Kryeministri Berisha: Qeveria, mbështetje e fuqishme për fermerët shqiptarë
Në vijim të vizitës në rrethin e Shkodrës, Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e rrugës Beltoj- Mali Hebaj-Berdisë e Madhe, me gjatësi 3,5 kilometra dhe vlerë 32 milion lekë, si dhe rikonstruksionin e Kanalit Ujitës në fshatin Beltoj-Bërdicë, me gjatësi 3,4 kilometra dhe vlerë 34 milionë lekë, investime të buxhetit të shtetit.
Duke përshëndetur banorët e pranishëm, Kryeministri evidentoi se me përfundimin e këtyre veprave të rëndësishme fshati shqiptar po bën hapa të shpejtë drejt modernizimit dhe zhvillimit të tij të qëndrueshëm. “Uroj që të takohemi në të ardhmen me premtime të mbajtura dhe inaugurime të tjera. Rruga që inauguruam Beltoj - Mali Hebaj- Berdisë e Madhe është 3,5 km, e ndërtuar sipas standardeve më të mira. Çdo ditë po përparon organizimi i fshatit shqiptar, zhvillimi i tij i qëndrueshëm, me rrugë, kolektorë, sistemimin e kanaleve vaditëse. Sapo inauguruam gjithashtu rikonstruksionin e Kanalit Ujitës në fshatin Beltoj-Bërdicë, me gjatësi 3,4 kilometra. Pra, siç e shikoni, qeveria qëndron fuqishëm në mbështetje të fermerëve, punëtorëve të tokës. Ata janë në krye të kurorës të njerëzve punëtorë, që me mund dhe djersë të madhe sigurojnë mirëqenien e familjes së tyre dhe i japin një ndihmë të madhe shoqërisë dhe zhvillimit të vendit", u shpreh Kryeministri.