E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Qeveria është e përcaktuar për parimet më liberale në tregun e punës

Kryeministri Berisha mori pjesë sot, në përurimin e fillimit të përdorimit të sistemim të “IT”-së në Shërbimet e Punësimit, në ambientet e Drejtorisë Rajonale të Punësimit të Tiranë. Përfundimi i fazës së parë të këtij projekti, me vlerë rreth 300 mijë euro, i mbështetur nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, me financim të Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA) dhe në partneritet me Bordin Kombëtar të Tregut të Punës të Suedisë, arriti të vërë në funksionim sistemin informatik të shërbimeve të punësimit në Drejtorinë Rajonale të Punësimit të Tiranë, të Korçës dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
 
Kryeministri Berisha, në fjalën e tij përshëndetëse, falënderoi qeverinë suedeze për këtë investim dhe u shpreh se digjitalizimi i informacionit mbi punësimin është një hap shumë i rëndësishëm i qeverisë për të realizuar një nga qëllimet më madhore të saj; nismën “Shqipëria në moshën digjitale”. Qeveria shqiptare, u shpreh Kryeministri, është e përcaktuar për parimet më liberale të tregut të punës. “Digjitalizimi i informacionit mbi punësimin në tregun e punës është një hap shumë i rëndësishëm i qeverisë sime për të realizuar një nga qëllimet më madhore të saj; “Shqipëria në moshën digjitale”. Qeveria shqiptare është e përcaktuar për parimet më liberale të tregut të punës. Në këtë kontekst, të gjitha përpjekjet e qeverisë për të nxitur rritjen ekonomike, rritje e cila po ecën drejt objektivave shumë të lakmueshëm, të gjitha standardet e vendosura, sistemi fiskal, vendimi për heqjen e mbi 104 taksave, lejeve dhe licencave, reduktimi i madh i tarifave dhe i shumë prej tyre në 1 euro, të gjitha këto lehtësojnë tregun e punës. Digjitalizimi i tij, krijimi i bankës së të dhënave mbi punëkërkuesit e papunë, mbi vendet bosh dhe kërkesën e tregut, regjistrin e biznesi, kanë dhe do të kenë një impakt pozitiv në tregun e punës në tërësi”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Më tej, Kryeministri theksoi se të gjithë këta faktorë do të ndihmojnë qeverinë dhe Ministrinë e Punës në ndërtimin e politikave më të bazuara, standardeve më të mira në tregun e punës, si dhe në orientimin më të mirë të arsimit dhe trajnimit drejt tregut të punës.

Kryeministri u shpreh se qeveria është e vendosur që, në bashkëpunim me qeverinë suedeze, me donatorë të tjerë dhe me fonde nga buxheti i shteti, të digjitalizojë tërësisht sistemin e zyrave të punësimit. “Qeveria suedeze ka investuar rreth 40 milionë lekë apo 300 mijë euro për këtë projekt dhe për këtë ne i jemi shumë mirënjohës. Ne jemi të vendosur që në bashkëpunim me qeverinë suedeze, me donatorë të tjerë dhe me fonde të buxhetin e shteti të digjitalizojmë tërësisht sistemin e zyrave të punësimit. Në këtë mënyrë bëhet e mundur që të dhënat në të gjitha qarqet e vendit të jenë digjitale dhe të disponueshme për të gjithë faktorët, për punëdhënësit dhe për punëkërkuesit. Ky është një hap shumë i rëndësishëm drejt modernitetit”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha asistoi në procedurën e regjistrimit të një punëkërkuesi të papunë, që ndodhej për të kryer këtë procedurë në Drejtorinë Rajonale të Punësimit të Tiranë. Projekti i sistemit informatik të punësimit përmban krijimin e bankës së vendeve të lira të punës, krijimin e bankës së punëkërkuesve të papunë dhe regjistrin e biznesit.

Në këtë ceremoni përshëndeti Ministri e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta z.Kosta Barka dhe përfaqësuesi i qeverisë suedeze, i cili shprehu kënaqësinë për përmirësimin e tregut të punës në Shqipëri. 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›