E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Vlera e letërnjoftimit elektronik është qindra herë më e madhe se çmimi i tij

- “Ne po shkojmë drejt liberalizimit të vizave dhe pa kompletuar këtë proces nuk mund të ndodhë. Sa më shpejt ta kompletojmë atë, aq më pozitivisht do të vlerësohemi për lëvizjen e lirë.”

Gjatë vizitës në bashkinë e Kamzës, Kryeministri Berisha u ndal në qendrën e aplikimit për letërnjoftimet elektronike, ku u njoh me ecurinë e këtij procesi.

Kryetari i bashkisë së Kamzës Xhelal Mziu informoi se në dy qendrat e aplikimit pranë kësaj bashkie kryhen 400-450 aplikime në ditë dhe garantoi se për zgjedhjet e 28 qershorit aplikojnë të gjithë qytetarët e kësaj bashkie.

Kryeministri Berisha tha se qeveria bëri një ulje të dytë të arsyeshme të çmimit të letërnjoftimit, por se vlera e këtij dokumenti është shumë herë më e madhe se çmimi i tij.

“Ne, - u shpreh Kryeministri - bëmë një ulje të dytë që mendoj se është një ulje shumë e arsyeshme. Vlera e këtij dokumenti është qindra herë më e madhe sesa çmimi. Vlera e tij është e jashtëzakonshme. Ne barazohemi, për sa i përket dokumentit të identitetit, me qytetarët e vendeve më të zhvilluara të Europës. Por nuk është vetëm ky element. Një element tjetër shumë i rëndësishëm është se ne po ecim drejt moshës dixhitale dhe kushti më themelor që qytetari të përfitojë nga shërbimet dixhitale është letërnjoftimi elektronik e pasaporta elektronike. Ne po shkojmë drejt liberalizimit të vizave dhe pa kompletuar këtë proces nuk mund të ndodhë. Sa më shpejt ta kompletojmë atë, aq më pozitivisht do të vlerësohemi për lëvizjen e lirë.”


31/03/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›