Kryeministri Berisha: Vendimi i qeverisë, nga data 1 korrik nuk do të ketë rrogë nën 17 mijë lekë në Shqipëri
Kryeministri Berisha, u shpreh sot, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike se që nga data 1 korrik 2008, nuk do të ketë pagë nën 17 mijë lekë në Republikën e Shqipërisë.
Duke folur për vendimin që po përgatit qeveria për rritjen e pensioneve, rrogave dhe ndihmës ekonomike për këtë vit, Kryeministri tha se rritje të ndjeshme e thelbësore do të pësojnë pagat e ulëta në sektorin publik.
Por, shtoi Kryeministri, qeveria është e detyruar të mendojë edhe për rrogëulëtit e sektorit privat, ndaj ajo shpall vendimin që, nga data 1 korrik 2008, nuk do të ketë pagë nën 17 mijë lekë në Republikën e Shqipërisë. "Kjo nuk është një ndërhyrje në sektorit privat, por rroga minimale e vendit është një detyrim për të gjithë. Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë shembull frymëzues i liberalizmit, kanë pagën minimale për orën e punës”, u shpreh Kryeministri.