Kryeministri Berisha: Qeveria do të heqë vizat për të gjithë shtetasit e huaj që pajisen me viza Schengen

- Kryeministri Berisha kërkoi sot që të zgjerohet maksimalisht lista e vendeve, qytetarët e të cilave pajisen me viza në kufi
Kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, kërkoi vendosjen e disa standardeve të reja për të lehtësuar hyrjen në Shqipëri, për të gjithë shtetasit e huaj që pajisen me viza Schengen. Kryeministri sqaroi se kjo mundësi nuk bën fjalë për vendet e Schengen-it, sepse me ta Shqipëria nuk ka viza, por për qytetarët e atyre vendeve që marrin viza Schengen.
“Ne, si vend i vogël që jemi dhe që nuk do të mundemi të mbulojmë ndonjëherë planetin me shërbim konsullor, duhet të shohim disa standarde të tjera, që do të thotë se në Shqipëri mund të vinë pa viza të gjithë ata shtetas të huaj që marrin viza Schengen, kudo që ata ndodhen. Pra, qytetarët e çdo vendi që janë të pajisur me vizë Schengen mund të vijnë edhe në Shqipëri me atë vizë. Kjo është një mundësi e mirë për të gjithë, sepse nuk besoj të ketë vend që të mos ketë ambasadë apo konsullatë të vendeve apo të ndonjë vendi anëtar të Bashkimit Evropian. Kjo mundësi nuk bën fjalë për vendet e Schengen, sepse me ta ne nuk kemi viza, por për ato vendeve që marrin viza Schengen. Këtë standard e ka përdorur Zvicra dhe për mendimin tim është një standard i mençur”, u shpreh Kryeministri.
Drejtuar ministrit të Punëve të Jashtme, Kryeministri Berisha kërkoi që më pas, të negociohet me Komisionin Evropian, si dhe me ndonjë vend tjetër, në mënyrë që qytetarët që pajisen me viza për në atë vend, t’i kenë të vlefshme edhe për Shqipërinë.
Më tej, Kryeministri Berisha kërkoi që të zgjerohet maksimalisht lista e vendeve, qytetarët e të cilave pajisen me viza në kufi. “Duhet të zgjerohet maksimalisht lista e vendeve, qytetarët e të cilave marrin viza edhe në kufi. Ishte një kohë e artë, kur vizat merreshin vetëm në kufij, por ka qenë shumë kohë përpara. Pra, këtë regjim duhet ta shohim me përparësi. Për shumë vende ne i kemi hequr fare vizat, ndërsa për disa të tjerë duhet të përcaktojmë marrjen e vizave në kufij”, u shpreh Kryeministri Berisha.
25/03/2009