Kryeministri: Pushteti vendor, rol të rëndësishëm në menaxhimin e pasurisë kombëtare dhe përmirësimin e shërbimeve
Në përmbyllje të vizitës në Fier, Kryeministri Berisha u takua me kryetarët e bashkive dhe të komunave të qarkut të Fierit.
Autoritetet vendore falënderuan Kryeministrin për vizitën dhe asistencën si dhe për kompetencat e reja në fushën e biznesit që qeveria e drejtuar nga Kryeministri Berisha ju ofron atyre. Kryeministri i sugjeroi pushtetit vendor të kontribuojë në përmirësimin e klimës së biznesit, duke kontrolluar aplikimin e paketës së re fiskale dhe të aplikimit të nismës "Shqipëria, 1 euro".
Kryeministri theksoi se partneriteti i pushtetit qendror me pushtetin vendor për zbatimin e reformave dhe zhvillimin e vendit janë një nga shtyllat kryesore të qeverisë. Ai u ndal në rolin e tyre dhe të qeverisë qendrore, si dhe u premtoi vënien në rrugë të zgjidhjes të të gjitha problemeve që ata ngritën.
Duke u ndalur gjerësisht në procesin e decentralizimit, Kryeministri tha se ky proces përbën shtyllën kryesore të fuqizimit të pushtetit vendor. Decentralizimi synon jo vetëm fuqizimin e këtij pushteti, duke deleguare një sërë kompetencash, por edhe përmirësimin e menaxhimit të pasurisë kombëtare dhe zhvillimit rajonal. Askush më mirë se ju, - tha Kryeministri, - nuk njeh më mirë problemet lokale dhe mënyrën e zgjidhje së tyre, përsa u përket shërbimeve ndaj popullit. Prandaj qeveria po ecën drejt përfundimit të kalimit të këtyre kompetencave dhe përgjegjësive në pushtetin lokal, i cili jo vetëm do të për mirësojë shërbimet, por dhe do të përfitojë dhe rrisë buxhetin e tij nga të ardhurat e realizuara.
Kryeministri informoi drejtuesit vendor se në kuadër të partneritetit publik privat, qeveria po nxit biznesin vendas e të huaj, sidomos në sektorin energjetik, të paraqesë projekte për shfrytëzim sa më të mirë të lumenjve. Kjo i jep mundësi asaj të përzgjedhë variantin më të mirë për të hapur tendera, ku konkurrohet në bazë të ligjit të prokurimit publik dhe konkurrencës. Ai kërkoi nga autoritetet vendore të veprojnë në të njëjtën mënyrë për të nxitur iniciativat sipërmarrëse në komunat, baskitë, rrethet dhe qarqet e tyre. Kryeministri theksoi se në këtë mënyrë do të rriten buxhetet për ta, sikundër edhe grantet. Prandaj detyra kryesore e tyre është rritja e numrit të projekteve dhe cilësisë së tyre.
Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:
"Së pari, dua t'ju falënderoj me mirënjohje për pritjen që më rezervuat sot, gjatë kësaj vizite shumë të rëndësishme në qarkun tuaj.
Së dyti, dua t'ju përgëzoj për punën dhe përkushtimin që ju dëshmoni në shërbim të qytetarëve që ju kanë dhënë votëbesimin dhe t'ju siguroj se qeveria, Kryeministri janë jashtëzakonisht të vendosur të hapim partneritetin me qeveritë vendore të zgjedhësve të Shqipërisë, në mënyrë që t'u shërbejmë më mirë qytetarëve shqiptarë, t'i ndihmojmë ata për të ndryshuar jetën e tyre. Ky bashkëpunim është i domosdoshëm për të bashkërenduar të gjitha resurset dhe potencialet për shpejtuar zhvillimin e qëndrueshëm të territorit të komunave, bashkive dhe Shqipërisë në tërësi.
Shqipëria ecën e sigurt çdo ditë drejt konsolidimit gjithnjë e më të madh. Pavarësisht nga kundërshtitë që kemi pasur si pozitë dhe opozitë në zgjedhjet e 18 shkurtit, arritjet ishin shumë të mëdha. Ju sot jeni me mandat 4 vjeçar dhe kjo është një arritje e madhe për ju, për qytetarët dhe vendin. Është e domosdoshme që qeveria, në bashkëpunim me ju, të kompletojë e zbatojë planet e zhvillimit rajonal, që në tërësinë e tyre janë plane të zhvillimit të qeverisjes vendore.
Qarku i Fierit është qark me potenciale të jashtëzakonshme për vendin. Pas Tiranës, Fieri është qarku me potencialet më të mëdha industriale. Në këtë qark janë të vendosura sipërmarrjet kryesore publike të Shqipërisë. Ai është gjithashtu qark me potencial të madh bujqësor dhe turistik.
Dua t'ju siguroj se në çdo përpjekje për të ndryshuar infrastrukturën e komunave dhe bashkive të këtij qarku, për të përmirësuar furnizimin me ujë, me energji elektrike, për shkollimin ë fëmijëve të tyre, shërbimin shëndetësor, qeveria do të jetë e hapur të bashkëpunojë gjerësisht me ju. Rëndësi shumë të madhe në këtë bashkëpunim ka ndarja e roleve. Natyrisht, mundësitë buxhetore të qeverisë janë shumë më të mëdha, ndërkohë që mundësitë tuaja projektuese janë shumë më të mëdha. Unë do t'ju ftoja të angazhoheni në projekte dhe mos prisni t'i bëjë ato qeveria, sepse ju i bëni më mirë dhe më me përgjegjësi sesa ç'mund t'i bëjnë zyrtarët nga Tirana. Ju e dini më mirë se ata fizibilitetin dhe leverdisshmërinë e tyre. Ndaj në të gjitha përpjekjet tuaja, unë do t'u ftoja të përparësonit projektet. Dua t'ju siguroj se do të jetë shumë e vështirë që projekti juaj të mos gjejë mbështetjen financiare.
Ne kemi rritur grantin për qeverisjen vendore dhe për këtë jemi jashtëzakonisht të kënaqur. Jemi të vendosur ta rrisim atë shumë më tepër. Unë besoj shumë në shtimin e buxhetit tuaj, sepse bashkitë janë investitorë shumë të mirë, kanë krijuar një traditë, kanë burimet dhe përkushtimin. Po kështu edhe për komunat. Ne e kemi kaluar grantin në 16 miliardë dhe nuk do të reshtim deri sa të shkojë 25 për qind. Por e vetmja gjë që duhet janë projektet.
Së shpejti do të bëhet realitet projekti i madh i rrugëve rurale me 400 milion euro. Banka Botërore e ka miratuar. Viti financiar i Bankës Botërore fillon këtë qershor dhe në muajt në vazhdim paratë do të jenë disponibël. Por këto para do t'i marrin ata që paraqesin projekte. Zona juaj është zona e përparësisë absolute, sepse ne paratë t'i adresojmë para së gjithash në zonën bujqësore, në mënyrë që t'i lehtësohet dalja në treg dhe më pas edhe në zona të tjera. Zotërinj, drejtues të pushtetit vendorë, uluni sëbashku të përcaktoni rrugët më të rëndësishme që duhet të asfaltohen dhe ndërtohen dhe paraqisni projektet.
Kjo vlen edhe për shkollat. Ne po shkojmë drejt dyfishimit të buxhetit për arsimin. Në disa aspekte ne jemi të kënaqur me tërësinë e investimeve në këtë sektor, por në disa aspekte të tjera jo. Ne kemi rritur shpenzimet dhe rrogat e arsimtarëve në dy vjet janë rritur rreth 47 për qind së bashku. Ndërkohë që duhet të ecim me shpejtësi drejt zgjerimit të arsimit profesional dhe ju e keni në dorë më shumë se kushdo tjetër. Gjatë vizitës në Delvinë, drejtuesit e bashkisë kërkuan rindërtimin e shkollës bujqësore. Menjëherë diskutova me zyrtarët përkatës dhe do ta rindërtojmë. Në Patos, kërkuan shkollën teknike të naftës dhe do ta hapim. Më informuan për shkollën bujqësore në Fier dhe shpreh keqardhjen se ajo frekuentohet nga pak nxënës, prandaj duhet të punohet për dyfishimin e tyre. Këtë dimension të arsimit duhet ta kemi parësore, sepse në këtë mënyrë përshtatim arsimin me tregun, u japim mundësi të rinjve shqiptarë të formohen në përputhje me kushtet që ka tregu.
Gjithashtu ujësjellësit me shpejtësi e përparësi absolute do t‘i kalojnë pushtetit vendor. Po ashtu pronat do të kalojnë me shpejtësi tek ju. Duke qenë tek kjo çështje, bashkërisht e dimë se reforma e pronësisë është një nga reformat më fondamentale të vendit. Ju bëj thirrje të angazhoheni të gjithë për kompletimin sa më shpejt të kësaj reforme, hartën e vlerës dhe ndërtimin e saj.Çdo reformë, para së gjithash, është vullnet politik dhe ne të gjithë e kemi këtë vullnet për ta kryer reformën e pronësisë. Por një Agjenci, cilado qoftë ajo dhe çfarëdo personeli që të ketë, pa angazhimin total tuajin dhe të ministrive, nuk mund ta kryejë reformën e pronësisë.
Gjithashtu pa angazhimin e plotë të qarqeve dhe të këshillave të territorit të bashkive procesi i legalizimit nuk ecën. Gjatë vizitës sime takova fermerët, të cilët u shpreh se pa legalizim banka nuk jep kredi dhe kjo nevojë është e qindra dhe mijëra shqiptarëve. Prandaj ju bëj thirrje ta bëjmë këtë çështje kryesore të agjendës sonë të përditshme. Njëra anë e saj është zgjidhja ligjore, por po kaq problem madhor mbetet edhe zhvillimi i pronës. Prona e pazhvilluar është pronë që degradon dhe vdes. Nëse shkoni në Karaburun, apo dilni në kepin e Gjuhëzës pamja është e mahnitshme, por çdo të bëjë pronari nëse nuk ka rrugën, energjinë elektrike dhe ujin. Natyrisht këtu nevojitet partneriteti me shtetin, me privatin. Por ne nuk mund të ndërmarrim asnjë hap partneriteti, në rast se nuk i kemi dhënë zgjidhjen ligjore problemit të pronësisë. Ka ardhur koha që ne t'i kushtojmë të gjitha energjitë tona zgjidhje ligjore të kësaj çështjeje.
Gjatë takimeve me autoritetet vendore kam diskutuar për klimën e biznesit. Më shumë se me çdo gjë tjetër, unë e mas punën time me faktin sa arrijmë që pasuritë tona të pafundme, që nuk prodhojnë kapital, që degradohen, ose flenë nën tokë t'i kthejmë në vlera për qytetarët. Kjo duhet të jetë preokupimi ynë kryesor. Ndaj ne duhet të përpiqemi për një klimë sa më të favorshme miqësore për biznesin dhe për shërbime sa më të mira. Sot inauguruam ‘one stop shop' dhe ju këtu, do të keni qendrën rajonale për regjistrimin brenda një dite të biznesit. Ne do të vazhdojmë me çdo kusht që ‘one stop shop' ta arrijmë edhe për licencat.
Ne kemi nevojë t'u ofrojmë biznesmenëve të gjitha lehtësitë e mundshme ligjore dhe një prej tyre është nisma "Shqipëria, 1 euro". Në Fier e kemi konkretizuar këtë. Dy TEC-e dhe zona e vjetër e uresë u është ofruar biznesmenëve për termocentrale. Ju e keni shumë më tepër këtë mundësi, prandaj duhet të studioni se cilën magazinë, territor apo parcelë ta ofroni me 1 euro. Sot vizitova një parcelë e cila lulëzonte, por ngjitur me të qëndronte një tjetër parcelë djerrë. Në parcelën e parë ishte futur teknologjia moderne, ndërsa në të dytën kishte shkretim total. Pushteti vendor duhet të punojë për shfrytëzimin sa më racional të pasurive tuaja.
Ligji i partneriteti publik privat i ka dhënë autoriteteve vendore të njëjtin autoritet që i ka dhënë çdo ministri. Të gjithë ju, në bazë të këtij ligji, jeni të njohur si autoritete kontraktuese. Ligji është i barabartë për të gjithë autoritetet kontraktuese dhe ju duhet ta studioni me juristët dhe ta përdorni maksimalisht për të gjitha shërbimet e mundshme, për të inkurajuar investimet dhe për shfrytëzimin e pasurive të zonave tuaja. Ky është ligji me të cilin qeveritë vendore mund të shumëfishojnë investimet dhe me efiçencë shumë të lartë.
Secili sektor ka përparësitë e veta, sektori publik ka avantazhet e veta, sikundër sektori privat ka avantazhet e tij. Hibridi i bashkëpunimit mes këtyre dy sektorëve faktohet çdo ditë e më shumë si një sukses shumë i rëndësishëm. Ndaj le të punojmë sëbashku për të shpejtuar zhvillimin. Dua t'ju siguroj se Shqipëria është shumë më e fuqishme dhe ecën shumë më shpejt nga sa ne e mendojmë. Ne duhet të jemi në lartësinë e shpejtësisë së saj.
Më lejoni t'ju shpalos disa të dhëna nga ligji i partneritetit publik privat. E filluam në mars me seriozitetin më të madh në dy tre fusha dhe që atëherë ka mundësuar që, deri në fund të këtij viti, të miratojmë projekte për hidrocentrale e të shpallim fitues për ndërtimin e tyre më shumë sesa në tërë historinë tonë kombëtare. Është kaskada e Devollit, në lumin Vjosë punojnë mbi 5 kompani të mëdha botërore, është Bushati, në lumenjtë e Alpeve po punojnë kompani të mëdha evropiane, është Osumi etj.. Këtë shembull e dhashë për të kuptuar se kush është mekanizmi i këtij ligji. Ne po e bëjmë këtë në mënyrën më liberale, sepse një variant do të ishte që ne t'i bënim projektet, por përkundrazi do të fitojnë ata që sjellin projektet më të mira. Vetëm për projektin e një lumi mund të harxhohen miliona euro nga kompanitë dhe ne përzgjedhim më të mirat.
Pavarësisht nga kjo, ne jemi të vendosur t'i rikthehemi energjisë termike.Çdo vit qeveria do të investojë për një TEC, përveç sektorit privat. Ka nisur TEC-i i Vlorës, po marrim masa që gjatë këtyre muajve të fillojë një TEC tjetër në Porto Romano, pavarësisht sesa do të investojë sektori privat dhe, në fakt, ka kërkesa të shumta për të investuar në këtë sektor. Shqipëria nuk është në atë stad që të mbetet në varësi të motit. Ajo i ka të gjitha potencialet të zgjidhë me shpejtësi çështjen e energjisë. Zgjidhja është duke prodhuar gjithnjë e më shumë, qindra e qindra megavat nga burimet termike.
Komunat dhe bashkitë kanë nevojë për një vizion, për vizionin tonë dhe tuajin që të ecim më shpejt. Duke ju falënderuar edhe një herë për punën që bëni, ju siguroj se qeveria do t'i trajtojë problemet tuaja me seriozitet të madh."