E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me banorë të shpërngulur nga përmbytja

- Dua t’ju garantoj se çdo dëmtim, i krijuar nga ujërat, duke filluar nga lodrat e këtyre vogëlushëve, tek librat, orenditë, dhe çdo gjë tjetër, deri tek të mbjellat dhe gjithçka që ju ka ndodhur, qeveria do ta kompensojë.
- Me projekte madhështore dhe përkujdesje maksimale do të bëjmë çdo gjë që ujërat të jenë mrekullia e Shkodrës dhe të mos shndërrohen në përmbytje dhe fatkeqësi.

Kryeministri Berisha, pas mbledhjes së qeverisë së zhvilluar në Bashkinë e Shkodrës, u takuar me banorë të shpërngulur nga zonat e përmbytura, të cilët janë strehuar në ambientet e hotel "Rozafa". Duke përshkruar në këmbë rrugën drejt hotel "Rozafa", Kryeministri u përshëndet përzemërsisht me qytetarët, të cilët e falënderuan atë për mbështetjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme që qeveria u ka dhënë në këto momente të vështira për ta.
Kryeministri Berisha, duke iu drejtuar banorëve të evakuuar, theksoi se qeveria ka qenë në çdo moment në ndjekje të situatës, si dhe i siguroi banorët se do të bëhet çdo gjë për të dëmshpërblyer të gjitha dëmet e krijuara nga përmbytja.
“Së pari, dua t’ju siguroj se çdo minutë dhe çdo orë kemi qenë dhe jemi me dhimbjen tuaj. Së dyti, dua t’ju garantoj se çdo dëmtim i krijuar nga ujërat, duke filluar nga lodrat e këtyre vogëlushëve, tek librat, orenditë dhe çdo gjë tjetër, deri tek të mbjellat dhe gjithçka që ju ka ndodhur, qeveria do ta kompensojë. Unë tani po vij nga një mbledhje qeverie, të cilën e zhvilluam sot në Shkodër. Projekte shumë të mëdha do të nisin për qëllime të shumëfishta. Sot “Livadhet” janë ende nën ujë, por ju garantoj se shumë shpejt, me fillimin e punimeve për by-passin, i cili do të jetë edhe by-pass edhe argjinaturë, lagjja do t’i  largohet me shpejtësi të madhe përmbytjeve. Sot nisi thellimi i Bunës, që është një thellim për emergjencë, por që ne do të hartojmë projektin dhe do ta bëjmë të plotë atë. Jam jashtëzakonisht i frymëzuar dhe i inkurajuar nga qëndrimi i juaj. Këtë fatkeqësi reale natyrore ju e përballuat me guxim, kurajë, vendosmëri dhe shkallë të lartë qytetarie. Të gjitha këto kanë bërë që në Shqipëri dhe kudo të ketë një simpati dhe solidaritet të madh për ju. Shpresoj që sa më shpejt të evakuohen ujërat dhe ne do të bëjmë çdo gjë për evakuim të shpejtë të tyre. Kemi marrë ekspertët më të mirë të Italisë dhe janë këtu për të na ndihmuar në aspektin se cilat ndërhyrje janë më efikase në tërheqjen e ujërave, për ta shpejtuar largimin e tyre. Sot kemi filluar me një dragë thellimin e derdhjes së Bunës, e cila është e lartësuar, si dhe do të vijë edhe një dragë tjetër për këtë qëllim. Kështu, dy draga shumë të fuqishme po punojnë për ta thelluar derdhjen e Bunës, për të tërhequr ujërat. Më pas, do të jetë projekti i zhdukjes të të gjitha pasojave dhe normalizimi i jetës tuaj. Por mënyra e qytetëruar me të cilën ju e përballuat këtë situatë, është frymëzuese për çdo shqiptar”, u shpreh Kryeministri.
Më tej, Kryeministri Berisha u interesua edhe për kushtet në të cilat po trajtohen banorët e shpërngulur në mjediset e vëna në dispozicion nga qeveria. Banorët u shprehën të kënaqur, me kushtet që u janë ofruar, me ushqimin e bollshëm dhe mikpritjen e gjithanshme që është ofruar. “Jam 55 vjeç dhe mbaj mend edhe përmbytjen që ndodhi në 1963, si dhe shumë përmbytje të tjera që na kanë ndodhur, - iu drejtua kryeministrit një banor i Bahçallëkut, një prej lagjeve më të dëmtuara të qytetit të Shkodrës. Por dua t’jua falënderoj, pasi asnjëherë nuk na janë gjendur pranë si kësaj radhe, me këtë ndihmë të jashtëzakonshme”.
Po sot, një numër i madh mësuesish dhe nxënës të shkollave të mesme të qytetit të Shkodrës, kishin ardhur për t’iu gjendur pranë familjeve të evakuuara nga përmbytja.
Kryeministri Berisha iu bëri me dije banorëve të lënduar nga kjo fatkeqësi natyrore se qeveria është e angazhuar maksimalisht në kapërcimin e pasojave të përmbytjes, por edhe për t'i dhënë fund një herë e mirë kërcënimit të Shkodrës nga ujërat, përmes projekteve madhore.
“Ne do të bëjmë gjithçka për të kapërcyer këto pasoja. Dhe do të bëjmë gjithçka tjetër, me projekte shumë të mëdha dhe shumë të kushtueshme, për t’i bërë sa më minimale pasojat. Ju e dini se pozicioni i Shkodrës, është i tillë dhe mrekullia e Shkodrës është vetë pozicioni i saj. Ujërat e shumtë, terreni i Shkodrës, kërkojnë një përkujdesje të madhe, që të mos mund të shndërrohen në fatkeqësi. Dhe ne do të bëjmë gjithçka, si me thellimin e Bunës, një projekt ndër më të kushtueshmit dhe më madhështorët për vendin; me by-passin që nuk do të jetë më një rrugë e zakonshme, por do të jetë një argjinaturë e ngritur për t’ju mbrojtur nga liqeni dhe çdo gjë tjetër, në mënyrë që ujërat të jenë mrekullia e Shkodrës dhe të mos shndërrohen në përmbytje dhe fatkeqësi”, theksoi Kryeministri Berisha.
“Kjo ishte një fatëkeqësi natyrore, - u shprehën banorët, - por mbështetja që ju dhe pushteti lokal na keni dhënë, ka qenë e jashtëzakonshme dhe për këtë ju falenderojmë përzemërsisht. Qeveria  na ka qëndruar pranë 24 orë”. 13/01/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›