E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret përfaqësues të Grupit të Miqësisë Austri-Shqipëri

Kryeministri Berisha zhvilloi sot, një takim me Grupin e Miqësisë Austri-Shqipëri në përbërje të të cilit janë parlamentarë të Parlamentit austriak.

Kryeministri Berisha u uroi parlamentarëve austriakë mirëseardhjen dhe shprehu kënaqësinë tij për marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve, si dhe i falënderoi të pranishmit për mbështetjen që vendi mik i ka dhënë dhe i jep zhvillimit dhe integrimit të Shqipërisë.

Kryeministri Berisha i njohu parlamentarët austriakë me ecurinë e reformave në vend, si dhe me prioritetet dhe fokusin që qeveria shqiptare kë vënë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dukuri këto të kthyera tre vite më parë në sistem, por që sot luftohet me forcë nga qeveria, e cila ka arritur suksese të dukshme në këtë drejtim.

Kryeministri theksoi se si rezultat i kësaj lufte të hekurt çdo qershor qeveria shqiptare dërgon në Parlament një buxhet të dytë, si dhe është bërë i mundur një fokusim i investimeve të qeverisë në infrastrukturë dhe arsim.

Më tej, Kryeministri Berisha i njohu parlamentarët austriakë me masat e ndërmarra nga qeveria për përmirësimin e sistemit arsimor në vend, duke dyfishuar buxhetin për këtë sektor si dhe liberalizimin e universiteteve. Duke e cilësuar zhvillimin e arsimit profesional si një tjetër përparësi, Kryeministri kërkoi nga parlamentarët austriake që qeveria e tyre të japin asistencë për zhvillimin arsimit profesional në Shqipëri.

Kryeministri Berisha e njohu delegacionin austriak dhe me investimet që janë bërë në rrjetin infrastrukturor në vend, si dhe shprehu angazhimin e qeverisë që brenda tre viteve Shqipëria të ketë një nga rrjetet e rrugëve më moderne që ekzistojnë. Kryeministri u shpreh se një tjetër objektiv i rëndësishëm i qeverisë është ruajtja e ambientit nga ndotja, duke kërkuar që të gjithë bizneset të përdorin teknologjitë në bazë të standardeve më të mira për mjedisin.

Nga ana e tyre, parlamentarët austriakë u shprehën të impresionuar për zhvillimet që ka pësuar Shqipëria në këto tre vitet e fundit. Pasi u njohën me objektivat e qeverisë për zhvillimin e arsimit, ata e siguruan Kryeministrin se do të japin asistencën e tyre për këtë fushë. Parlamentarët austriake u shprehën se investimi në arsimi dhe infrastrukturë është mënyra e duhur për të patur një shoqëri të zhvilluar dhe integruar. Parlamentarët austriake shprehën interes dhe për zhvillimin e burimeve energjike në Shqipëri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›