E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha viziton komunën e Bushatit, për të parë nga afër situatën e krijuar nga përmbytjet

-          Kryeministri siguroi se, në mënyrë të vazhdueshme, ai dhe autoritetet përkatëse po ndjekin situatën hap pas hapi, natë e ditë, dhe ajo  është nën kontroll të plotë
-          Dua t’ju bëj thirrje banorëve në këto zona, të largohen nga çdo banesë në rrezik. Dua t’i siguroj se qëllimi ynë kryesor është jeta e njerëzve, shëndeti i tyre, pastaj të tjerat ne do t’i kompensojmë plotësisht.
Kryeministri Berisha vizitoi sot komunën e Bushatit, për të parë nga afër situatën e krijuar nga përmbytjet dhe masat e marra për përballimin e vështirësive të krijuara.
Kryeministri përgëzoi autoritetet vendore dhe gjithë banorët e kësaj komune, për mënyrën burrërore me të cilën kanë përballuar këtë përmbytje. Gjithashtu, Kryeministri bëri thirrje për evakuimin e banorëve të mbetur, si një domosdoshmëri për të mbrojtur jetët njerëzore, ndërsa siguroi kompensimin e plotë të çdo dëmi. “Dua t’ju bëj thirrje atyre që të largohen nga çdo banesë në rrezik. Dua t’i siguroj se qëllimi ynë kryesor është jeta e njerëzve, shëndeti i tyre, pastaj të tjerat ne do t’i kompensojmë. Qeveria është e vendosur që sapo të kapërcejmë këtë moment, të ulemi, ta vlerësojmë dëmin bashkërisht me ju dhe ta kompensojmë atë plotësisht. Por jetët e njerëzve janë gjëja më e çmuar, pastaj vjen gjëja e gjallë që sigurisht është jashtëzakonisht e rëndësishme për jetën e banorëve. Në detyrimin dhe mençurinë tonë është që ne të minimalizojmë dhe të bëjmë çdo gjë për të pasur dëme sa më minimale”, tha Kryeministri.
Gjithashtu, Kryeministri bëri të ditur se i ka kërkuar Komitetit Ndërministror që të identifikohen të gjitha familjet që kanë pritur në shtëpitë e tyre banorë të evakuuar, në mënyrë që atyre t’u ofrohet  ndihmë. “Ata kanë bërë një veprim shumë të lartë dhe ne i vlerësojmë shumë. Ne jemi të përgatitur me të gjitha kapacitetet për t’i pritur këta banorë në hotele dhe në konvaleshencë, por edhe mikpritja është një traditë dhe solidaritet i madh njerëzor që ne e kemi. Por pavarësisht kësaj, ne duam që në çdo familje të dërgojmë ndihma ushqimore, veshje e çdo lloj ndihme tjetër të nevojshme, për ta kapërcyer me sa më pak dhimbje këtë situatë të krijuar”, vijoi Kryeministri.
Drejtuesit vendorë e siguruan Kryeministrin se ndarja e këtyre ndihmave bëhet në bashkëpunim me kryesinë e fshatit dhe autoritetet e tjera vendore. Edhe evakuimi i banorëve është bërë në sajë të ndihmës së madhe të dhënë edhe nga forcat e ushtrisë .
Kryeministri i përgëzoi dhe i falënderoi ata për gatishmërinë e treguar, ndërsa i siguroi se, në mënyrë të vazhdueshme, ai dhe autoritetet qeveritare, e ndjekin situatën natë e ditën dhe ajo  është nën kontroll. “Unë ju garantoj se situata është nën kontroll dhe shkarkimet e ujit që po bëjmë janë të imponuara, të domosdoshme dhe jetike për një siguri më të madhe të të gjithë zonës dhe të të gjithë vendit. Digat dhe portat funksionojnë shumë mirë dhe gjithçka është nën kontroll. Ne do të bëjmë çmos të mos kemi asnjë humbje jete njerëzore dhe sa më pak dëme në gjënë e gjallë. Ndërsa dëmet e tjera do t’i riparojmë bashkërisht dhe do ti bëjmë ato të paqena”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri u kërkoi drejtuesit vendorë dhe banorët e zonës që për çdo problem që do të kenë,  të lidheni direkt me Kryeministrin, me Komitetin Ndërministror të Emergjencës, me Kryetaren e Kuvendit. “Ne jemi këtu ditë e natë me ju. Ju bëj thirrje edhe njëherë që të evakuoheni, në mënyrë që të mos luajmë me ujin”, nënvizoi Kryeministri. Kryeministri vuri në dukje se ka pasur raste që përmbytjet nuk i kanë përballuar as shtete më të fuqishme se Shqipëria. Ndaj mençuria më e madhe është që t’i largohemi rrezikut të tyre. Sepse në këto kushte vështirësohet edhe ndihma, tha Kryeministri.       08/01/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›