E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Premtimet e mbajtura, emblema e qeverisë sime

Kryeministri Berisha inauguroi sot punimet në argjinaturën e Lumit Mat në Komunën Milot, një investim i buxhetit të shtetit me vlerë 76 milionë lekë. 

Kryeministri tha se qeveria e drejtuar prej tij deklaroi që në fillim emergjencë të të gjitha emergjencave parandalimin e përmbytjeve, duke i përqendruar investimet në mënyrë të fuqishme në argjinatura, në thellimin e shtretërve të lumenjve dhe kanale.      
 
“Në këtë zonë, në të dyja anët e lumit të Matit qeveria ka investuar për parandalimin e përmbytjeve dhe ndërtimin e argjinaturave 141 milionë lekë. Një shumë e madhe është investuar në Lezhë dhe kudo. Në kohëra të mira duhet të përgatitemi për kohëra të vështira”, u shpreh Kryeministri.

Më tej, Kryeministri Berisha tha se ndonëse në këto dy vjet nuk ka patur reshje të mëdha, lumi i Matit, i cili ka një nga shtretërit më të gjerë, përbën një rrezik të madh për të gjithë zonën, në rast se nuk ngrihen argjinatura.     

“Në komunën e Milotit kanë përfunduar dhe janë projektuar një seri investimesh të tjera. Projektet janë të shuma, ka në projekt një ujësjellësin, është ndërtuar shkolla 9-vjeçare, dy shkolla të tjera janë rikonstruktuar,  si dhe projekte të tjera në rrugë, të cilat janë një kontribut për zhvillimin e kësaj zonë, pasi Miloti është një qendër e lashtë dhe ka qenë kryeqyteti i Kurbinit. Në Kurbin kanë funksionuar që në vitet 1600 shkollat shqipe me germat dhe alfabetin latin që kemi sot. Pra, është një trevë me traditë shumë të madhe dhe gjithanshme”, tha Kryeministri.

Ndaj, vijoi më tej Kryeministri Berisha, më vjen mirë që këtu kemi bërë investime të mëdha dhe premtimet janë mbajtur. “Siç e shihni, i gjithë ky serial investimesh dhe premtimesh të mbajtura është emblema e qeverisë sime. Në komunën e Shënkollit po ashtu kishte 10 projekte me 220 milionë lekë të reja. Edhe këtu gjithashtu janë 8 projekte me rreth 200 milionë lekë. Ne po mbajmë premtimet dhe paratë e taksapaguesve po i shndërrojmë në rrugë, ujësjellës, kanalizime, argjinatura, qendra komunitare. Po bëjmë të gjitha përpjekjet që Shqipëria të ndryshojë me shpejtësi”, nënvizoi më tej Kryeministri Berisha.  

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›