Kryeministri Berisha: Binomi premtim-investim, binom i pandarë i qeverisë
Gjatë vizitës në Laç, Kryeministri Berisha u ndal dhe vizitoi shkollën 9-vjeçare “28 Nëntori” në Fushë-Milot, e cila përbëhet nga dy komplekse mësimore, bashkëfinancim i buxhetit të shtetit dhe World Vision.
Duke vizituar ambientet e brendshme të shkollës, Kryeministri Berisha u shpreh i kënaqur me cilësinë dhe standardet bashkëkohore të ndërtimit të saj.
“Shkolla është e të gjitha standardeve bashkëkohore. Ajo ka 24 nxënës për klasë, një standard i premtuar nga qeveria që unë drejtoj. Shkolla është pajisur gjithashtu me kabinet informatike, një tjetër premtim i qeverisë dhe së shpejti do të lidhet me internet. Kryetari i Bashkisë më informoi që dy shkollat e tjera janë të lidhura tashmë me internet. Në këtë mënyrë ne po konkretizojmë çdo ditë premtimet e dhëna. Kudo ku shkojmë, binomi premtim-investim dhe investim-premtim është binom i pandarë i qeverisë sime ”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha tha se arsimi është prioritet i qeverisë dhe se janë realizuar dhe janë duke u realizuar një sërë projektesh që përmirësojnë dhe modernizojnë infrastrukturën arsmimore, sikundër në vëmendje të qeverisë janë edhe arsimtarët, të cilët, edhe këtë vit, do të përfitojnë një rritje të konsiderueshme të pagës.