këtij objektivi, në vitin 2008 buxheti për ushtrinë do të kapë 2 % të GDP-së.
Anëtarësimi në NATO ka rëndësi historike për Shqipërinë, tha Kryeministri, ndërsa vlerësoi faktin që Kancelarja Merkel, në Konferencën e Sigurisë Ndërkombëtare në mbajtur një vit më parë në Mynih, përmendi Shqipërinë si një nga 3 vendet e mundshme për të marrë ftesën për anëtarësim në NATO.
Më tej, Kryeministri Berisha e njohu Ministrin e Mbrojtjes së Gjermanisë me rezultatet konkrete të qeverisë në reformat e ndërmarra. Ai tha se qeveria ka luftuar me sukses krimin e organizuar, nga ku është bërë i mundur arrestimi dhe vënia para ligjit e më shumë se 100 grupeve kriminale. Policia shqiptare ka fituar besimin e partnerëve të saj europianë dhe si rrjedhojë e bashkëpunimit të shkëlqyer, ka bërë të mundur arrestimin e bosëve të krimit në shumë vende të Europës. Në këtë drejtim, Kryeministri bëri të ditur se është krijuar një Task Force, në bashkëpunim me Bashkimin Europian dhe FBI-në, për të luftuar krimin e organizuar. Kryeministri theksoi se moratoriumi 3 vjeçar i skafeve ka qenë shumë efikas në drejtim të luftës kundër krimit e trafiqeve ilegale. Ndërkohë, lufta kundër krimit ekonomik do të shohë këtë vit një rritje shumë më të madhe, vijoi ai.
Një tjetër reformë e suksesshme, tha Kryeministri, është edhe lufta kundër korrupsionit në administratë, ku është arritur nxjerrja e administratës jashtë konfliktit të interesit. Shpenzimet operative janë ulur me 40 për qind. Nga ana tjetër, po dixhitalizohen të gjitha procedurat e prokurimeve dhe taksave të rregjistrimit, si dhe është miratuar një ligj që mbron denoncuesit e korrupsionit dhe i shpërblen ata me 6 % të vlerës monetare së kapur.
Për sa u përket reformave ekonomike, Kryeministri përmendi uljen e kostos së prokurimeve me 25 për qind, arritjen për dy vjet me radhë në muajin qershor të një buxheti suplementar, në sajë të luftës korrupsionit, kontrabandës dhe informalitetit, uljen e taksave, rritjen e të ardhurave, etj. Kryeministri tha se tashmë në vend ka një rritje të dukshme të investimeve, sidomos të investitorëve ndërkombëtar.
Duke u ndalur në reformën në sistemin e drejtësisë, Kryeministri tha se ka patur disa vështirësi, ndërsa shprehu bindjen se tashmë edhe kjo reformë do të ecë pozitivisht.
Kryeministri Berisha dhe Ministri gjerman i Mbrojtjes Jung diskutuan edhe për çështjen e Kosovës. Të dy personalitetet ndanë të njëjtin mendim se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet sa më të shpejtë, si kusht për paqe e stabilitet, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon.
Kryeministri Berisha tha se problemi i Kosovës është problemi i fundit madhor në Ballkan. Bashkimi Europian ka përcaktuar disa principe shumë pozitive për zgjidhjen e kësaj çështjeje; mosndryshim të kufijve, mosbashkim të Kosovës me ndonjë shtet tjetër, moskthim në gjendjen e mëparshme. Nuk ka zgjidhje jashtë këtyre standardeve në kushtet aktuale, vijoi Kryeministri. Shtyrja e statusit, tha Kryeministri, mund të krijojë probleme në Kosovë dhe rajon. Ai vlerësoi se BE ka dhënë një kontribut të çmuar për rindërtimin e Kosovës pas luftës, për zhvillimin e infrastrukturës, ndërtimin e institucioneve demokratike atje, si dhe në qeverisjen e saj. Duke iu referuar Serbisë, Kryeministri Berisha theksoi se ajo është duke mbajtur një qëndrim jo realist, i cili është i njëjtë me qëndrimin e viteve 90. Po ashtu, Kryeministri u shpreh se edhe Rusia ka mbajtur një qëndrim jo konstruktiv për këtë çështje. Ndërkaq, Kryeministri vuri në dukje se shqiptarët e Kosovës, sot, në bisedimet e nisura në Vjenë, propozuan një traktat miqësie, duke shprehur edhe një herë se ata janë të vendosur të krijojnë një shtet ligjor dhe të respektojnë plotësisht të gjitha standardet dhe të drejtat e minoriteteve në Kosovë.
Kryeministri Berisha i kërkoi zotit Jung t’i transmetonte përshëndetjet më të përzemërta Kancelares gjermane, zonjës Angela Merkel.
Nga ana e tij, Ministri gjerman i Mbrojtjes, zoti Jung, shprehu mbështetjen e Gjermanisë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke theksuar se qeveritë e BE-së vendosën në Samitin e Rigës të krijojnë një perspektivë për anëtarësimin e 3 vendeve në NATO, Kroacisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë. Ministri gjerman shprehu bindjen se raporti që do të paraqitet në shtator, do të pasqyrojë të gjitha përparimet që janë bërë në fushën e reformave, në mënyrë që Shqipëria të plotësojë të gjitha kushtet për të marrë ftesën për anëtarësim në Samitin e Bukureshtit.
Ministri i gjerman i Mbrojtjes iu referua ndryshimit të madh dhe pozitiv që ka vënë re në Shqipëri Ambasadori i Ri gjerman në Tiranë Bernard Borhard, krahasuar me 10 vite më parë kur ai e kishte vizituar vendin tonë, duke i nxitur më tej këto ndryshime. Gjermania, tha Ministri Jung, përcjell pozitivisht synimin e Shqipërisë për anëtarësim në NATO dhe në BE, ndërkohë që marrëdhëniet mes dy vendeve do të vazhdojnë të jenë të shkëlqyera.
Lidhur me çështjen e Kosovës, Ministri Gjerman i Mbrojtjes Jung bëri të ditur se ministrat e Mbrojtjes së BE dhe NATO-s janë dakord që baza për zgjidhjen e Statusit të Kosovës duhet të jetë Plani Ahtisari. Ai tha se këto 120 ditë negociata shtesë duhet të jenë të mjaftueshme për gjetjen e një konsensusi dhe nuk mund të ketë shtyrje të mëtejshme. Për këtë, u shpreh zoti Jung, Serbia duhet të ndryshojë qëndrimin i saj. Bashkimi Europian i ka ofruar Serbisë incentiva si Partneriteti për Paqe në NATO, anëtarësimi në BE, etj.