Mbyllet me sukses raundi i parë i negociatave ndërmjet Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO) dhe Republikës së Shqipërisë
Sot, u mbyll me sukses në Bruksel raundi i parë i negociatave ndërmjet Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO) dhe Republikës së Shqipërisë. Ekipi negociator shqiptar kryesohej nga z. Glori Husi, Koordinator Kombëtar për çështjet me NATO-n.
Negociatat e sotme u përqëndruan në çështjet politike dhe të mbrojtjes. Shqipëria angazhohet të përmbushë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga parimet bazë të Traktatit të Washingtonit.
Pas këtij raundi të bisedimeve, më 9 maj 2008 do të mbahet edhe një raund tjetër, gjatë të cilit do të negociohet për çështje të karakterit tekniko-ligjor, çështje të sigurisë dhe të burimeve financiare dhe njerëzore.
Pas përfundimit të negociatave dhe konsultimeve do të aprovohet një plan masash dhe veprimesh me afate të përcaktuara qartë, të domosdoshme për anëtarësimin me të drejta të plota në Aleancë, të cilat do të përmbushen gjatë kësaj periudhe, deri në pranverën e vitit të ardhshëm.