Ministri i Jashtëm rumun: Marrja e ftesës për anëtarësim në NATO, rezultat i reformave të suksesshme
Kryeministri Berisha priti sot në një takim Ministrin e Jashtëm të Rumanisë zotin Llazar Kumanesku.
Të dy personalitetet vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve si në fushën politike, ekonomike, kulturore, si dhe shprehën vullnetin e përbashkët për forcimin dhe zgjerimin e tyre në të ardhmen.
Ministri i jashtëm rumun, Kumanesku përgëzoi kryeministrin Berisha dhe qeverinë shqiptare për marrjen nga ana e Shqipërisë të ftesës për anëtarësim në NATO, duke shprehur kënaqësinë që ky vendim i rëndësishëm historik u mor në Bukuresht.
Duke vlerësuar lart rolin e qeverisë shqiptare dhe rolin aktiv të kryeministrit Berisha në realizimin me sukses të një sërë reformash, zoti Kumanesku theksoi se kjo ngjarje e rëndësishme për Shqipërinë nuk do të ishte mundur pa këtë proces reformash të gjithanshëm dhe të suksesshëm.
Ministri i jashtëm rumun vlerësoi shumë pozitivisht hapat e ndërmarra në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke e cilësuar këtë të fundit si një domosdoshmëri në përmirësimin e klimës ndaj biznesit dhe nxitjen e investimeve të huaja.
Ministri i jashtëm rumun u shpreh se Rumania është e gatshme të mbështesë Shqipërinë në fusha të ndryshme, nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave, si në turizëm, bujqësi, burimet njerëzore, etj. Ministri i jashtëm rumun shprehu mbështetjen e qeverisë rumune për procesin e liberalizmit të vizave, si një hap shumë i rëndësishëm për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe zhvillimin e biznesit.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha duke shprehur kënaqësinë që Rumania i është bashkuar tashmë NATO-s dhe Bashkimit Evropian, theksoi se integrimi i plotë në NATO dhe në BE mbeten dy projektet madhore për kombin shqiptar, për të cilat qeveria shqiptare po realizon një sërë reformash në fusha të ndryshme. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha falënderoi Ministrin e jashtëm rumun, për mbështetjen që Rumania i ka dhënë procesit të marrjes së ftesës për anëtarësim, në NATO, duke theksuar se tashme, Shqipëria ka vendosur lidhje të veçanta historike me qytetin e Bukureshtit.
Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare është thellësisht e angazhuar, në luftën me zero tolerancë kundër krimit të organizuar, e cila do të vazhdojë me të njëjtin intensitet edhe në të ardhmen. Si rezultat i kësaj lufte, Kryeministri u shpreh se 206 grupe kriminale dhe mbi 900 anëtarë të tyre kanë marrë përgjigjen e merituar të ligjit. Gjithashtu, Kryeministri e njohu zotin Kumanesku me arritjet e qeverisë shqiptare në luftën pa kompromis kundër korrupsionit, evazionit, informalitetit, në sektorin e doganave, taksave, prokurimeve, etj, të cilat kanë bërë të mundur rritjen e të ardhurave nga 21 % në 28,2 % të GDP-së. Si një hap të rëndësishëm, në këtë drejtim, Kryeministri evidentoi digjitalizimin e një sërë proceseve të rëndësishme, të cilat kanë zvogëluar në mënyrë të ndjeshme barrierat burokratike, siç është realizimi i prokurimeve të drejtpërdrejta dhe ulja me 18 % e kostos të tyre.
Më tej, të dy personalitetet u ndalën në çështje të rajonit dhe në mënyrë të veçantë në zhvillimet në Kosovë. Duke ritheksuar se pavarësia e Kosovës është kusht vendimtar për stabilitetin dhe sigurinë, jo vetëm në Kosovë , por në mbarë rajonin, kryeministri u shpreh se përpjekjet për krijimin e strukturave paralele në Mitrovicë janë destruktive dhe nuk i shërbejnë paqes dhe sigurisë në rajon.