Kryeministri Berisha përshëndet bashkëpunimin me opozitën për reformën zgjedhore
- Kryeministri fton opozitën për vazhdimin e bashkëpunimit dhe në reformën e drejtësisë
Gjatë mbledhjes së sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha përshëndeti vendimin e Konferencës së kryetarëve për krijimin e Komisionit parlamentar për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe gatishmërinë e opozitës në këtë proces. Kryeministri ftoi gjithashtu opozitën të vazhdojë bashkëpunimin edhe për reformën në sistemin e drejtësisë.
“Dua të përshëndes vendimin e kryesisë së Kuvendit në Konferencën e Kryetarëve për të nisur punën për krijimin e komisionit për Kodin Zgjedhor, pra vazhdimin e pjesës ligjore të reformës zgjedhore, pasi pjesa kushtetuese, parësore, u zgjidh dy muaj më parë. Në kuadër të kësaj reforme, ne shpresojmë dhe besojmë se do të gjejmë mirëkuptimin, të udhëhequr nga ai parim që shqiptarët të votojnë të lirë dhe politikanët të respektojnë vullnetin e tyre”, u shpreh Kryeministri.
Kodi i ri zgjedhor, tha Kryeministri, vjen si plotësim i reformës zgjedhore kushtetuese , duke theksuar se do të ishte me interes për të gjitha palët që kjo reformë të finalizohej sa më shpejtë, në mënyrë që faktorët zgjedhor të njihen me të, të trajnohen për të dhe të bëhen të gjitha përpjekjet për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.
Gjithashtu, Kryeministri ftoi opozitën për të vazhduar bashkëpunimin edhe për reformën në sistemin e drejtësisë.
“Duke përshëndetur gatishmërinë e opozitës, unë e ftoj atë të vazhdojmë reformën në sistemin e drejtësisë, pasi edhe ky sistem është tërësisht jopartiak”, tha kryeministri. Ai nënvizoi se konsolidimi i këtij sistemi është në interesin e të gjithë atyre që i besojnë shtetit ligjor dhe të tilla janë sot forcat politike, forca që i përmbahen shtetit ligjor. “Ky është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë dhe i proceseve integruese të vendit”, theksoi Kryeministri.