E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Procesi i decentralizimi, përmirëson cilësisht shërbimet ndaj qytetarëve

- Kryeministri: Do rrisim financimet për qeverisjen vendore me 25 për qind

Kryeministri Berisha përshëndeti sot, gjatë një takimi me kryetarin e bashkisë së qytetit të Fierit Baftjar Zeqo dhe me anëtarë të Këshillit Bashkiak, vullnetin e mirë që kanë treguar autoritetet e pushtetit vendor për procesin e decentralizimit.
"Decentralizimi, - tha Kryeministri, - do të përmirësojë në mënyrë cilësore qeverisjen vendore dhe shërbimet ndaj qytetarëve. Kapacitetet e qeverive vendore janë plotësisht të afta për t'i menaxhuar të gjitha kompetencat që do t'u delegojmë".

Kryeministri mbështeti gatishmërinë e shprehur nga kryetari i bashkisë së Fierit, për marrjen e kompetencave për menaxhimin e ujësjellësit, si dhe siguroi se së shpejti do të fillojnë punimet për ujësjellësin e ri të qytetit.

Kryeministri solli si përvojë pozitive decentralizimin e sistemit e taksave, duke vlerësuar se kjo nismë po jep efektet e saj pozitive. Kryeministri kërkoi që gradualisht të mundësohet vjelja e taksës së pasurisë, e cila, theksoi Kryeministri, në disa nga vendet më të zhvilluara në botë, është taksa më kryesore.

Kryeministri tha se qeveria do të rrisë financimet për qeverisjen vendore me 25 për qind dhe do të mbështesë çdo projekt që lidhet ngushtësisht me përmirësimin e shërbimeve publike për qytetarët.

Kryeministri Berisha theksoi se ky qytet është një nga epiqendrat me potencial industrial e të gjithanshëm dhe për të janë parashikuar investime dhe projektet më të mëdha. Në këtë drejtim, Kryeministri vlerësoi projektet për ndërtimin e termocentraleve dhe impianteve të gazifikimit, të linjave të transmetimit drejt Italisë, duke i konsideruar këto investime një perspektive të madhe për qytetin. Kryeministri kërkoi gjithashtu që në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e pushtetit vendor të punohet për ndërtimin e parkut industrial të Fierit. "Ndonëse Fieri ka prodhim bujqësor ndër më të zhvilluarit në Shqipëri, ai sërish mbetet një qytet industrial dhe ky është avantazh i madh për këtë qytet. Ndaj, duhet përcaktuar një zonë dhe të ndërtojmë një park industrial, duke i krijuar kushtet e duhura investitorëve," u shpreh Kryeministri. Ai kërkoi nga autoritetet e pushtetit vendor të shfrytëzojnë nismën "Shqipëria 1 euro", një mundësi shumë e madhe për pushtetin vendor që të shumëfishojë buxhetin e tij.

Duke folur për projektet infrastrukturore, Kryeministri vlerësoi se qyteti i Fierit ka lidhjet më të mira të transportit, duke u lidhur me portin dhe kryeqytetin me rrugë të standardeve bashkëkohore me katër korsi. Ai bëri të ditur disa nga projektet që pritet të fillojnë së shpejti, si fillimi këtë muaj i punimeve për rehabilitimin e aksit rrugor Fier-Patos, rehabilitimi i rrugës që lidh Fierin me Ballshin, fillimi në ditët në vazhdim i punimeve për ndërtimin e ujësjellësit, si dhe për ndërtimin e bypass-it me katër korsi.

Duke risjellë në vëmendje projektin për ndërtimin e universitetit, Kryeministri tha se me Ministrinë e Arsimit dhe pushtetit vendor do të punohet për ngritjen fillimisht të një apo dy degëve të tij, për të shkuar më pas drejt konkretizimit të plotë të universitetit.

Kryeministri informoi gjithashtu se së shpejti do të mblidhet Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës dhe do të shqyrtojë planin rregullues të qytetit të Fierit. Lidhur me këtë, Kryeministri përgëzoi kryetarin e bashkisë për këtë iniciativë, duke vlerësuar se plani i përgjithshëm rregullues i qytetit është Kushtetuta e zhvillimit të tij.

Në bashkëbisedimin me kryetarin e bashkisë dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak, Kryeministri ndër të tjera, u shpreh:

"Kam ardhur të takohem sot me ju dhe t'ju siguroj, në emër të qeverisë që unë drejtoj, se jemi të vendosur të bashkëpunojmë në partneritet të ngushtë me drejtuesit e pushtetit vendor, në mënyrë që sëbashku t'u shërbejmë më mirë qytetarëve shqiptarë.

Qytetarët i ndërtojnë vetë pasuritë e tyre, duke shfrytëzuar liritë dhe ligjet e vendit, ndërsa ne mbetemi dhe duhet të mbetemi shërbëtorë të tyre. Sa më të suksesshëm të jemi në këto shërbime, aq më mirë përmbushim detyrën tonë.

Gjithashtu dua t'ju siguroj se të gjitha problemet që ju ngritët sot këtu, qeveria do t'i trajtojë me përparësi. Ju diskutuat për çështje që duhet të marrin zgjidhje imediate, siç është decentralizimi i ujësjellësit dhe zgjidhja e çështjes së pronave. Shqipëria i ka sot të gjitha kushtet për të zbatuar tërësisht procesin e decentralizmit. Këtë proces e ngadalësojnë vetëm ato mendësi që nuk arrijnë të kapin kohën. Skema për ujësjellësit është bërë gati dhe do t'ju dorëzohet juve. Unë nuk kam as dyshimin më të vogël që ju do t'i menaxhoni ato më mirë, sesa drejtoritë qendrore dhe për këtë, unë kam besim të plotë. Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit ka përgatitur skemën përfundimtare dhe do të përpiqemi që ky vendim të merret brenda muajit shtator. Jam i bindur se kjo do të përmirësojë shërbimin ndaj qytetarëve.

Përsa i përket çështjes së pronave, për rreth 10 vjet funksionon një Agjenci, e cila, për të mos i mohuar punën që ka bërë, mund të them se ka edhe një nga meritat e padëshirueshme që e ngadalëson procesin. Por, kjo Agjenci do të vihet para alternativës ose do të shkrihet, ose do të shpejtojë procesin. Mekanizmat burokratike që mbajnë dosjet për mbijetesë nuk janë të dobishme. Kjo agjenci, me një staf prej 36 punonjësish, duhet të bëjë zgjedhjen ose të përshpejtojë procesin, ose ajo do të shkrihet. Nëse ajo do të shkrihet, do të gjendet një tjetër mekanizëm, i cili do t'i dorëzojë bashkive dhe komunave të Shqipërisë pronat. Unë isha në jug të vendit dhe vura re që kullotat digjeshin, ndërkohë që komunat nuk kishin autoritetin mbi to, pasi janë ende të padecentralizuara. Unë mbetem i bindur se decentralizimi do të përmirësojë në mënyrë cilësore qeverisjen vendore dhe shërbimet ndaj qytetarëve. Kapacitetet e qeverive vendore janë plotësisht të afta për t'i menaxhuar të gjitha kompetencat që duhet t'ua delegojmë. Ndaj, unë vij këtu kaq i sigurt.

Dua t'ju siguroj se mbledhja e radhës së Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KKRRTRSH) do të mblidhet së shpejti. Zoti kryetar, të përgëzoj në mënyrë të veçantë për planin e përgjithshëm rregullues të qytetit, duke u bërë një shembull në këtë aspekt. Plani i përgjithshëm rregullues i qytetit është Kushtetuta e zhvillimit të tij. Për këtë ju keni dhënë një shembull të shkëlqyer dhe uroj që këtë shembull ta ndjekin të gjithë qeveritarët e bashkive të mëdha të vendit dhe të territoreve të tjera.
Ne po bëjmë ligjin e urbanistikës dhe konteksti i këtij ligji është shumë më transparent. Ligji ofron një shërbim shumë të shpejtë, çfarë krijon mundësi krejt të tjera.

Zoti kryetar,

Fieri është një nga epiqendrat me potencial industrial tepër cilësor dhe të gjithanshëm. Në këtë kontekst, do t'ju ftoja që çdo ditë ju, dhe bashkëpunëtorët tuaj, ta masni punën me ndihmesën që jepni në zhvillimin e këtyre potencialeve. Ne jemi një vend tmerrësisht kohë humbur. Jemi vend me pasuri të pafundme, por që nuk janë shndërruar në vlera për qytetarët, sepse e tillë ka qenë koha. Ndaj ju ftoj që të bëni çdo përpjekje që të mbështesni biznesin vendas dhe të huaj në mënyrë të veçantë. Ligji i partneritetit publik privat mund të bëhet një levë arkimedi për ju, për kryetarin e Qarkut, për të gjithë. Ky ligj njeh si autoritet kontraktues çdo institucion për veprimtarinë e ekonomike që varet prej tij. Ju, edhe para këtij ligji, keni dhënë këtë shembull të mirë. Keni tregun privat dhe i kam kërkuar Ministrit të Bujqësisë që të nxisë sa më shumë këtë iniciativë. Ne nuk mund të pretendojmë të jemi menaxherë më të mirë se privati. Prandaj, le ta nxisim sektorin privat që të ndërtojë. Po kështu, në kuadër të këtij ligji, mund t'i transferojmë te sektori privat edhe shumë shërbime të tjera.

Sektori privat ka dy merita; së pari është më efiçent në menaxhim dhe së dyti, në këtë mënyrë largojmë korrupsionin nga administrata. Nuk ka detyrë më të rëndësishme për mua, dhe për ju, sesa një luftë të përditshme me procedura dhe me çdo mjet ndaj korrupsionit.

Fieri, deri tani ka investime të parashikuara më shumë se gjithë Shqipëria. Ka projekte shumë të mëdha. Projekte të termocentraleve gjigante, impianteve të gazifikimit, të linjave të transmetimit drejt Italisë, të termocentraleve në zonën e ish termocentraleve të vjetra. Këto përbëjnë një perspektive të madhe për këtë qytet. Do t'ju kërkoja ju, dhe ju sigurojë se do t'ju ndihmoj për këtë, që përveç këtyre projekteve që tashmë i kanë të përcaktuara vendet, të punojmë bashkërisht për një park industrial, sepse Fieri është qytet industrial. Ai ka prodhim bujqësor ndër më të zhvilluarit në Shqipëri, por sërish mbetet një qytet industrial dhe ky është avantazh i madh për këtë qytet. Ndaj, duhet përcaktuar një zonë dhe të ndërtojmë një park industrial, duke i krijuar kushtet e duhura investitorëve.

Qeveria, sëbashku me ju, investon për të shtruar rrugën, ndërtuar ujësjellësa dhe për furnizimin me energji, ndërsa ata të investojnë. Le të shfrytëzojmë nismën "Shqipëria 1 euro", që çdo kryetar bashkie e ka mundësi shumë të madhe që të shumëfishojë buxhetin e tij.

Në fushatën elektorale, unë i kam premtuar qytetareve universitetin. Unë i qëndroj fjalës time. Bashkërisht duhet të punojmë të ngremë fillimisht sa më shpejtë një apo dy degë, në mënyrë që të shkojmë drejt konkretizimit të plotë të këtij universiteti. Këtë e kam kërkuar këtë gjë për ju, për Beratin dhe për Lushnjën. Unë kam mbështetur idenë që të ngrihej menjëherë universiteti, por Ministria e Arsimit dhe ekspertët janë të mendimit që më parë të ngrihen disa degë, të konsolidohen dhe pastaj të shkohet drejt hapjes së plotë të universitetit. Kjo është më racionale dhe më serioze. Bashkërisht me Ministrinë e Arsimit le të diskutojmë se cilën degë do të hapim fillimisht këtu. Ju e njihni më mirë tregun e rajonit, le të procedojmë sa më shpejtë dhe të ngremë degën e shkollës së lartë dhe të shkojë më tej drejt hapjes së universitetit.

Ju ngritët dhe çështjen e spitalit dhe ju siguroj se qeveria do ta shqyrtojë me seriozitet këtë. Një vit më parë, kam kërkuar rikonstruksionin e plotë të spitalin tuaj. Por, në rast se ekzistojnë mundësitë, mbështes në mënyrë absolute ndërtimin e një spitali të ri rajonal, sepse Fieri është një nga qarqet me numër më të madh të popullsisë.

Këto ditë inaugurohet dhe fillimi i punimeve për ndërtimin e ujësjellësit. Fieri është i vetmi qytet që do të ketë bypass me katër korsi. Financimi për të është i siguruar, por do të respektojmë procedurat e bankave dhe do procedojmë sa më shpejtë për këtë bypass. Ky qytet lidhet me portin dhe kryeqytetin katër korsi, duke pasur lidhjet më të mira të transportit. Ne do të përmirësojmë aksin rrugor Fier-Patos, punimet për të cilin do të fillojnë këtë muaj. Gjithashtu do të përmirësojmë rrugën që lidh Fierin me Ballshin në mënyrë që të mund të ndryshojë në tërësi infrastruktura për qytetin.

Ne decentralizuam sistemin e taksave dhe kjo nismë po jep efektet e saj. Në Sarandë mora raportime pozitive, e njëjta gjë në Gjirokastër dhe të njëjtin vlerësim jam i bindur se do të marr dhe nga ju. Pra, kjo nismë pati një efekt pozitiv. Gradualisht dhe bashkërisht duhet të bëjmë që taksa e pasurisë të zërë vendin e vetë. Ne kemi vendosur nivele të ulëta të taksave në Europë dhe jemi të gatshëm t'ua faktojmë këtë. Një komb nuk mund të ndërtohet kurrë, nëse nuk përcakton disiplinën fiskale. Taksa e pasurisë, ashtu sikurse e dini, është taksa më kryesore në disa nga vendet më të zhvilluara në botë. Në këtë drejtim, është bërë progres. Për shembull, ne kemi projektin e menaxhimit të tokës, një projekt me vlerë rreth 50 milionë euro, por kërkohet që të vilet dhe taksa e pasurisë.

Duke mbyllur këtë fjalë dua t'ju siguroj se ne do të rrisim financimet për qeverisjen vendore. Ne kemi synim që ky financim të rritet me 25 për qind. Unë kam bindjen më të thellë se qeveritë vendore janë investitorë shumë të mirë. Taksat janë të qytetarëve dhe ne do të punojmë shumë në këtë drejtim, me qëllim që kjo të realizohet".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›