Kryeministri Berisha viziton bazën operacionale për shpërndarjen e ndihmave në Gjadër
- Ky është një solidaritet i jashtëzakonshëm që dëshmohet ndaj qytetit të Shkodrës. Por është gjithashtu edhe dëshmi e një kohezioni të madh shoqëror në Shqipëri, dëshmi e një virtyti jashtëzakonisht të dobishëm, i cili ka qenë në traditën tonë.
- Këta ushtarë mund të ndërtonin kampe me çadra për të strehuar edhe deri në 15 mijë vetë, po të ishte nevoja, por faktikisht në çadrat e tyre nuk ka njeri, sepse janë hapur zemrat dhe dyert e qytetarëve.
Kryeministri Berisha i cili ndodhet sot në Shkodër, ku u organizua mbledhja e qeverisë, u ndal në bazën ushtarake të Gjadrit,ku është vendosur dhe baza operacionale për shpërndarjen e ndihmave. Ai përshëndeti dhe falënderoi personalisht ushtarët dhe oficerët, si dhe të gjithë ata të cilët gjatë gjithë kësaj kohe, po merren me sistemimin dhe shpërndarjen e ndihmave për zonat e përmbytura. Gjithashtu, ai falënderoi të gjithë ata përfaqësues të biznesit, të cilët kanë kontribuar ndjeshëm, duke ofruar ndihmën e tyre konkrete për familjet e zonave të përmbytura. Nga baza ushtarake e Gjadrit, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen edhe për solidaritetin e jashtëzakonshëm që është treguar ndaj qytetit të Shkodrës, në këto ditë të vështira.
Gjatë vizitës së tij në bazën e Gjadrit, Kryeministri Berisha u takua gjithashtu edhe me forcat ushtarake italiane, të cilat kishin ardhur në ndihmë të zonave të përmbytura, duke iu shprehur falënderimet e tij më të thella për ndihmën që ata po japin në kapërcimin e kësaj situate.
Duke iu drejtuar të gjithë personelit të pranishëm në këtë bazë, Kryeministri Berisha u shpreh:
Erdha t’ju përshëndes, t’ju falënderoj që të gjithëve, ushtarë, anëtarë të Gardës, Rezervave të Shtetit dhe të gjithë ju, që këtu keni punuar nga 18 orë, nga 20 orë dhe keni përballuar një vëllim të jashtëzakonshëm pune. Unë jam i vetëdijshëm dhe kam informacion të saktë se çfarë përpjekjesh të mëdha, keni bërë ju në paketimin e sistemimin e të gjitha ndihmave. Por, edhe një herë e shfrytëzoj rastin për të falënderuar dhe të gjithë ata biznesmenë bujarë, që kanë kontribuar. Ministri Basha sapo më informoi se uji i pijshëm është i tëri dhuratë i tre biznesmenëve Trebeshina, Harri Lena ka përballuar në pjesën më të madhe, por në mënyrë shumë të qenësishme ka kontribuar edhe Vasil Naçi,ka kontribuar edhe Ylli Ndroqi, kanë kontribuar edhe të tjerë. Ka një solidaritet të paparë ndonjëherë në Shqipëri. Unë marrë çdo ditë me qindra mesazhe solidariteti nga biznesmenë, nga qytetarë, por i tërë ky solidaritet ndihmash, pa punën, mundin dhe djersën tuaj nuk do të mund të shkonte në destinacionin e duhur. K keni bërë një punë jashtëzakonisht të madhe, e cila do të vazhdojë. Ndërrimi i motit është shpresëdhënës, por zona e përmbytur do të ketë nevojë edhe për një kohë të furnizohet në kushtet e kësaj gjendje emergjente dhe ne do ta furnizojmë atë.
Ne jemi të vendosur që të dërgojmë ndihma dhe do të bëjmë çdo përpjekje për të dërguar ato në çdo familje, qoftë për njerëzit, por kur është e mundur edhe për gjënë e gjallë, ndonëse thirrja, apeli ynë është: evakuim, evakuim, evakuim. Sepse në kushte të evakuara, është shumë e lehtë për ne të tregojmë përkujdesje më të mëdha për ta; është më e lehtë për ne që të sistemojmë edhe gjënë e gjallë, sepse ne duam që të minimalizojmë dëmin. Por një gjë është e sigurt: ky operacion shpëtimi, është operacioni më i fuqishëm që ka ndërmarrë vendi ndonjëherë, por është edhe operacioni më i suksesshëm. Ne kaluam një përmbytje të shkallës së dytë, përmbytje të cilën e kaluan edhe vende të tjera. Por fatmirësisht ne nuk patëm asnjë humbje njerëzore gjer tani, ndërkohë që të tjerët kanë patur me dhjetëra. Absolutisht kjo ka qenë për dy arsye: së pari banorët, trimëria dhe guximi i tyre, operacioni i shpëtimit në një anë që kanë funksionuar në mënyrën më të fuqishme, nga ana tjetër ka qenë dhe një bashkëpunim i shkëlqyer midis menaxhuesve të digave dhe autoriteteve vendore, të cilët janë përpjekur për të bërë maksimumin në mënyrë që shkarkimet të mund të menaxhohen në mënyrë të tillë, për të shmangur shembjen e digave të zonës, të cilat do të krijonin vërtetë një problematikë shumë të madhe.
Ndaj edhe një herë ju falënderoj, ju përgëzoj për këtë punë të shkëlqyer të të gjithëve. Ky është një solidaritet i jashtëzakonshëm që dëshmohet ndaj qytetit të Shkodrës, por është gjithashtu edhe dëshmi e një kohezioni të madh shoqëror në Shqipëri, dëshmi e një virtyti jashtëzakonisht të dobishëm, i cili ka qenë në traditën tonë. Këta ushtarë mund të ndërtonin kampe me çadra për të strehuar edhe deri në 15 mijë vetë, po të ishte nevoja, por faktikisht në çadrat e tyre nuk ka njeri, sepse janë hapur zemrat dhe dyert e qytetarëve. Janë pritur, siç pritën 1 milion qytetarë nga Kosova dhe 90 përqind të tyre në votrat e shqiptarëve. Edhe këta të përmbytur, në shumicën dërrmuese, ndonëse ne i kemi vendet bosh. janë strehuar në qytetarë, në fshatrat përreth dhe po e kapërcejnë me dëmet më minimale këtë përmbytje të madhe".
13/01/2010