E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon përfaqësuesin e Ministrisë së Jashtme të Izraelit, zotin Pinhas Avivi

Kryeministri Berisha priti sot në një takim përfaqësuesin të Ministrisë së Jashtme të Izraelit, zotin Pinhas Avivi, i cili shoqërohej nga ambasadorja e shtetit të Izraelit në Tiranë, zonja  Amira Arnon.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme izraelite zoti Avivi i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet e përzemërta  të kryeministrit izraelit zotit Ehud Olmert, si dhe urimet e autoriteteve të larta izraelite për marrjen nga ana e Shqipërisë të ftesës për anëtarësim në NATO, si një garanci më shumë për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha falënderoi miqtë  izraelitë për mbështetjen që Izraeli i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në proceset e zhvillimit dhe modernizimit të vendit, si dhe në proceset integruese.

Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve, me perspektivën për zgjerimin e tyre të mëtejshëm në fusha me interes të përbashkët. Përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme të Izraelit dhe Ambasadorja u shprehën se një lajm i mirë për shqiptaret dhe qeverinë shqiptare si dhe për marrëdhëniet mes dy vendeve është se në fund të muajit korrik, qeveria izraelite do të heqë vizat me Shqipërinë.

Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria po zhvillon çdo ditë e më shumë një klimë miqësore për biznesin, nëpërmjet një sërë masash që qeveria ka ndërmarrë për të lehtësuar veprimtarinë e investitorëve të huaj. Duke ftuar investitorët izraelitë të investojnë në Shqipëri, kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria paraqet mundësi të pafundme, për tu shfrytëzuar.

Në këtë kontekst, ambasadorja izraelite u shpreh se në mënyrë të veçantë  vitin e fundit shumë kompani të mëdha izraelite, po tregojnë interes për të investuar në Shqipëri dhe se së shpejti prania e tyre në vendin tonë do të jetë më e madhe. Lidhur me kete, zonja Arnon  vlerësoi  progresin impresionuese të vendit, si dhe reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në këtë drejtim.

Duke diskutuar për zhvillimet më të fundit në Kosovë, Ambasadorja e Izraelit Arnon u shpreh se Izraeli është një nga vendet donatore në mbështetje të zhvillimit të shtetit të ri të Kosovës. Në këtë drejtim do të ketë një sërë projektesh në fushën ekonomike si dhe në ekspertë. Së fundi një projekt shumë i rëndësishëm është programi për trajnimin e mjekëve kosovarë në Kosovë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›