Kryeministri Berisha: Buxheti suplementar i këtij viti, rezultat i mirëadministrimit dhe i luftës ndaj korrupsionit dhe evazionit
- Ky buxhet është rreth 300 milionë dollarë dhe të ardhurat buxhetore këtë vit rriten, nga 26.4 për qind në 28.2 për qind të PBB-së
Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha tha se qeveria ka gati buxhetin suplementar për këtë vit, me një vlerë rreth 300 milionë dollar. Kryeministri vuri në dukje se ky buxhet ka ardhur si rezultat i mirë menaxhimit të të ardhurave dhe parave, si dhe nga lufta e suksesshme kundër korrupsionit, evazionit fiskal dhe kontrabandës.
“Ky buxhet është rreth 300 milionë dollar. Ai nuk ka në bazë privatizimet e ARMO-s, apo privatizime të tjera, por është i tëri mirë - administrim dhe luftë kundër evazionit, kontrabandës dhe korrupsionit. Kjo është rritja më e madhe e të ardhurave që ka ndodhur, në harkun kohor 1 vjeçar, në tërë historinë e vendit”, u shpreh Kryeministri.
Të ardhurat buxhetore, theksoi Kryeministri, nga viti i kaluar në këtë vit, rriten nga 26.4 për qind në 28.2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Kjo rritje vjen e tillë, me gjithë vendosjen e nivelit më të ulët të taksave. “Kjo rritje dëshmon për një forcë të qartë të disiplinë fiskale, e cila midis të gjitha disiplinave është më e vështira, por më jetikja për çdo vend. 300 milionë dollar të ardhura më shumë nga mirë- administrimi, janë një mundësi e re, mundësi e dytë e madhe për vendin në tërësi, për qytetarët shqiptar në veçanti”, tha Kryeministri.
Gjithashtu, Kryeministri nënvizoi se ky buxhet suplementar dhe këto të ardhura bëjnë të mundur uljen e deficitit buxhetor me 2.5 për qind dhe mundësojnë rritjen më të madhe në tërë historinë e vendit të rrogave dhe pensioneve dhe kompensimin e plotë të rritjes së çmimeve. Por, këto të ardhura, vijoi Kryeministri, “mbështesin fuqishëm procesin e privatizimeve, bëjnë të mundur gjithashtu reduktimin e nivelit të borxhit të vendit dhe shndërrimin e Shqipërisë në një kantier të vërtetë ndërtimi në të katër anët e vendit”.
Gjithashtu, Kryeministri tha se këto të ardhura në buxhetin suplementar bëjnë të mundur thellimin e mëtejshëm të procesit të decentralizimit. Në këtë drejtim, ai vuri në dukje se një pjesë e mirë e buxhetit suplementar të këtij viti do t’i jepet buxhetit të qeverive vendore.
Kryeministri bëri të ditur se në tërësi, qeveria ka përmbushur dhe po përmbush objektivat e saj. “Qeveria po merr të gjitha masat që viti në vazhdim, i cili është edhe një vit elektoral, të mos ketë dobësi të disiplinës fiskale dhe asaj buxhetore. Unë u kam kërkuar ministrive që këtë vit buxheti të jetë më i hershëm se asnjëherë dhe buxheti këtë vit do të vijë në parlament më herët se asnjë herë tjetër”, tha Kryeministri. Ai nënvizoi se tashmë vendi ka edhe një ligj të ri organik për buxhetin dhe ndaj do të bëhet i mundur shpejtimi i hartimit të buxhetit, në mënyrë që ai të mos prekë dot perfomancën fiskale, e buxhetore të vendit. Ky është një zotim shumë i rëndësishëm, theksoi Kryeministri.