E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Përmbytjen e konsiderojmë si një sfidë së cilës do ti japim zgjidhjet më të mira

- Kryeministri kërkoi nga secila ministri hartimin e projekteve dhe planeve për post emergjencën, në mënyrë që të realizohet në një kohë sa më të shkurtër rehabilitimi i plotë i zonave të përmbytura.

Kryeministri Berisha zhvilloi sot në Shkodër mbledhjen e Këshillit të Ministrave, nga ku përcolli mesazhin e angazhimit dhe vendosmërisë së qeverisë për të mbështetur qytetin dhe zonat e përmbytura në mënyrën më të fuqishme dhe kapërcimin sa më të shpejtë të pasojave të kësaj fatkeqësie natyrore.
Kryeministri shprehu mirënjohjen e thellë të qeverisë dhe të mbarë shqiptarëve ndaj qytetarëve të këtij qyteti dhe rrethi, të cilët në mënyrën më të përsëritur dëshmuan para Shqipërisë, kombit dhe botës shpirtin e tyre të pamposhtur.
Kryeministri falënderoi me mirënjohje të gjitha hallkat e angazhuara në këtë operacion të rëndësishëm, si pjesëtarët e forcave të armatosura shqiptare, por edhe të huaja, punonjësit e policisë së shtetit, punonjësit e KESH, të gjithë zyrtarët dhe drejtuesit vendorë, ministrat, deputetët, për punën e tyre  të palodhur  dhe përkushtimin në dhënien përgjigje situatës emergjente.

Një falënderim të veçantë, Kryeministri iu drejtoi nga kjo mbledhje të gjithë qytetarëve të thjeshtë, të cilët, pavarësisht mundësive ekonomike, me bujari dhe humanizëm kontribuuan në ndihmat për zonat e  përmbytura.

Duke e cilësuar këtë operacion si më të suksesshmin në historinë  e vendit, Kryeministri theksoi se  qeveria dhe shteti dëshmuan shkallën e moralit të tij, i cili vendos të parin qytetarin dhe jetën e tij, si dhe dëshmuan shkallën e lartë të organizimit dhe shpirtin e sakrificës.
 
Në këtë kontekst, Kryeministri kërkoi nga secila ministri hartimin e projekteve dhe planeve për post emergjencën, në mënyrë që të realizohet në një kohë sa më të shkurtër rehabilitimi i plotë i zonës. “Të mos harrojmë se kjo zonë nuk është shkretëtirë, u shpreh Kryeministri, por një nga zonat më pjellore, më të pasura të tokës shqiptare prandaj ka një rëndësi të jashtëzakonshme rehabilitimi tërësor i saj, infrastruktura, shkollat,qendrat shëndetësore, rrugët, kanalizimet  dhe çdo gjë."
 
Në përfundim, Kryeministri i siguroi qytetarët e Shkodrës se qeveria e konsideron këtë fatëkeqësi natyrore si një sfidë së cilës do t'i japë zgjidhjet më të mira.

Në fjalen e tij, Kryeministri u shpreh: 
 
“Mbledhjen  e qeverisë vendosa ta bëjmë në Shkodër, së pari, si një dëshmi e solidaritetit dhe vendosmërisë së Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për të mbështetur qytetin dhe zonat  e përmbytura në mënyrën më të fuqishme dhe kapërcimin sa më të shpejtë të pasojave të kësaj fatkeqësie natyrore, e cila u zhvillua për dy javë rresht në Shkodër. Por këtë mbledhje e thirra në Shkodër edhe për të shprehur një mirënjohje te thelle të qeverisë dhe mbarë shqiptarëve ndaj qytetarëve të këtij qyteti dhe rrethi, të cilët në mënyrën më të përsëritur dëshmuan para Shqipërisë, kombit dhe botës, shpirtin e tyre të pamposhtur. Nuk ka ndodhur  dhe nuk ndodh ndonjëherë në histori, që një qytet, që një rreth, të ketë përballuar me kaq dinjitet, me kaq gjakftohtësi, me kaq trimëri dhe mëncuri një katastrofë, një fatkeqësi natyrore si kjo që përjetoi Shkodra nga data 26 dhjetor deri në ditën e djeshme.

Qytetaret e Shkodrës dhe të rrethit kanë dëshmuar  një trimëri dhe kurajë të jashtëzakonshme, një fisnikëri të pashembullt një bashkëpunim të shkëlqyer. Në asnjë rast, në asnjë rrethanë dhe situatë, i madh e i vogël, burrë apo grua  nuk dëshmuan qoftë  edhe shenjat më minimale të panikut, dëshmuan vetëm kurajën, guximin dhe e optimizëm. Unë dua të falënderoj me shumë mirënjohje ata mijëra zyrtarë vendorë dhe qendrorë, kryetaret  komunave, Arben Gjura, të Dajçit, Arben Cani, të anës së Malit, Broz Marku , të Gurit të Zi, Zef Hilës së Bushatit, Qemal Gjyretës  së Bërdicës, kryetarin e basshkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, këshillatërt, prefektin e Shkodrës Maxhit Cungu, kryetarin e qarkut  Xhovalin Kolombi, të cilët punuan me vetëmohim, në kushtet më të vështira. 

Dua të falenderoj të gjitha anëtaret e Forcave të Armatosuara qe u faktuan shqiptareve se cila është kurajo, vendosmëria, eficenca  e veprimit të tyre,të falënderoj anëtarët e policisë së shtetit, për sakrificën e madhe, pilotët e helikoptereve, varkëtarët kanë dëshmuar me të vërtetë momente heroizmi, si shqiptare ashtu edhe italianë, trupat  e Kosovës, Maqedonisë, të cilat në asnjë rrethanë nuk janë tërhequr para thirrjes për ndihmë, cilido që ka qenë moti dhe vështirësitë.

Unë dua tu falenderoi ju zotërinj ministra, dua të falenderoj  deputetët  e Shkodrës, zonjën Topalli, tu falenderoj ju, anëtareve te qeverisë, kryetarin e komitetit  ndërministror, që u faktuat qytetarëve të Shkodrës me shembullin tuaj personal, angazhimin e plotë dhe total për kapërcimin dhe përballimin e kësaj situate. Duke ardhur këtu, një djalë i ri më tha; urime zoti kryeministër se ministrat e tu tani të thonë “nadja e mirë” dhe “si ke nje” pra u bënë shkodranë. Ky është një vlerësim i punës suaj të pandërprerë, 24 orë në 24 orë. Ju zotërinj, së bashku me qeveritarët  vendorë, drejtuat operacionin më të fuqishëm të shpëtimit në historinë e vendit dhe ky operacion  realizoi me sukses të plotë objektivin e parë më madhor, shpëtimin e jetëve njerëzore.

Edhe njehere dua t'i rikthehem përmasave të motit, të cilin të gjithë observatorët me seriozë të vëzhgimit, të motit dhe përmbytjeve, cilësuan si shkak reshjet e mëdha, cilësuan si intensitet, atë të shkallës së dytë që përsëritet më rrallë se 1 herë në 100 vite. U ndala në këtë moment se ndonëse u vlerësua si e shkallës së dytë dhe ndonëse u vlerësua si një ngjarje që përsëritet më rrallë se 1 herë në 100 vjet, ne nuk numërojmë asnjë jetë të humbur. Ata që duan të vërtetën le të klikojnë dhe të gjejnë se dhe vende të tjera  kanë qenë në të njëjtën shkallë përmbytje, edhe ata të shkallës së dytë, por numërojnë dhjetëra jetë të humbura.

Dua të falënderoj edhe njëherë përzemërsisht të gjithë punonjësit  e KESH. Jam dëshmitar i një përkushtimi të jashtëzakonshëm të tyre. Reshjet  e papara dhe shkrirja në janar, në 24 orë  e borës së të gjithë masivit të Alpeve, krijoi një situatë të pa precedent. Por dua ta ketë të qartë çdo qytetar, se ky ka qenë rasti i parë në historinë e këtij vendi që lëshimi i ujerave është bërë me paralajmërim të plotë, në përputhje me ligjin dhe moralin e autoriteteve vendore. Ata të cilët klithin se përse nuk u lëshua Fierza, dua t'u jap nje pergjigje. Fierza u mbajt ditët e fundit të nëntorit, pikërisht sepse një përmbytje e menjëhershme mund të ishte katastrofale për jetët e njerëzve. Ata që menaxhuan digat e portat, i menaxhuan me përkushtimin më të madh, i menaxhuan në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendore, i menaxhuan duke bërë maksimumin për tu përshtatur me kërkesat e tyre. Mos  e rrisni më shumë se 50 metër kub në 20 minuta - kërkonin ata - se mos na bien digat. Kjo ishte dhe përshtatja që bënin autoritet e KESH-it. Ata bënë një menaxhim, me të cilët shmangën më të keqen dhe e keqja ishte që  vala e egër e shkarkimeve të shembte argjinaturat e Dajcit dhe sistemin e tërë të mbrojtjes, ku nuk do të merrej më vesh se ku ndodheshin shtëpitë.
 
Shkodra ka një shpirt të shpirt të pamposhtur dhe thelbi i shpirtit të saj qëndron në një raport të vetëm dhe kryesor të njeriut të qytetëruar dhe ky është raporti me të vërtetën. Ata që duan t'i servirin Shkodrës trillime dhe mashtrime, duhet ta dinë se qyteti ka një epitet për ta “sherr budall” . Ata që bëjnë “sherr budallën”, duke i thënë Shkodrës se qeveria e rezervoi ujin për ta shitur me çmim më të shtrenjtë në janar, ata bëjnë vetëm sherr budallën. Këtë, thonë ata, e bënte sepse ERE rriti çmimin. Por tani unë do tu tregoj të vërtetën qytetarëve të Shkodrës. ERE rriti çmimin nga 17 lekë të vjetra në 22 lekë të vjetra, në një kohë kur në çdo orë, në çdo ditë të tetorit, të nëntorit, të dhjetorit, qeveria dhe KESH mund ta shisnin energjinë me së paku 45 lekë deri në 50 lekë të vjetra. Pra u them u them dhe njëherë; mos i servirni Shkodrës dokrra  sepse prej saj do të keni  vetëm një përgjigje: “sherr budall”. As simitet  e tyre nuk i ha Shkodra. I pamë një ditë që kishin mbushur një çantë me simite dhe i shpërndanin, por qytetarët nuk i merrnin.
 
Zonja dhe zotërinj,
 
Ky ishte operacioni me suksesshëm në historinë  e vendit dhe kjo qeveri, ky shtet dëshmoi shkallën së pari të moralit të tij, i cili vendos qytetarin dhe jetën e tij të parën, dëshmoi shkallën e organizimit, shpirtin e sakrificës. Për mua është një rast t'i shpreh mirënjohjen më të thellë vendeve mike, Italisë, Austrisë, Francës, Kosovës, Greqisë, Maqedonisë, Moldavisë, Turqisë dhe të gjithë atyre që u gjetën të gatshëm për të ndihmuar Shkodrën dhe vendin, për të kapërcyer pasojat e kësaj fatkeqësie natyrore. Por dua të shpreh mirënjohjen më të thellë qindra e mijëra qytetarëve zyrtarë dhe jozyrtarë, të cilët dëshmuan një bujari të jashtëzakonshme, kompanive të biznesit, për solidaritetin dhe bujarinë që dëshmuan qytetarëve të Shkodrës dhe zonave të përmbytura, të falënderoj të gjitha komunat e vendit, bashkitë e vendit, institucionet për angazhimin e madh. Kurrë ndonjëherë nuk është dëshmuar, që nga lufta që u ra shqiptarëve në Kosovë, një shkallë e tillë solidariteti.

Kam këtu me mijera mesazhe që kam marrë. Sot kam zgjedhur të lexoj njërin prej tyre për ju, zotërinj ministra dhe qytetarë të Shkodrës. Mesazhi është dërguar në datën 13 janar, në orën 12 45 minuta. Në këtë mesazh thuhet: Zoti Sali, në Raifassein Bank, në ndihmë të familjeve të përmbytura dërgova 5 mijë lekë të reja, pensionin tim. Ju falenderoj për punën që po bëni në maksimum për përballimin e situatës.Me respekt Shaqo Merkaj, Ballsh. Shaqo me ketë xhest është  një simbol i shkëlqyer i solidaritetit të madh, i kohezionit të madh që ka shpërthyer në mbarë vendin nga kjo fatëkeqësi. Ndaj dhe unë gjej rastin t'i falenderoj ata, por nga ana tjetër, të theksoj se Shkodra dhe zonat e përmbytura kanë nevoja të mëdha. Pardje isha në Kuc. Vizitova familjen e Ahmet Tahirit. I zoti i shtëpisë, një burrë fisnik, më tregoi shtëpiën e tij, në të cilën uji ishte ngjitur 70 cm. Duke dalë nga shtëpia e tij takova një zonjë, Lirien,  e cila më tha se cfarë kish patur i ishte përmbytur. Diku tjetër një fëmijë më pyeti a do mund të më siguroni librat, se janë përmbytur. Ata nuk po kërkonin lodrat, edhe pse edhe ato u janë përmbytur. 

Pra, u ndala në këto raste për të treguar se pasojat janë të thella, por unë jam sot në Shkodër, bashkë me qeverinë, për të garantuar cdo qytetar të këtij rrethi dhe këtij qyteti, se qeveria do të zhdëmtojë dhe askërkujt nuk duhet t'i rëndojë dhimbja e mallit të dëmtuar, sepse ne do ta kompensojmë atë një për një.Për ne rëndësi vendimtare ka shpëtimi i i jetëve njerëzore dhe, mundësisht, gjësë së gjallë.

Sot është një ditë e kthjellët, plot diell, por nuk duhet të harrojmë se janë qindra e qindra  qytetarë të rrethuar me ujë dhe asgjë nuk ka  më të rëndësishme dhe jetike se ky operacion i shpëtimit dhe i ndihmës. Ndaj dhe ky operacion do të vazhdojë me intensitetin më të madh. U bëj thirrje qytetarëve se kudo që ndodhen të kërkojnë ndihmë dhe ta dinë se ne do të bëjmë çdo gjë për t'i arritur ata. është  pamohueshme se, në të gjithë  këtë operacion, mund të ketë familje apo individë që nuk marrin atë ndihmë që meritojnë, por kjo jo nga mungesa e përkushtimit.  Ne do të bëjmë gjithçka që të arrijmë tek ai dhe të arrijmë pranë tij.

Unë vizitova bazën e Gjadrit, ku burra dhe gra, ushtarakë, anëtarë të Gardës dhe drejtues, punonjës së rezervave të shtetit punojnë nga 18 orë në ditë në paketimin e ndihmave për njerëzit, por edhe e koncentrateve për bagëtitë dhe kjo do të vazhdojë. Dje zonën e ka vizituar zoti Meta me një grup ekspertësh të shquar italianë, të cilët kanë vëzhguar se çfarë ndërhyrjesh duhet të bëhen për drenimin sa më shpejt të ujrave që qëndrojnë në sipërfaqe. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme.
 
Zotërinj ministra,

I parë dhe kryesor është operacioni i shpëtimit dhe ndihmës, por secila ministri, në kuadrin e emergjencës, duhet të beje me shpejtësi programet e planet e  post emergjencës. Të mos harrojmë se kjo zonë nuk është shkretëtirë, por  një nga zonat më pjellore, më të pasura të tokës shqiptare dhe ka një rëndësi të jashtëzakonshme rehabilitimi tërësor i saj, infrastruktura e gjithanshme, shkollat, qendrat shëndetësore, rrugët, kanalizimet çdo gjë. Dua t'i çoj një përshëndetje të përzemërt  Flauersit dhe bashkëpunëtorëve të tij që, në 8 metra nën ujë, mbrojtën si luanë të vërtetë, me argjinatura të improvizuara, në kulmin e rrebeshit dhe të stuhisë, ujësjellësin e fshatit. Dua ta përshëndes për aktin e tij dhe trimërinë  e tij të jashtëzakonshme, për shkallën e lartë të përgjegjësisë të tij dhe të bashkëpunëtorëve që qëndruan në krye të detyrës. Duhet të merremi me infrastrukturën e ujësjellësve me rehabilitimit e zonës.
 
Dua ta mbyll këtë ekspoze duke siguruar qytetarët Shkodrës dhe të Shqipërisë se këtë  fatkeqësi ne e marrim si një sfidë së cilës ne do t'i japim zgjidhjet më të mira.
 
Sot unë isha në derdhje të Bunës, Një dalje  e fuqishme kishte nisur thellimin, dalje e cila ka kapacitet 400 metër kub në orë. Tjetra do t'i bashkëngjitet shpejt. U takova me shumë përzemërsi me kapitenin, inxhinierët dhe punëtorët. U thashë atyre se u ka takuar nderi të jenë pionierët e një projekti madhështor kombëtar, thellimit të Bunës dhe shndërrimit të saj në një lumë të lundrueshëm. Në shtator unë rashë dakord me Kryeministrin  e Malit të Zi për këtë gjë, pasi kjo kërkon një marrëveshje midis dy qeverive. Sigurisht që ky thellim po bëhet me emergjencë, por zoti Olldashi, është e domosdoshme që, në kohën më të shpejtë, të shpallet tenderi ndërkombëtar për thellimin e Bunës dhe shndërrimin e saj në një lumë të lundrueshëm, sic ka qenë një shekull më parë, vepër kjo që, nga njëra anë do të mbrojë Shkodrën nga moti i papërshtatshëm, por nga ana tjetër do të krijojë edhe mundësinë e një prej udhëtimeve turistike më të bukura, nga brigjet e Malit të Zi, Ulqinit, Tivarit, Budva e më tutje . Ura është me hapje dhe fatmirësisht ajo u projektua e tillë. Edhe ura tjetër që do të ndërtohet për të lidhur Shëngjinin me Ulqinin, do të jetë me hapje. Por dua të garantoj qytetaret e Shkodrës se thellimi i Bunës, sistemimi i saj, do të jetë një nga projektet më të bukura dhe më mahnitëse të vendit. Në këtë kontekst, zoti ministër, unë e di se ka mbaruar projekti i by pass të Shkodrës, ose është në përfundim e sipër, por kjo përmbytje kërkon që ky projekt  të rishikohet dhe të jetë, nga njëra anë by pass dhe nga ana tjetër tjetër argjinaturë e fuqishme e të gjithë zonës së bregut të liqenit. është projekt i kushtueshëm, por i domosdoshëm. Kjo duhet të fillojë sa më parë. është shumë e rëndësishme të filloje me shpejtësi studimi i të gjitha argjinaturave, i gjendjes së tyre. Argjinatura e Kirit ka luajtur një rol përcaktues në këtë mot të madh. U ndërtua sipas kritereve më të mira dhe faktikisht, një lumë që në kohëra të tjera i rrinte Shkodrës si shpata e Demokleut, nuk u bë dot i ndjeshëm për shkak të kësaj argjinature. Duhet të studiojmë edhe njëherë argjinaturën e Dajcit që është më kryesorja, të Anës Malit, të Obotit dhe kudo, sikundër një studim urbanistik duhet të bëhet, ku të përcaktohet se nuk duhet të ndërtohet aty ku rreziku është i madh. Të shihen të gjitha këto së bashku dhe ta shndërrojmë këtë fatkeqësi natyrore në sfida të mëdha për të zgjidhur. Ne që organizuam operacionin e shpëtimit më të suksesshëm në historinë e këtij vendi, ne do t'i përgjigjemi me vendosmëri gjithë problematikës, në mënyrë që përmbytja të shmanget në maksimumin e të gjitha mundësive. Unë jam shumë optimist se ne do të ecim me këto projekte".
 
 13/01/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›