Kryeministri Berisha: Qeveria shqiptare do të bëjë çdo përpjekje që investimet e huaja të jenë një histori suksesi në Shqipëri
Kryeministri Berisha organizoi sot në mbrëmje një pritje, në nder të pjesëmarrësve në Forumin Ekonomik të Vjenës, në ambientet e Pallatit të Brigadave.
Duke falënderuar përzemërsisht Koordinatorin Special të Paktit të Stabilitetit, zotin Gerhard Bussek, si dhe organizatorët e këtij forumi, Kryeministri Berisha u shpreh në përshëndetjen e tij:
“Është një nder dhe kënaqësi e veçantë për mua t’ju përshëndes ju, pjesëmarrës të Forumit Ekonomik të Vjenës, këtij forumi që përbën një ngjarje shumë të rëndësishme në promovimin e mundësive dhe potencialeve të Shqipërisë për investitorët e huaj. Rritja e shpejtë ekonomike dhe ndezja e motorëve të investimeve të huaja në Shqipëri, përbëjnë objektivin më madhor të qeverisë sime.
Ne po bëjmë përpjekje të mëdha dhe të gjithanshme për një klimë miqësore ndaj biznesit. Stabiliteti, transparenca dhe parashikimi, tre kushtet themelore, kanë njohur një ndryshim shumë substancial në Shqipëri, gjatë viteve të fundit. Barra burokratike ka pësuar një zvogëlim dramatik dhe kjo do të shkojë edhe më tej. Shqipëria, vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë dhe koston më të ulët të prodhimit, janë të dy nga objektivat tona madhorë.
Ne jemi të përqendruar shumë në ripërtëritjen e infrastrukturës sonë të prapambetur. Janë në zhvillim programe të gjera për ndërtimin dhe rindërtimin e rrugëve të Shqipërisë, po kështu edhe në telekomunikacion dhe në fusha të tjera.
Interesi i investitorëve të huaj për Shqipërinë, është sot më i madh se kurrë. Por i tillë është edhe interesi i investitorëve austriakë. Uroj që ky forum t’ju japë ju pamjen e plotë të mundësive të Shqipërisë.
Edhe njëherë, dua t’ju siguroj se qeveria ime do të bëjë çdo përpjekje që projektet dhe investimet tuaja në jenë një histori suksesi në Shqipëri.
Ju falënderoj përzemërsisht, juve zoti Bussek, si dhe të gjithë ata që kanë sponsorizuar dhe bërë të mundur këtë forum në Tiranë.
Faleminderit!”