E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Qeveria po realizon rritjen e pensioneve, rrogave dhe ndihmës ekonomike për këtë vit

-          Pensionet në fshat rriten 15 për qind, në qytet 10 për qind, ndihma ekonomike me 10 për qind, rrogat e arsimtarëve 14 për qind, për infermierët 14 -15 për qind, për rrogëtarët e përgjithshëm 7 për qind.

Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha tha se qeveria po përgatit vendimin për rritjen e pensioneve, ndihmës ekonomike dhe pagave, i cili do të hyjë në fuqi në 1 korrik të këtij viti.

"Kam kënaqësinë dhe privilegjin t’ju informoj dhe të jap lajmin e gëzuar për rreth 800 mijë familje shqiptare, lidhur me vendimin, në përgatitje, të qeverisë, për rritjen e pensioneve, ndihmës ekonomike dhe rrogave, në përputhje të përpiktë dhe me tejkalim madje, me zotimin e bërë", u shpreh Kryeministri.  

"Qeveria, - theksoi Kryeministri, ka vendosur të ndërmarrë rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve dhe të ndihmës ekonomike, e cila tejkalon qartë barrën e inflacionit në të gjitha shtresat dhe lehtëson jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë".

Kryeministri bëri të ditur se, sipas këtij vendimi, pensionet në fshat për këtë vit, do të rriten me 15 për qind, ndërsa në qytet do rriten me 10 për qind, duke e çuar pensionin në qytet, jo 100 dollarë siç ishte premtuar nga qeveria, por 100 euro, duke filluar nga data 1 korrik. Po ashtu, ndihma ekonomike rritet me 10 për qind, rrogat e arsimtarëve me 14 për qind, duke garantuar kështu dyfishimin e tyre brenda mandatit qeverisës. Edhe rrogat për infermierët rriten me 14 për qind dhe skema e hartuar garanton dyfishimin plotë të këtyre rrogave brenda mandatit qeverisës. Sipas vendimit të qeverisë, rritje prej 7 për qind pësojnë edhe rrogat e tjera, për të përballuar inflacionin dhe për të pasur një rritje shtesë, si dhe me 4 për qind rriten  rrogat e larta.

Kryeministri siguroi se rritje të ndjeshme e thelbësore do të pësojnë rrogat e ulëta në sektorin publik. “Por qeveria është e detyruar të mendojë edhe për rrogë ulëtit e sektorit privat,  ndaj ajo shpall vendimin që, nga data 1 korrik e tutje, nuk do të ketë rrogë nën 170 mijë lekë në Republikën e Shqipërisë. Kjo nuk është një ndërhyrje në sektorit privat, por rroga minimale e vendit është një detyrim”, theksoi Kryeministri.

Kryeministri shprehu mirënjohjen për punonjësit e tatimeve dhe doganave, duke theksuar se " ata bënë të mundur konkretizimin e kësaj politike, me disiplinën dhe performancën e tyre."

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh: 

“Sot kam kënaqësinë dhe privilegjin t’ju informoj ju dhe kam zgjedhur pikërisht mbledhjen e grupit parlamentar për të dhënë lajmin e gëzuar për rreth 800 mijë familje shqiptare, lidhur me vendimin në përgatitje të qeverisë për rritjen e pensioneve, ndihmës ekonomike dhe rrogave, në përputhje të përpiktë dhe me tejkalim madje, me zotimin e bërë. 

Qeveria ka vendosur të ndërmarrë rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve dhe të ndihmës ekonomike, e cila tejkalon qartë barrën e inflacionit në të gjitha shtresat dhe lehtëson jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë.

Qeveria, pas studimeve të bëra për 520 mijë pensionistë në vend, do të vendosë që për  pensionin minimal në fshat, për rreth 170 mijë pensionistë, pension i cili është tashmë rreth 63 mijë lekë, të ketë një rritje prej 15 për qind, për të kompensuar inflacionin dhe realizuar rritjen e tyre.

Për pensionistët e qytetit, ku pensioni minimal është në vlerën 110 mijë lekë, qeveria do të vendosë një rritje prej 10 për qind, rritje e cila tejkalon qartësisht peshën e inflacionit dhe bën që shqiptarët të kenë pension minimal, jo 100 dollarë siç e patëm premtuar ne, por 100 euro, nga data 1 korrik.

Ky është një vendim i domosdoshëm dhe është dëshmi e zemrës së dhimbsur, e shërbimit dhe shërbesave.

Rritje prej 10 për qind do të ketë edhe ndihma ekonomike për rreth 90 mijë familje.

Për të gjithë mësuesit e Shqipërisë, pra për rreth 44 mijë arsimtarë, këtë vit do të ketë një rritje prej 14 për qind të rrogës së tyre dhe pjesa tjetër e rritjes do të jetë vitin tjetër, duke garantuar kështu dyfishimin, brenda mandatit tonë, të rrogave për të gjithë mësuesit e Shqipërisë. Pra, ne, në vitin 2009, u realizojmë 44 mijë arsimtarëve dyfishimin e rrogave. Mësuesi që merrte 200 mijë lekë rrogë, do të marrë 400 mijë lekë në mbyllje të mandatit tonë të parë.

Do të dyfishohen rrogat e 12 mijë infermierëve. Rritja e këtyre rrogave të tyre për këtë vit do të jetë rreth 14-15 për qind, por skema e hartuar garanton dyfishimin plotë të këtyre rrogave.

Do të rriten rrogat e gjithë rrogëtarëve të tjerë, për të përballuar inflacionin dhe për të pasur një rritje shtesë. Do të ketë një rritje prej 7 për qind të rrogave të tjera dhe 4 për qind të rrogave të larta. Në këtë mënyrë po zhduket modeli i rrogave që instaluan paraardhësit tanë, ku një ofiqar i lartë i lartë merrte sa 62 pensionistë apo sa 30 rrogëtarë.

Rritje të ndjeshme e thelbësore do të pësojnë rrogat e ulëta në sektorin publik. Por qeveria është e detyruar të mendojë edhe për rrogëulëtit e sektorit privat. Ndaj shpall vendimin që, nga data 1 korrik e tutje, nuk do të ketë rrogë nën 170 mijë lekë në Republikën e Shqipërisë. Kjo nuk është një ndërhyrje në sektorit privat, por rroga minimale e vendit është një detyrim për të gjithë. Edhe Shtetet e Bashkuara, që janë shembull frymëzues i liberalizmit, kanë pagën minimale për orën e punës.

Ata që u përpoqën të mashtrojnë muaj me radhë qytetarët shqiptarë, se nuk do ketë rritje rrogash a pensionesh, tani do fillojnë t’u bien sirenave se gjoja qeveria po ndërhyn në sektorin privat. Por ky vendim është universal dhe është e vetmja mënyrë. Rikujtoj këtu se inflacioni i muajit që shkoi ishte rreth 4.2 për qind, pra vihet re tendenca e uljes dhe pritet të ulet edhe më tej. Por, pavarësisht nga kjo, ne vendosëm të ndërmarrim rritjen më të madhe të pagave, të pensioneve, një rritje më e madhe se në çdo vend tjetër.

Me këtë rast, në emrin tuaj, dua t’ju shpreh mirënjohjen time të thellë punonjësve të tatimeve dhe doganave, të cilët bënë të mundur konkretizimin e kësaj politike, me disiplinën dhe performancën e tyre. Ata kanë realizuar dhe tejkaluar edhe këtë vit të ardhurat, me gjithë planin shumë ambicioz që kanë patur.

Një nga eksponentët kryesor të socialistëve deklaron lart e poshtë se kjo qeveri po i mbledh paratë e qytetarëve. I them këtij zotërie se ne vërtetë po i mbledhim dhe nuk po i vjedhim, sepse paratë kurdoherë kanë  qenë, por kanë përfunduar në xhepat e të tjerëve. Ndërsa sot po mblidhen dhe po shndërrohen në rroga, në pensione, në ndihmë ekonomike, në projekte të ndryshme. Ky është dallimi thelbësor i kësaj qeverie dhe kësaj qeverisjeje. Kjo situatë pozitive ka ardhur edhe pse ne kemi stërpërgjysmuar taksat. Kjo do të thotë se kemi vendosur një disiplinë të shëndoshë.

Nuk besoj se mund të kishte ndonjë lajm tjetër më të gëzuar për të dhënë sot për 800 mijë familje shqiptare, pensionistë, familje me ndihmë ekonomike, rrogëtarë në administratë, por edhe qytetarë me rroga të ulëta në sektorin privat.”            

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›