E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Qeveria ka ndërmarrë një seri reformash të thella dhe të gjithanshme në sistemin arsimor

- Kryeministri u shpreh se në dy-tre vitet që vinë Shqipëria do të ketë një sistem shkollash tërësisht të rindërtuar apo të ndërtuar nga e para

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në punimet e konferencës kombëtare me temë “Drejt një Arsimi dhe Formimi Profesional Tërheqës dhe pranë Botës së Punës”, e  organizuar  nga Grupi Donator DACH–PLUS, Ministria e Arsimit dhe Shkencës,  Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, në ambientet e hotel “Tirana International”.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se gjatë këtij mandati qeveria ka ndërmarrë një seri reformash të thella dhe të gjithanshme në sistemin arsimor në tërësi, si dhe janë bërë përpjekje serioze në orientimin dhe ndërtimin e arsimit profesional në Shqipëri, si një kusht më përcaktues për përafrimin e tij me kërkesat dhe nevojat e tregut. “Objektiv kryesore i kësaj qeverie në arsimin e mesëm kanë qenë krijimi i mundësive reale që çdo nxënës përfundon arsimin 9-vjeçar të vazhdojë arsimin e mesëm të përgjithshëm ose profesional. Në funksion të këtij objektivi një seri e tërë konviktesh po ndërtohen apo kanë përfunduar në shumicën e rretheve periferike të vendit. Në funksion të rritjes së cilësisë së arsimit të mesëm u instalua Matura Shtetërore. Ka një përmirësim thelbësor të infrastrukturës së shkollave të vendit, proces ky që do të finalizohet gjatë dy-tre viteve që vinë. Pra, në dy-tre vjet Shqipëria do të ketë një sistem shkollash tërësisht të rindërtuar apo të ndërtuar nga e para”, u shpreh Kryeministri.

Lidhur me vendosmërinë  e qeverisë për nxitjen e arsimit profesional dhe hapjen e shkollave të reja profesionale, Kryeministri u shpreh se qeveria është e vendosur të krijojë edhe një zë tërësisht të veçantë buxhetor për arsimin profesional. ”Buxheti i vitit 2009 për këtë degë arsimi është dy herë më i lartë sesa në vitin 2005. Një ndihmë shumë të çmuar kanë dhënë donatorët dhe vendet partnere. Vetëm ndihma financiare e Bashkimit Evropian nën Instrumentin e Ndihmës së Para Anëtarësimit (IPA) për vitin 2008 parashikon një buxhet mbi 7 milionë euro për arsimin profesional dhe e njëjta shumë është parashikuar edhe për vitin 2009. Fondi shtesë është shfrytëzuar kryesisht për përmirësimin e infrastrukturës fizike dhe pajisjes së shkollave profesionale”, u shpreh Kryeministri.

Duke e vlerësuar arsimin profesional si një domosdoshmëri për t`iu përgjigjur kërkesave të tregut, Kryeministri u shpreh se ky objektiv do mund të realizohet në saj të një bashkëpunimi të ngushtë dhe një partneriteti intensiv të ministrisë së Arsimit dhe ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, me qeverisjet vendore, bashkitë dhe komunat e vendit. “Janë ato, të cilat më mirë së kushdo tjetër, njohin nevojat e tregut në rajonin dhe në zonën e tyre. Shpresoj që një bashkëpunim i ngushtë midis dy ministrive dhe autoriteteve vendore do të mund t’i japë vendit një platformë që të kapërcejë vështirësitë, një platformë e cila do të rrisë me shpejtësi përqindjet e nxënësve në shkollat e mesme që ndjekin arsimin profesional”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Më tej, Kryeministri kërkoi që t’i ofrohen nxitje të qarta sektorit privat, në mënyrë që ai të marrë pjesë aktive në partneritet apo iniciativë të tijën, në zhvillimin e arsimit dhe formimit profesional.

Në këtë konferencë merrnin pjesë Shefi i Komisionit Evropian në Shqipëri, z. Helmuth  Lohan, ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Fatos Beja, ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta z. Anastas Duro, si dhe organizatat e punëdhënësve, sindikatat, dhomat e tregtisë dhe industrisë, përfaqësuesve të qeverisjes rajonale dhe vendore, Fondacioni  Evropian i Trajnimit, donatorë, etj.

Drejtuar të pranishmëve në këtë konferencë, Kryeministri Berisha u shpreh;

“Së pari dëshiroj të përgëzoj të dy ministritë, vendet dhe organizata e huaja partnere për organizimin e kësaj konference shumë të rëndësishme, për problemin madhor të përshtatjes së arsimit dhe formimit profesional me kërkesat e tregut të punës.

Në këtë mandat qeverisës ne kemi ndërmarrë një reformë të thellë dhe të gjithanshme të sistemit arsimor në tërësi. Kështu, objektiv kryesore i kësaj qeverie në arsimin e mesëm kanë qenë krijimi i mundësive reale që çdo nxënës përfundon arsimin 9-vjeçar të vazhdojë arsimin e mesëm të përgjithshëm ose profesional. Në funksion të këtij objektivi një seri e tërë konviktesh po ndërtohen apo kanë përfunduar në shumicën e rretheve periferike të vendit. Në funksion të rritjes së cilësisë së arsimit të mesëm u instalua Matura Shtetërore. Ka një përmirësim thelbësor të infrastrukturës së shkollave të vendit, proces ky që do të finalizohet gjatë dy-tre viteve që vinë. Pra, në dy-tre vjet Shqipëria do të ketë një sistem shkollash tërësisht të rindërtuar apo të ndërtuar nga e para.

Gjatë këtyre dy muajve përfundon shtrirja e internetit, pasi janë vendosur kabinetet e informatikës në të gjitha shkollat e vendit. Rritja e cilësisë së teksteve shkollore është realizuar nëpërmjet altertekstit. Po kështu duke filluar nga data 1 maj e këtij viti, të gjithë mësuesit e Shqipërisë do të kenë një shpërblim dy herë më të madh sesa kanë pasur  në datën 1 maj të vitit 2005.

Përpjekje serioze janë bërë në orientimin profesional dhe ndërtimin e arsimit profesional në Shqipëri, si një kusht më përcaktues për përafrimin e tij me kërkesat dhe nevojat e tregut. Në këtë kontekst është zhvillim pozitiv edhe në rast se vështrojmë buxhetin. Buxheti i vitit 2009 për këtë degë arsimi është dy herë më i lartë sesa në vitin 2005. Një ndihmë shumë të çmuar kanë dhënë donatorët dhe vendet partnere. Vetëm ndihma financiare e Bashkimit Evropian nën Instrumentin e Ndihmës së Para Anëtarësimit (IPA) për vitin 2008 parashikon një buxhet mbi 7 milionë euro për arsimin profesional dhe e njëjta shumë është parashikuar edhe për vitin 2009. Fondi shtesë është shfrytëzuar kryesisht për përmirësimin e infrastrukturës fizike dhe pajisjes së shkollave profesionale. Përpjekjet serioze janë bërë për hapjen e shkollave të reja profesionale dhe zgjerimin e kapaciteteve të shkollave ekzistuese, por duhet të pranojë se përqindja e nxënësve që ndjekin këto shkolla, në raport me arsimin e përgjithshëm, është e papranueshme. Ajo është rreth 22 për qind e numrit total në një kohë kur objektivi duhet të jetë së paku 40 për qind.

Po kështu, shpërndarja e shkollave dhe profesioneve nuk i përgjigjet plotësisht nevojave të ekonomisë dhe tregut, si dhe cilësia e shkollimit profesional lë për të dëshiruar. Mirëpo,  ky është një objektiv jetik dhe një drejtim themelor i arsimit.

Të dy ministritë, të cilat janë të angazhuara në këtë proces, duhet të shqyrtojnë mirë se çfarë ndodh dhe përse zhvillimi i arsimit profesional nuk ecën me ritmet e duhura. Nga njëra anë është reale që nxënësit në tërësi preferencën e kanë për të ndjekur arsimin e përgjithshëm në raport me atë profesional, por edhe prirjet formohen. Ndaj këtë seleksionim, i cili behet me vullnetin e vetë nxënësve, duhet të përpiqemi ta ndikojmë, ndoshta që në arsimin parashkollor, duke nxitur dëshirën e tyre për një arsim  profesional. Ne nuk mund të pranojmë që kjo të bëhet një mur për mospërshtatjen e arsimit tonë me kushtet e tregut.

Së dyti, janë dy ministri që trajtojnë këtë problem. Druaj se dualizmat historikisht kanë qenë problematike në çdo gjë. Ndaj edhe shpresoj që kjo konferencë të përcaktojë një plan të qartë dhe të kthjellët, mbi të cilin ne mund të ecim për realizimin e këtij objektivi të domosdoshëm.

Së treti, nxitje të qarta i duhet ofruar sektorit privat, me qëllim që ai të marrë pjesë aktive në partneritet apo iniciativë të tij në zhvillimin e arsimit dhe formimit profesional. Fleksibiliteti, multidimensionaliteti, shumëanëshmëria e qendra të formimit profesional, largimi i dublikimeve, sepse një qendër mund të funksionojë si shkollë, mund të funksionojë edhe si qendër, mund të shfrytëzohet së paku gjatë 18 orëve në këtë funksion. Pra, është e domosdoshme që në sistemin e arsimit profesional disa vështirësi të kapërcehen me shpejtësi. Ndaj, edhe objektivat që duhet të përcaktojnë, duhet të jenë objektiva të zbatueshëm dhe për të qenë të tillë, ne do të përcaktojmë hapat dhe masat konkrete.

Të jemi të sinqertë, nuk është problem financiar. Qeveria është e vendosur të krijojë edhe një zë tërësisht të veçantë buxhetor për arsimin profesional, por ju përket ju të përcaktoni rrugët më të shpejta dhe më të sigurta të zhvillimit të tij sasior dhe cilësor.

Unë kam besim të madh se ju do t’i përcaktoni këto. Gjithashtu, jam i sigurt se këtë objektiv do mund ta realizojmë vetëm me një bashkëpunim të ngushtë, me një partneritet intensiv me qeverisjet vendore, bashkitë dhe komunat e vendit. Janë ato, të cilat më mirë së kushdo tjetër, njohin nevojat e tregut në rajonin dhe në zonën e tyre. Shpresoj që një bashkëpunim i ngushtë midis dy ministrive dhe autoriteteve vendore do të mund t’i japë vendit një platformë që të kapërcejë vështirësitë, një platformë e cila do të rrisë me shpejtësi përqindjet e nxënësve në shkollat e mesme që ndjekin arsimin profesional.

Ne jemi një vend i lirë dhe është e vështirë ti kthehemi praktikave të vjetra, që ti detyrojmë siç bëhej dikur. Kjo nuk do të ndodhë, por është e domosdoshme që ne t’i nxisim të rinjve dëshirën për profesionet dhe arsimin profesional.

Edhe një herë ju falënderoj shumë për organizimin e kësaj konference, falënderoj shumë donatorët, Komisionin Evropian, vendet partnere dhe institucionet ndërkombëtare, të cilat kanë treguar një vëmendje të veçantë për zhvillimin e këtij sektori shumë të rëndësishëm të arsimit shqiptar.

Ju faleminderit!”


31/03/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›