Kryeministri Berisha: Po plotësohet premtimi elektoral për “Brain Gain”
Kryeministri Berisha gjatë një takimi që zhvilloi sot me 27 përfituesit e parë të Fondit të Ekselenës, u shpreh se me anë të këtij programi po përmbushet premtimi elektoral për “Brain Gain”.
“Dua t’ju përshëndes përzemërsisht dhe të shpreh kënaqësinë që plotësoj një nga zotimet tona elektorale të programit të “Brain Gain”, për të mbështetur ekselencat shqiptare të doktorohen në universitetet më të mira të perëndimit”, tha Kryeministri Berisha.
Gjatë përshëndetjes së përfituesve të Fondit të Ekselenës, Kryeministri siguroi se qeveria do të bëjë të gjitha përpjekjet që me anë të këtij programi të mbështesë çdo ekselencë shqiptare dhe se do të përpiqet t’i kthejë ata në Shqipëri përkohësisht apo përfundimisht.
“Ne do të përpiqemi që me anë të këtij programi të mbështesim çdo ekselencë shqiptare kudo që ndodhet. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që trurin shqiptar t’a tërheqim përkohësisht ose përfundimisht, duke rritur në këtë mënyrë më shumë kapacitetin e vendit”, tha Kryeministri.
Objektivi i Programit “Brain Gain” është mbështetja e qeverisë në krijimin e elementëve nxitës dhe të mekanizmave politikëbërës, për të ndryshuar efektivisht angazhimin e diasporës shqiptare në zhvillimin shkencor, administrativ dhe ekonomik të vendit.