Kryeministri Berisha: Qeveria ka përparësi madhore kujdesin ndaj fëmijëve
-Kryeministri Berisha gjatë konferencës kërkoi angazhim për zero tolerancë ndaj analfabetizmit, programe dhe afate konkrete për të mos pasur më fëmijë që lypin, marrjen e të gjitha masave për regjistrimin e fëmijëve rom, si dhe propozoi ngritjen e një grupi pune pilot për të bërë verifikimin e numrit të jetimëve ne vend
Kryeministri Berisha mori pjesë sot, në punimet e Konferencës Kombëtare vjetore për Fëmijët, e zhvilluar nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta në bashkëpunim me Save the Children, UNICEF dhe Ëorld Vision Albania. Në këtë konferencë ishin të pranishëm ministri i Arsimit z.Genc Pollo, ministri i Shëndetësisë z.Nard Ndoka, zv.ministrja e Brendshme znj. Iva Zajmi si dhe përfaqësues të grupeve të interesit, të OJF-ve vendase dhe të huaja, të cilët raportojnë si dhe evidentojnë arritjet dhe problematikën e hasur në zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Fëmijët, për periudhën 2005-2010.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria do të bëjë çdo përpjekje që kujdesi ndaj fëmijëve në universin e tyre të jenë përparësia e të gjitha përparësive të qeverisë.
Kryeministri përshëndeti masat e ndërmarra nga ministritë duke realizuar një infrastrukturë të re ligjore për garantimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të fëmijëve, si dhe një infrastrukture të re sociale, për trajtimin, shkollimin dhe mjekimin e fëmijëve. “Rezultatet e këtyre masave të ndërmarra janë qartësisht evidente. Është bërë një përpjekje e madhe për një infrastrukturë të re ligjore për garantimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të fëmijëve. Është bërë një përpjekje e madhe për një infrastrukturë të re sociale, për trajtimin, shkollimin dhe mjekimin e fëmijëve. Janë krijuar strukturat për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Vaksinimi i fëmijëve ka arritur në 98 përqind. Janë decentralizuar qendrat e kujdesit social dhe janë krijuar format e kujdesit alternativ. Gjithashtu, është bërë një punë serioze kundër trafikimit të fëmijëve”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Pavarësisht këtyre arritjeve, Kryeministri u shpreh se ekzistojnë mundësitë për të bërë dhe më shumë për kujdesin ndaj fëmijëve, duke kërkuar që në të gjithë veprimtaritë dhe në programin e reformave të vendosen fëmijët si të parët e të parëve.
Kryeministri kërkoi nga ministri i Arsimit që objektivi i parë dhe më i rëndësishëm i kësaj ministrie të jetë toleranca zero ndaj analfabetizmit. “Para së gjithash nga ne kërkohet që në të gjithë veprimtarinë tonë, në mundësitë tona dhe në programin e reformave tona të vendosim fëmijët si të parët e të parëve. Ne po dyfishojmë buxhetin për arsimin dhe kjo do të thotë se ne kemi gjithë potencialin e duhur financiar për të trajtuar me zero tolerancë analfabetizmin. Asnjë fëmijë nuk duhet të jetë analfabet. Zoti ministër i Arsimit, ky duhet të jetë objektivi i parë dhe më i rëndësishëm i Ministrisë tuaj. Të vendosim çdo fond, të marrim çdo vendim dhe të kalojmë çdo ligj për të adoptuar tolerancën zero në analfabetizmin ndaj fëmijëve”, vijoi Kryeministri.
Kryeministri Berisha kërkoi gjithashtu nga ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale që të merren të gjitha masat dhe të hartohen programe me afate konkrete, me qëllim që nëpër rrugët e vendit të mos ketë më fëmijë që lypin. “Fëmijët në plan të parë dhe fëmijët të parët e të parëve do të thotë, zoti Barka, që të mos këtë asnjë fëmijë lypës në rrugët e vendit tonë. Ky vend i ka të gjitha burimet financiare, njerëzorë, logjistike dhe ka çdo gjë tjetër për të mos pasur në rrugët e tij asnjë edhe një fëmijë që zgjat dorën. Ndaj, duke përshëndetur të gjithë punën dhe përpjekjet serioze që ka bërë Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, kërkoj nga ju zoti Ministër dhe punonjësit e kësaj ministrie që të përcaktoni një program dhe afatet, në të cilin fëmijë shqiptarë në rrugët e Shqipërisë nuk do të lypin më”, tha Kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha u shpreh se krahas arritjeve të deritanishme, kujdesi për fëmijët duhet të ngrihet në një stad të ri dhe të gjithanshëm. Kryeministri tha se duhet të garantohet me çdo kush zbatimi i ligjit për regjistrimin e fëmijëve të sapolindur si dhe të merren të gjitha masat për regjistrimin e fëmijëve rom.
“Ne, zonja Koordinatore Kombëtare, bëjmë dhe do të bëjmë regjistrimin e popullatës, por unë mendoj se është e domosdoshme të merren të gjitha masat për regjistrimin fëmijëve rom. Ne jemi të vonuar dhe duhet të përqendrohemi me programe të caktuara për të regjistruar çdo fëmijë rom në Shqipërisë sepse dimë këta janë kontingjent i trafikimit”, u shpreh Kryeministri, duke kërkua nga ministritë e linjës projekte më nxitëse në kuadër të mbrojtjes dhe kujdesit ndaj fëmijëve.
Më pas, Kryeministri Berisha zhvilloi diskutime me të ftuar të tjerë në këtë konferencë duke u ndalur veçanërisht në trajtimin e fëmijëve jetim, kushtet e shkollimit të tyre, kujdesin shëndetësor si dhe strehimin e tyre. Kryeministri propozoi ngritjen e një grupi pune pilot për të bërë verifikimin e numrit të jetimëve në vend.