Kryeministri Berisha: Qeveria mbështet modernizimin e hapësirës informative shqiptare
Në 1 korrik, në Ditën e Komunikimit, të iniciuar nga Departamenti i Gazetarisë, në Universitetin e Tiranës, Kryeministri Sali Berisha u takua me studentë dhe stafin akademik të këtij Departamenti, pedagogë të gazetarisë dhe komunikimit të universiteteve të ndryshme të vendit dhe përfaqësues të njohur të medias.
Dita e Komunikimit iu kushtua teknologjisë së medias dhe edukimit. Aktiviteti kishte për qëllim promovimin e arritjeve të Departamentit të Gazetarisë në fushën e medias dhe komunikimit. Studentët e këtij Departamenti prezantuan punët më të mira të realizuara gjatë atelieve të shtypit, medias televizive, radios dhe kompjuterit.
Kryeministri Berisha falënderoi organizatorët për ftesën e bërë dhe vlerësoi punët e paraqitura në këtë aktivitet, të cilat, tha ai, trajtojnë me shumë ndjenjë e objektivitet një spektër të gjerë të Shqipërisë së problemeve, por dhe t9 Shqipërisë së përpjekjeve. “Punimet ishin të realizuara me cilësi dhe profesionalizëm frymëzues edhe për gjeneratat aktuale të gazetarëve, pasi ato mbartnin vërtetësinë e realitetit, por edhe përpjekjet për ta ndryshuar këtë realitet”, tha Kryeministri.
Duke shprehur mirënjohjen për profesionin e gazetarit, Kryeministri tha se në marrëdhënien gazetari-shoqëri, duhet të kërkohet kod dhe etikë jo vetëm ndaj gazetarit, por edhe shoqëria duhet të adaptojë ndaj tyre kod dhe etikë. “Në dallim, nga komunikatorët e tjerë, politikë, drejtues partish, qeveritarë, parlamentarë, ju jeni direkt më të lidhur, me shoqërinë, ndaj fjala juaj e lirë është kusht vendimtar për të pasur një shoqëri të lirë”, theksoi Kryeministri.
Kryeministri vuri në dukje se qeveria e kryesuar prej tij solli një risi që nuk ekziston në asnjë vend; ndërprerjen e të gjitha proceseve civile e gjyqësore ndaj gazetarëve. “Shqipëria është i vetmi vend në Europë dhe më gjerë, ku nuk ekziston asnjë padi civile e penale ndaj asnjë gazetari, çfarëdo që ai ka shkruar, për çdo zyrtar, nga Kryeministri deri te punonjësi më i thjeshtë. Kjo solli një erë të re, erën e fundit të një farse të turpshme gjyqësore, ku objekt ishin gazetarët”, u shpreh Kryeministri.
Problem i dytë, i cili ka vëmendjen e qeverisë, - vijoi Kryeministri - janë pronarët. “Ju them me bindje se kam vlerësimin më të madh për të gjithë ata, të cilët pasurinë e tyre duan ta vënë në shërbim të hapësirës së komunikimit dhe informacionit. Ky përbën një kontribut madhor. Por nuk ka gjë më të papranueshme sesa trajtimi miqësor nga pronarët të caktuar për gazetarë të caktuar”, tha Kryeministri. Në këtë drejtim, Kryeministri theksoi se "deri para një viti, në Shqipëri funksionin gazeta me 38 faqe dhe me 2 gazetarë. Të gjithë të tjerët punonin në punë të zezë, sikur të ishin klandestinë dhe jo kalorës të fjalës së lirë”.
Kryeministri siguroi se “qeveria do të bëjë çdo përpjekje për modernizimin e hapësirës shqiptare informative, pasi projekti “Shqipëria në moshën dixhitale” synon të bëjë të mundur që qytetarët shqiptarë të përfitojnë nga kjo forcë e jashtëzakonshme e zhvillimit të shoqërisë”.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Dëshiroj t’ju falënderoj për nderin që më bëtë dhe dua t’ju përshëndes ju, studentë e pedagogë, të përshëndes zotin Artan Fuga, Shefin e Departamentit të Gazetarisë, zotin Shezai Rrokaj, dekanin e fakultetit, zotin Remzi Lani, si mbështetësin financiar të këtij aktivitetit. Përshëndes gjithashtu gjithë të pranishmit në këtë takim.
Me këtë rast, dua të përgëzoj autorët e punimeve të paraqitura këtu, të cilat janë shumë interesante dhe trajtojnë me shumë ndjenjë e objektivitet një spektër të gjerë të Shqipërisë së problemeve dhe Shqipërisë së përpjekjeve, të individit të problemeve dhe individit të përpjekjeve. Punimet ishin të realizuara me cilësi dhe profesionalizëm frymëzues edhe për gjeneratat aktuale të gazetarëve. Ato janë frymëzuese sepse mbartin vërtetësinë e realitetit, por edhe përpjekjet për ta ndryshuar këtë realitet.
Ermela, personazhi i reportazhit ku trajtohej përpjekja e saj e guximshme mes sëmundjes së talasemisë dhe jetës, e ka ndryshuar realitetin e saj. Gjyshi i saj, me përkushtim të madh ia ka dalë të zhvillojë tek Ermela fibrën psikologjike. Ermela ka mundur sëmundjen dhe nuk ka asgjë më të rëndësishme në betejën me një sëmundje, me një të keqe, sesa beteja psikologjike. Në rastin e Ermelës kjo betejë është baras me cilësi jete, pasi ajo ka një cilësi jete si të gjitha shoqet e saj, madje edhe më të zhvilluar, më të lakmueshme.
Emiliano, djali që ka humbur shikimin në moshën 17-vjeçare, ia ka dalë të kompensojë me një përpjekje të madhe problemin e tij. Ne e pamë atë në këtë reportazh duke përdorur kompjuterin. Por ne duhet të jemi të vetëdijshëm për përpjekjet e jashtëzakonshme të tij për të arritur aty ku është sot.
Trajtuat gjithashtu çështjen e hekurudhave në vend. Një ide e shkëlqyer kjo. Ju jeni një gjeneratë që nuk e keni njohur socializmin, ku hekurudha është relike e saj. Socializmi ishte një dështim total ekonomik dhe menaxheria. Shqipëria nuk dispononte asnjë lloj kapaciteti publik menaxhuese në prag të shembjes së perdes së hekurt. Por Shqipëria pati meritën e madhe të mos tentojë kapitalizmin shtetëror dhe të ecë më shpejtësi në rrugën e privatizimit. Nga një vend i cili në vitin ’90 gjithçka e prodhonte në sektorin publik, në vitin ’93, 80 për qind e prodhimit do të vinte nga sektori privat. Ndërsa hekurudhat kanë mbetur po njëlloj, ndaj ju e keni trajtuar shumë bukur këtë çështje.
Kjo qeveri ia doli të marrë ftesën për në NATO, kjo qeveri firmosi MSA-në, por kjo qeveri nuk do të matet me një menaxhim publik të hekurudhës, por ajo do të japë hekurudhat me koncesion, do t’ia dorëzojë ato sektorit privat dhe ata do t’i menaxhojnë. Hekurudhat kanë një perspektivë reale. Në këtë reportazh ju e keni trajtuar shumë mirë edhe projektin me lidhjen hekurudhore me Maqedoninë. Në këtë mënyrë, Shqipëria bëhet një nyje shumë e rëndësishme e transportit ndërkombëtar hekurudhor. Ne duhet t’ia besojmë sektorit privat menaxhimin hekurudhor. Dua t’ju informoj se sektori i hekurudhave është në proces tenderi të hapur, për t’iu dorëzuar koncensionarit më të mirë dhe ofertës më të mirë.
Trajtuat gjithashtu edhe vlerat e mëdha të Krujës, si trashëgimi e madhe e vendit tonë. E ndoqa këtë reportazh me kënaqësi të jashtëzakonshme. Autorët e këtij punimi kanë trajtuar në të aspektet më mbresëlënëse, siç është artizanati i Krujës, ku spikasin qilimat, por me tepër qeleshet e traditës sonë. Qeleshja është simbol i veshjes kombëtare dhe me formën e ngjyrën e saj ajo është mbajtur në shekuj e mijëvjeçar. Shqiptarët, në dallim nga fqinjët e tyre, që kanë preferuar kapelen e zezë, kanë zgjedhur qeleshen e bardhë dhe nuk kanë bërë zgjedhje të gabuar, pasi kanë sjellë një simbol që i dallonte qartësisht nga fqinjët e tyre. Mbajtja e kësaj qeleshjeje po bëhet ekzotike, por megjithatë, studentit i ka tërhequr vëmendjen. Jam shumë dakord me secilin prej jush që kur shkojmë në pazarin e Krujës ndjejmë një keqardhje. Ne jemi në zhvillime globale, jemi të hapur ndaj çdo zhvillimi, por aty do të donim të shihnim vetëm prodhime vendi. Le të ketë treg kinez, treg indian, apo çfarëdo lloj tregu, por në atë zonë do të donim të kishte vetëm treg me prodhime vendi.
Kjo është një thirrje për qeverinë. Ajo duhet të bëjë më shumë për të nxitur e mbështetur artizanatin, sepse në radhë të parë krijon vlera të domosdoshme për turizmin, por është gjithashtu i domosdoshëm për punësimin, si dhe, ka edhe shumë avantazhe të tjera.
Në një tjetër reportazh ju trajtonit aq bukur gjyshen ideale, e cila sërish ishte kthyer te bebet, tek fëmijët, falë një pasioni të pashterur për ta.
Të dashur studentë të gazetarisë,
Më vjen mirë që takohem me ju sot, në një moment kur ju trajtoni probleme të teknologjisë së avancuar, të kanaleve, të frekuencave, etj. Nuk ka asgjë më të rëndësishme për të ndryshuar jetën e secilit prej nesh, sesa teknologjia. Kjo është e vërtetë në gazetari, në shkencë, në arsim, kjo është e vërtetë në të gjitha fushat. Në këtë kontekst, është jashtëzakonisht e rëndësishme rendja pas teknologjive moderne. Teknologjitë moderne janë zembereku i kohës globale, i orës globale. Shqipëria me gjithë problematikën e saj, nuk mund të ketë orë tjetër përveç orës globale.
Si gazetarë të ardhshëm, dua t’ju shpreh respektin tim të thellë, por edhe kënaqësinë. Shpesh kërkohet kod dhe etikë ndaj jush dhe kjo është normale, por edhe shoqëria duhet të adaptojë ndaj jush kod dhe etikë. Sepse ju, në dallim, nga komunikatorët e tjerë, politikë, drejtues partish, qeveritar, parlamentar, ju jeni më direkt, më të lidhur, me shoqërinë. Në këtë kontekst, fjala juaj e lirë është kusht vendimtar për të patur një shoqëri të lirë.
Kam shumë kënaqësi që, si qeveri, ne sollëm një risi që nuk ekziston në asnjë vend; sollëm ndërprerjen e të gjitha proceseve civile e gjyqësore ndaj jush. Shqipëria është i vetmi vend në Europë dhe më gjerë, ku nuk ekziston asnjë padi civile e penale ndaj asnjë gazetari, çfarëdo që ai ka shkruar, për çdo zyrtar, nga Kryeministri deri te punonjësi më i thjeshtë. Kjo solli një erë të re, erën e fundit të farse të turpshme gjyqësore, ku objekt ishin gazetarët. Unë konstatoj me kënaqësi se ka rënë në mënyrë dramatike, pas kësaj, edhe padia e qytetarëve ndaj gazetarëve, gjë që është shumë pozitive.
Problemi i dytë me të cilin merret qeveria janë pronarët. Jua them me bindje se kam vlerësimin më të madhe për të gjithë ata të cilët pasurinë e tyre duan ta vënë në shërbim të hapësirës së komunikimit dhe informacionit. Ky përbën një kontribut madhor. Por nuk ka gjë më të pa pranueshme sesa trajtimi miqësor nga pronarët të caktuar për gazetarë të caktuar. Nuk ka gjë më të shëmtuar në një shoqëritë lirë se ky fenomen. Përdorimi i presionit financiar e ekonomik për mercenarizmin e gazetarëve, është një nga shfaqjet më të shëmtuara, ndaj të cilave duhet të qëndrojmë fuqishëm bashkërisht. Deri para një viti në Shqipëri funksionin gazeta me 38 faqe dhe me 2 gazetar. Të gjithë të tjerët punonin në punë të zezë, sikur të ishin klandestinë dhe jo kalorës të fjalës së lirë. Kam diskutuar disa herë me përfaqësues të kësaj fushe dhe pres nga miqtë e mi të sjellin në parlament ligjin që ndalon pronarin që të diktojë politikën editoriale. Shembulli i Shqipërisë është shembulli më tipik i “vdekjes” së medieve nga përdorimi i tyre personal, i shndërrimit të gazetave në fletushka personale, në një kohë kur ato janë pasuri e madhe publike.
Por, siç ju e dini, si mik i fjalës së lirë dhe që e vlerësoj atë më shumë se çdo gjë tjetër, unë presistoj në qëllimet e mia. Në rast se sot nuk ka procese gjyqësore, ky është një standard që nuk ekziston në ndonjë vend tjetër. Në rast se sot u vendosën disa masa që bënë që edhe gazetarët të bëhen punëtorë legalë të fjalës së lirë, duhet të vendosen edhe disa masa të tjera, në mënyrë që ju të kryeni dhe paraqisni publikut çdo vit, në ekranet e medieve, në valët e radiove apo faqet e gazetave, punë të tilla objektiva. Sigurisht, duhet të paraqitni edhe punë kritike, pasi njeriu model është njeriu kritik dhe këtë nuk duhet ta harrojmë. Ai që humbet kriticizmin humbet kohën.
Edhe njëherë, dua t’ju përshëndes dhe t’ju garantoj se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për modernizimin e hapësirës shqiptare informative, pasi projekti ynë “Shqipëria në moshën dixhitale” synon të bëjë qytetarët shqiptarë që të përfitojnë nga kjo forcë e jashtëzakonshme e zhvillimit të shoqërisë.
Përshëndes gjithë ekipin tuaj dhe ju falënderoj për ftesën”.